Nga prilli ligji i ri për rregullat në trafik, kritikohen gjobat dukshëm më të larta

Kosova

Nga prilli ligji i ri për rregullat në trafik, kritikohen gjobat dukshëm më të larta

Më: 24 mars 2024 Në ora: 23:56
Ilustrim

Nga fillimi i muajit prill, hyjnë në fuqi ndryshimet në Ligjin për Rregullat e Trafikut Rrugor, që parashohin gjoba dukshëm më të larta. Por shoferët, po i konsiderojnë si të palogjikshme, ndërsa ekspertët e komunikacionit, thonë se kjo, nuk është forma për të sjellë ndryshime në problemet e komunikacionit.

Nga 30 në 150 euro do të jetë gjoba për mos-vendosjen e rripit të sigurisë gjatë vozitjes.

Ndërsa gjoba për përdorim telefoni, nga prilli do të shkojë në 100 euro, por që mund të shkojë deri në 500 euro për herën e tretë.

Këto janë vetëm dy nga ndryshimet e bëra në lartësinë e gjobave, që parashihen me Ligjin e ri për Rregullat e Trafikut Rrugor.

Për ata që janë duke vozitur çdo ditë, shifrat janë jashtëzakonisht të larta.

“Shumë janë 150 euro. Shumë janë. Me kanë që i bëjnë pak ma lirë kish qenë më mirë, për rrip 150 euro, këto janë shumë çmime të larta”, tha Besnik Sadiku, shofer.

Përveç të paarsyeshme, shoferët thonë se këto nuk do të kenë efekt.

“S’janë as të logjikshme as normale ato gjoba, me rroga që i kemi, të paguajmë 150 është jo normale, unë jam pensionist dhe me dy gjoba shkon pensioni, këta nuk janë në rregull,” u shpreh Safet Berisha.

Nol Deda, ekspert i komunikacionit, kishte marrë pjesë në hartimin e ligjit bazë, 2 dekada më parë.

Ai shprehet se ndryshimet, nuk do të arrijnë qëllimin për të cilin janë bërë.

“Edhe ky ligji mbi rregullat e trafikut është diçka që nuk do të ketë fare ndikim në sigurinë e komunikacionit rrugor, pra çdo ditë kemi rreth 1,400 gjoba brenda ditës, pavarësisht prej ndryshimeve të ligjeve dhe ngritjes së gjobave,” tha eksperti i komunikacionit, Nol Deda.

“Ti rriti sa duash gjobat ndëshkuese, nuk dihet pastaj sa përqind e pagesave realizohen nga këto masa ndëshkuese dhe kjo më tregon mu se është një jo profesionalizëm në total të këtyre gjerave”.

Hera e fundit kur Kosova bëri ndryshim në Ligjin e Rregullave për Trafikun Rrugorë,  ishte në vitin 2016.

Ministri Liburn Aliu, ndryshimet e fundit, i ka arsyetuar me qëllimin që të rritet siguria në trafik dhe të ulet numri i aksidenteve e sidomos të atyre me fatalitet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat