​“Serbët e morën përgjigjen në grykë të pushkës”, qytetarët flasin për Epopenë e Dukagjinit

Kosova

​“Serbët e morën përgjigjen në grykë të pushkës”, qytetarët flasin për Epopenë e Dukagjinit

Më: 24 mars 2024 Në ora: 16:18
Foto ilustrim

Në 26-vjetorin e Epopesë së lavdishme të Dukagjinit, shumë familjarë të dëshmorëve dhe qytetarë kanë bërë homazhe sot në Kompleksin Memorial "Dëshmorët e Kombit" në Gllogjan.

Familjarët e heronjve shprehen krenarë për gjakun e derdhur të familjarëve të tyre për lirinë e arritur në trojet shqiptare.

Për të nderuar jetën dhe veprën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Gllogjan kishte ardhur Naser Gacaferri nga Juniku. Ai thotë se gjatë betejave me pushtuesin serb ranë shumë dëshmorë, në mesin e tyre edhe një familjar i tij sakrifica e të cilëve nuk duhet harruar asnjëherë.

Gacaferri: Nuk duhet ta harrojmë luftën dhe sakrificën për liri

"Sot ndihem shumë i emocionuar në këtë datë shumë historike. 24 marsi Epopeja e lavdisë së luftës çlirimtare të UÇK-së. Këtu kam familjarë, këtë djalin e tezes, dëshmorin Enver Halilaj nga Gllogjani. Ka qenë djalë punëtor dhe aktivist dhe luftëtar shumë i fortë. Ka rënë dëshmor më 11 gusht 1998 në frontin e luftës në Gllogjan. Besoj se ia ka vlejtur, por ne nuk duhet t'i harrojmë luftën dhe sakrificën e tyre dhe gjakun që e kanë dhënë për lirinë që ne sot e gëzojmë," tha Gacaferri.

Myrteza Lekaj, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tha se okupatori serb u largua përgjithmonë falë luftës së madhe të shqiptarëve.

Lekaj: Serbët e morën përgjigjen në grykë të pushkës

"Ndihemi krenarë sepse 26 vjet më parë, pikërisht këtu në Gllogjan ndodhi thyerja e parë e forcave serbe që u përballën me familjen Haradinaj. Ata e kanë marrë përgjigjen e duhur në grykë të pushkës turpshëm u larguan nga Gllogjani. Serbët kishin bërë një llogari sikur më 5, 6, 7 mars dhe skenari i tyre ishte i njëjtë sikur në Prekaz, por fal komandantit sypatrembur, Ramush Haradinaj dhe bashkëluftëtarëve ata u kthyen turpshëm dhe u tërhoqën me humbje nga Gllogjani... Kemi pasur edhe dëshmorë, edhe unë jam pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ndihem krenar me luftën e gjithë bashkëluftëtarëve, sepse mundi në breza të kombit shqiptar është kurorëzuar me pavarësinë e Kosovës, me shporrjen e një herë e përgjithmonë të armikut serb nga trojet shqiptarë," tha Lekaj.

Edhe Agron Mehmetaj i cili ka trashëguar emrin e axhës së tij dëshmor në Gllogjan thotë se në këtë ditë ndihet shumë krenar për luftën e bërë për lirinë e Kosovës.

Mehmetaj: Kam trashëguar emrin e axhës tim dëshmor

"E kam pasur axhën dëshmor. Unë e kam trashëguar emrin e tij. Ne si familje jemi shumë krenarë për veprën e tij dhe do të jemi gjithmonë. Ne duhet t’i përulemi gjithmonë heronjve dhe dëshmorëve, të gjithë ata që kanë dhënë jetën për lirinë që ne gëzojmë sot... Jam student i diplomuar, kam ndjekur rrugën e axhës, i cili ka regjistruar Fakultetin e Inxhinierisë mekanike, nuk ka mundur të përfundoje, e ka lënë në gjysmë dhe ka hyre në ushtri. Unë e kam përfunduar rrugën e tij," tha Mehmetaj.

Ndërsa Bedri Osmanollaj nga Deçani thotë se qëllimi i UÇK-së për është përmbushur.

Osmanollaj: Djemtë tanë iu bënë kurban tokës tonë arbërore

"Sot jemi në vendin e trimërisë, sakrificës të burrërisë dhe tokës tonë shqiptare. Jemi në vendin e krenarisë ku djemtë tanë iu bënë kurban tokës tonë arbërore që ne sot jemi të lirë, jetojmë të lirë dhe ndjehemi krenarë gjithë trevat shqiptare... Falë djemve të Gllogjanit, UÇK-së në krye me Ramushin, Shkëlzenin, Nasim Haradinaj, bacën Ilmi dhe babanë e Nasimit ne sot jemi të lirë, ne marrim frymë në këtë tokë të bekuar ne sot e gëzojmë lirinë... U arrit qëllimi, iu them "djem u krye", tha Osmanollaj.

Më 24 mars 1998 në Gllogjan është zhvilluar beteja frontale nga Forcat e UÇK-së dhe forcave të armikut, të cilat e kishin rrethuar Gllogjanin, ndërsa synim kishin shtëpinë e familjes Haradinaj, ku hasën në rezistencë të fuqishme. Në këtë ditë ranë dëshmorë Him Haradinaj, Gazmend e Agron Mehmetaj. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat