Haradinaj e Latifi përkujtojnë të rënët e Celinës në luftën e fundit në Kosovë

Kosova

Haradinaj e Latifi përkujtojnë të rënët e Celinës në luftën e fundit në Kosovë

Më: 25 mars 2024 Në ora: 16:16
Foto ilustrim

Pas manifestimit qendror në fshatin Fortesë, të komunës së Rahovecit, është organizuar edhe një tjetër tubim përkujtimor në fshatin Celinë të kësaj komune me rastin e 25 vjetorit të masakrës në luftën e fundit në Kosovë.

Kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi ka thënë se Celina hyn në mesin e vendbanimeve që pagoi çmim të lartë për lirinë e Kosovës.

Latifi: Celina ia fali 75 jetë lirisë së Kosovës

“Celina ia fali 75 jetë lirisë së Kosovës. Lufta për liri ishte e vështirë, por ishte mjeti i vetëm për të shpëtuar ky popull. Liria ishte shpëtimi ynë, e kundërta, pajtimi me robërinë, ishte zhdukja jonë. Zgjodhëm rrugën e lirisë sepse ia kishim borxh atdheut dhe të parëve tanë, atyre që mundësuan të mbetemi shqiptarë në këtë truall. E lamë me gjak këtë tokë, sepse ishte jetike e ardhmja jonë. Paguam shtrenjtë, sepse armiku ishte i egër dhe nuk zgjodhi mjet e nuk kurseu asgjë kundër shqiptarëve”, tha Latifi.

Ai ka përmendur padrejtësitë që po bëhen ndaj shqiptarëve duke thënë se është momenti kur drejtësia vendore dhe ndërkombëtare të veproj kundër kriminelëve.

Latifi: Kriminelët janë brenda dhe jashtë Kosovës

“Padrejtësitë ndaj shqiptarëve edhe sot vazhdojnë. Vazhdojnë padrejtësitë ndaj çlirimtarëve tanë të cilët gjykohen padrejtësisht në Gjykatën Speciale në Hagë ndërkaq kriminelët ka gjasë, jo vetëm që ka gjasë por janë në Kosovë, janë jashtë Kosovës dhe drejtësia vendore e ndërkombëtare është momenti dhe koha e fundit që të veproj kundër kriminelëve, kundër urdhërdhënësve e zbatuesve” thotë Latifi.

Ndërsa i pari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj shprehet se fitorja e të gjitha fitoreve është anëtarësimi i Kosovës në NATO.

Haradinaj: Fitorja e të gjitha fitoreve është anëtarësimi në NATO

“Jemi mirënjohës ndaj atyre që na ndihmuan, i jemi mirënjohës NATO-s për ndihëm që na dha ta arrijmë lirinë dhe pavarësinë. Shpresojmë që së shpejti t’i bashkohemi NATO-s dhe Amerikës në aleancën ushtarake, është garanca më e mirë e sigurisë për të gjithë.. U tha me të drejtë se kur kërkojmë drejtësi është absurd që gjykohen çlirimtarët e nuk gjykohen gjitha këto krime që kanë ndodh në Kosovë. Vetëm në Rahovec kemi qindra të vrarë”, u shpreh Haradinaj.

Ata gjithashtu bënë homazhe në varrezat e fshatit Brestovc.

Masakra në Krushë të Madhe ishte më e madhja në Kosovë gjatë luftës së viteve 1998-1999.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat