Haziri: Lashtica është Reçaku i Anamoravës

Kosova

Haziri: Lashtica është Reçaku i Anamoravës

Më: 14 prill 2024 Në ora: 17:54
Lufti Haziri

Kryetari i Degë së LDK-së në Gjilan, njëherësh nënkryetar i parë në nivel qendror, Lufti Haziri, në 25-vjetorin e masakrës e tmerrshme që përjetuan fshati Llashticë në vitin 1999, ka thënë se janë gjithmonë të freskëta plagët e tmerrit që kaluan banorët e Karadakut dhe gjithë regjionit.

Haziri ka thënë se përmes Llashticës kujtojnë edhe masakrën e Llovcës, Lladovës, Zhegrës dhe të gjithë të rënët e prillit, majit e qershorit dhe të gjithë të rënët në luftën për liri.

“Ky është 24-vjetori i prillit të madh, i sakrificës, torturës dhe vrasjeve barbare të masakrimit të shqiptarëve. Këtu u vra e masakrua fëmija më i vogël në luftën çlirimtare të Kosovës dhe plaka më e vjetër në moshë. Është masakra më e madhe që Gjilani dhe regjioni e ka përjetuar. Ne do ta kujtojmë masakër si ngjarja më e frikshme e dhimbjes së madhe për të gjithë ne në këtë regjion. Lashtica është Reçaku i Anamoravës”, u shpreh kryetari Haziri.

Ai ka vlerësuar se kjo masakër është një plagë e hapur, pasi ende nuk ka filluar asnjë hetim.

“Shpresoj shumë në organet e drejtësisë që një ditë drejtësia të shfaqet edhe në këto vendbanime”, tha kryetari i Degës së LDK-së në Gjilan, njëherësh nënkryetar i parë në nivel qendror, Lutfi Haziri.

Forcat paramilitare serbe më 13 prill të vitit 1999 kishin vrarë dhe masakruar 26 civilë shqiptarë në Llashticë të Gjilanit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat