Rahimaj: Jemi të fokusuar më shumë për investime në fushën e arsimit

Kosova

Rahimaj: Jemi të fokusuar më shumë për investime në fushën e arsimit

Më: 11 prill 2024 Në ora: 19:54
Kryetari i Kamenicës, Kadri Rahimaj

Kryetari i Kamenicës, Kadri Rahimaj, tha se për këto vite që po udhëheq këtë komunë të lindjes, janë bërë shumë punë që janë në shërbim të qytetarëve, por më shumë fokus të madh i kanë dhënë arsimit.

I ftuar në “Info Plus” të RTK-së, Rahimaj, foli për projektet që janë duke u zhvilluar në komunën e Kamenicës. Tha se ky qytet ka një buxhet të jashtëzakonshëm sa i përket investimeve kapitale.

“Dy vitet e fundit kemi prezantuar edhe broshurën ku kemi bërë të ditur se janë mbi 230 milionë euro të nënshkruara së bashku me donatorët e jashtëm dhe të brendshëm. Fokus të madh i kemi dhënë arsimit. Por atë që e mbështesim jashtëzakonisht shumë është edhe mirëqenia brenda ekonomive familjare, cilësia e shërbimeve që ata marrin nga ato mjekësore, administrative dhe shërbime tjera që Komuna e Kamenicës menaxhon me to”, tha kryetari i Kamenicës, Kadri Rahimaj.

Kryetari i Kamenicës, Kadri Rahimaj, ka thënë se situata e sigurisë në këtë komunë është e qetë dhe se qytetarët ndihen të sigurt.

“Në kuadër të asaj që neve e kemi si kompetencë dhe në bazë të bashkëpunimit tonë me institucionet e sigurisë lokale dhe qendrore konsiderojmë që situata e sigurisë në tërë territorin e Kamenicës është e qetë dhe qytetarët ndihen të sigurt ku edhe ata banojnë”, tha Rahimaj.

Kreu i Kamenicës theksoi se më herët janë parë lëvizje të xhandarmërisë serbe edhe brenda territorit të Kosovës në fshatin Karaqevë, por se tani nuk ka provokime të tilla.

“Tani e një kohë nuk ka provokime të tilla të shtetit të Serbisë kundrejt shtetit të Kosovës. Pozicionimet e tyre përgjatë vijës kufitare me vendin tonë janë evidente, ku pika të ndryshme të ushtrisë dhe xhandarmërisë serbe janë prezentë përgjatë komplet vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por që ne ndihemi të sigurt dhe edhe qytetarët nuk kanë nevojë të ndihen të frikësuar”, tha ai.

Sipas tij, gjithçka deri më tani është në suaza normale dhe edhe patrullimet e policisë dhe  të KFOR-it janë po të njëjtat si kanë qenë edhe me herët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat