Bajrami nga Supremja: Numri i gjyqtarëve është i pamjaftueshëm për t’u përballur me numrin e madh të lëndëve që kemi

Kosova

Bajrami nga Supremja: Numri i gjyqtarëve është i pamjaftueshëm për t’u përballur me numrin e madh të lëndëve që kemi

Më: 11 prill 2024 Në ora: 12:43
Foto ilustrim

Mbikëqyrësi i Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, Ilmi Bajrami gjatë raportimit për tremujorin e punës së kësaj gjykate, ka thënë se numri i gjyqtarëve nuk është i mjaftueshëm për tu përballur me numrin e madh të lëndëve që posedojnë.

Bajrami këtë e tha të enjten në mbledhjen e 324-të të Këshilli Gjyqësor të Kosovës (KGJK), duke shtuar se kanë pozita të lira të paplotësuara e po ashtu edhe probleme me përkthimin e dokumenteve, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Numri i gjyqtarëve nuk është i mjaftueshëm për me u përball me këtë numër që ende është i madh në Dhomën e Posaçme. Kemi pozita të lira të paplotësuara edhe në grupin e zyrtarëve ligjor që po financohen nga GP-ja ku jena tri pozita edhe në grupin e pozitave që janë të rregulla për bashkëpunëtorë profesional, për përkthyes dhe për staf tjetër që është një kohë bukur e gjatë që janë të lira. Ne i kemi bërë kërkesat për plotësimin e këtyre pozitave në Sekretariatin e Këshillit Gjyqësor, ende për tash nuk i kemi të plotësuara. Si problem është edhe çështja e përkthimit. E kam cek po e ceki prapë kemi vonesa bukur të mëdha në përkthimin e dokumenteve për shkak se nuk kemi zyrtarë përkthyes të mjaftueshme në njësinë e përkthimeve”, tha ai.

Bajrami tha se kanë probleme edhe me hapësirë pasi sipas tij, e kanë stafin e grumbulluar në shumë zyre për shkak të hapësirës jo të mjaftueshme. Megjithatë, ai tha se një problem teknik me të cilin përballën tri zyre në Dhomat e Posaçme të Gjykatës Supreme është edhe dritaret e mbyllura si dhe sistemi i ventilimit jofunksional.

Pas kësaj, kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj njoftoi se ata planifikojnë që më 23 prill të miratojnë rregulloren për rekrutim. Ai tha se pas kësaj date beson që do të hapen konkurset për pozitat e lira.

Mbikëqyrësi i Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, Ilmi Bajrami tha se gjatë kësaj periudhe i kanë pasur të angazhuar 14 gjyqtarë në zgjedhjen e lëndëve e që 11 prej tyre në shkallën e parë dhe tre në shkallën e dytë.

Bajrami tha se gjatë këtij tremujori kanë qenë në punë mbi 13 mijë e 600 lëndë.

“Lëndët në punë gjatë këtij tremujori: Gjithsej në të dy shkallët e kësaj janë trashëguar nga tremujori paraprak 13 mijë e 295 lëndë. Janë pranuar 375 lëndë të reja kështu që gjatë tre mujorit kanë qenë në punë 13 e 670 lëndë. Prej tyre, janë zgjidhur 854 lëndë ndërsa kanë mbetur të pazgjidhura gjithsej 12 mijë 816 lëndë në të dy shkallë. Nëse e shohim sipas shkallëve gjyqësore, në shkallën e parë nga 12 mijë e 452 sa kanë qenë në punë janë zgjedhur 627 lëndë ndërsa kanë mbetur pa u zgjidhur 11 mijë e 826 lëndë. Ndërsa, në shkallën e dytë nga 1217 lëndë sa kanë qenë në punë janë zgjidhur 227 lëndë ndërsa kanë mbetur pa u zgjidhur 990 lëndë”.

Tutje, mbikëqyrësi i Dhomës së Posaçme në Gjykatën Supreme tha se shkalla e efikasitetit të lëndëve të kryera në raport me lëndët e reja të pranuara gjatë tremujorit të parë është 227.73 % pasi sipas tij, janë kryer 854 lëndë ndërsa janë pranuar 375 lëndë të reja.

Po ashtu ai tha se ka rënie të lehtë në kryerjen e lëndëve pasi sipas tij në këtë tre mujor janë kryer 42 lëndë më pak se sa në tremujorin paraprak. Ndërsa, sa i takon publikimeve Bajrami tha se janë publikuar 382 vendime e që 301 prej tyre të shkallës së parë. Kurse, për seancat e mbajtura gjatë kësaj periudhe, ai tha se numri i tyre është 102.

Ndërsa, gjatë raportimit të tij, kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Rexhepi tha se gjatë këtij tremujori kanë pranuar në punë gjithsej 697 lëndë të reja e që të trashëguara nga tremujori i kaluar kanë qenë 889 lëndë. Po ashtu ai tha se nga këto lëndë janë përfunduar 596 prej tyre dhe 303 të tjera kanë mbetur pa epilog përfundimtar.

Rexhepi tha se si Gjykatë, numri më i madh i kërkesave të cilat ata i kanë pranuar kanë qenë për mbrojtje të ligjshmërisë të cilat gjatë këtij 3 mujori janë pranuar 220 dhe janë kryer 210 prej tyre.

Sipas Rexhepit, karakteristike për këtë tremujor ka qenë numri i madh i lëndëve civile të ndryshme e që si rrjedhojë ka rritur numrin e lëndëve të ardhura për këtë periudhë kohore.

“Çka është karakteristike për këtë tremujor është se janë ardhur një numër i madh i lëndëve civile të ndryshme, gjithsej 196, çka ka rritur numrin e lëndëve të ardhura për këtë tre mujor për çka janë kryer 123. Këto kërkesa janë kryesisht lëndë që kanë ardhur për konflikt kompetence nga Gjykata kryesisht Komerciale dhe Departamenti Administrativ. Për shumicën e këtyre çështjeve që vendos, këto lëndë prap vazhdojnë të vijnë. Nuk e di se cila është arsyeja e gjyqtareve që nuk arrijnë të kuptojnë se ku janë kompetent dhe ku s’janë kompetent apo qëllimi është që të zvarrisin procedurat në raste konkrete. Megjithatë, kjo çështje don ndoshta edhe përgjegjësi”, tha ai.

Po ashtu, ai tha se shkalla e efikasitetit për këtë tremujor ka qenë e ulët.

“Në përgjithësi, shkalla e efikasitetit për këtë tremujorë për shkak të numrit të lëndëve që kanë ardhë ka qenë me e ulët. Kanë qenë 86.75 % numri i lëndëve të ardhura në raport me numrin e lëndëve të kryera”, tha ai duke njoftuar se ata kanë kryer edhe disa vizita pune duke përfshirë edhe atë në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.

Gjatë raportimit për tremujorin e punës së Gjykatës Supreme, Rexhepi tha se janë publikuar 819 aktgjykime dhe aktvendime prej të cilave 485 vendime kanë qenë të Gjykatës Supreme dhe 334 prej tyre vendime të Dhomës së Posaçme.

Ai tha se i kanë pasur pesë kërkesa sa i takon procedurave disiplinore e që për katër prej tyre është marrë vendim dhe një është ende në punë.

Sa i takon punës së administratës, Kryetari i Gjykatës Supreme tha se nuk ka ndonjë pengesë në punën e tyre përveç vendeve të paplotësuara të cilat sipas tij e bëjnë punën e gjykatës më të vështirë.

Pas kësaj, doli në votim raporti për tremujorin e parë të Gjykatës Supreme për vitin 2024 i cili u miratua.

Sa i takon problemeve që përballën në Dhomat e Posaçme të Gjykatës Supreme, Bajrami tha se një ndër ato është numri i pamjaftueshëm i gjyqtarëve, pozitat e lira të paplotësuara, problemet me përkthimin etj.

“Numri i gjyqtarëve nuk është i mjaftueshëm për me u përball me këtë numër që ende është i madh në Dhomën e Posaçme. Kemi pozita të lira të paplotësuara edhe në grupin e zyrtarëve ligjor që po financohen nga GP-ja ku jena tri pozita edhe në grupin e pozitave që janë të rregulla për bashkëpunëtorë profesional, për përkthyes dhe për staf tjetër që është një kohë bukur e gjatë që janë të lira. Ne i kemi bërë kërkesat për plotësimin e këtyre pozitave në Sekretariatin e Këshillit Gjyqësor, ende për tash nuk i kemi të plotësuara. Si problem është edhe çështja e përkthimit. E kam cek po e ceki prap kemi vonesa bukur të mëdha në përkthimin e dokumenteve për shkak se nuk kemi zyrtarë përkthyes të mjaftueshme në njësinë e përkthimeve”, tha ai.

Bajrami tha se kanë probleme edhe me hapësirë pasi sipas tij e kanë stafin e grumbulluar në shumë zyre për shkak të hapësirës jo të mjaftueshme. Megjithatë, ai tha se një problem teknik me të cilin përballën tri zyre në Dhomat e Posaçme të Gjykatës Supreme është edhe dritaret e mbyllura si dhe sistemi i ventilimit jofunksional.

Pas kësaj, kryetari i KGJK-së njoftoi se ata planifikojnë që më 23 prill të miratojnë rregulloren për rekrutim. Ai tha se pas kësaj date beson që do të hapen konkurset për pozitat e lira.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat