​Protesta për Erona Coklin, kërkohet dorëheqja e krerëve të drejtësisë

Kosova

​Protesta për Erona Coklin, kërkohet dorëheqja e krerëve të drejtësisë

Më: 15 prill 2024 Në ora: 20:31
Pamje nga protesta

Në orët e pasdites sot në Prishtinë u mbajt një marsh në shenjë revolte ndaj vrasjes së Erona Coklit në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj.

Protesta e organizuar nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka nisur nga sheshi “Zahir Pajaziti” me thirrjet për ndalimin e vrasjes së grave dhe keqtrajtimit të tyre, si dhe parullat "Liri dhe siguri për gratë", "Gra revoltohuni", "Ne nuk harrojmë", "Ne nuk heshtim, nuk durojmë."

Dashurie Ukësmajli, anëtare e këshillit organizativ e protestës, tha se kanë dalë të protestojnë kundër neglizhencës institucionale për mbrojtjen e jetës dhe të drejtave të grave sipas ligjit dhe konventave ndërkombëtare.

Ajo vrasjen e Erona Colkit në Ferizaj e ka cilësuar si dështim të sistemit të drejtësisë, andaj kërkojnë dorëheqje të krerëve përgjegjës të institucioneve përkatëse dhe veprime urgjente për mbrojtje të plotë ligjore të grave.

Ukësmajli ka numëruar edhe kërkesat e protestuesve për mbrojtjen dhe të drejtat e grave, duke thënë se do të bëhen rojtarë të këtyre kërkesave dhe të arrihet drejtësi e plotë për parandalimin e rasteve të tjera.

“Po shprehim revoltën tonë ndaj paaftësisë dhe neglizhencës së institucioneve tonë për të mbrojtur jetën dhe të drejtën e grave që u garanton ligji në fuqi si dhe të gjitha konventat ndërkombëtare... Nuk mund të pranojmë që vajzat dhe gratë tona të jenë viktima të radhës së femicidit si pasojë e dhunës dhe vrasjes nga partnerët apo ish-burrat e tyre. Po shohim se rastet e vrasjes së Marigona Osmanit, Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu ende nuk kanë marrë një epilog sepse individ të kësaj shoqërie dhe zyrtarë shtetëror vazhdojnë të dyshojnë se u kanë hyrë në hak kriminelëve. Ne kërkojmë dorëheqje nga drejtuesit të institucioneve për paaftësinë dhe neglizhencën e tyre dhe mos vlerësimin e rrezikshmërisë së rasteve që po përfundojnë tragjikisht tashmë edhe në zyrat shtetërore. Nuk mjaftojnë statuset në rrjete sociale, kërkojmë efikasitet dhe zbatim të plotë të ligjit, kërkojmë drejtësi dhe veprim të menjëhershëm që çdo vajzë gruaje në proces ndarje të jetë në mbrojtje të plotë ligjore ose jepuni të drejtë grave të vetëmbrohen edhe pse është gjëja e fundit që çdo grua do të dëshironte. Kërkesat tona urgjente janë këto, detektorë në institucionet përgjegjës për mbrojtjen e mirëqenies së vajzave dhe grave, sigurim efikas në qendrat për punë sociale, kërkojmë që gjykatat të jenë të pavarura dhe të vendosin në mënyrë objektive sipas ligjit dhe provave", tha Ukësmajli.

Edhe anëtarja tjetër e Kolektivit Feminist, Bjeshka Guri theksoi se shteti duhet të trajtojë sigurinë e grave si urgjencë kombëtare.

“Jemi këtu për të kërkuar nga kjo qeveri dhe ky shtet që mos të na konsiderojë neve si qytetar të rendit të dytë, kërkojmë që shteti të trajtojë me prioritet pasigurinë e thellë në të cilat i ka lënë vajzat dhe gratë e këtij vendit dhe të shpallë çështjen e femicidit si urgjencë kombëtare, nuk durojmë deklarata të thata e performanca si përgjigjja e kësaj qeverie ndaj dhunës dhe pasigurisë së skajshme me të cilën jetojnë gratë. Nuk mund të tolerojmë që gratë e Kosovës të dhunohen, maltretohen dhe vriten nga burrat kriminelë që kjo shoqëri e shtet po i prodhon, nuk durojmë që gratë të marrin frymë në gjendje alarmi se kur do t’u vijë radha," tha Guri.

Marshi protestues i Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist ka vazhduar nga sheshi “Zahir Pajaziti”, te Ministra e Drejtësisë, stacioni policorë dhe ka përfunduar para objektit të Qeverisë së Kosovës

I dyshuari për vrasjen e ish-bashkëshortes së tij, Valon Aliu (36) më 12 prill ka dalë para Gjykatës Themelore të Ferizajt ku iu caktua masa një muaj paraburgim. Përveç fatit tragjik të Erona Coklit, në vendin e ngjarjes kishte mbetur i plagosur edhe vëllai i saj 15-vjeçar, por jashtë rrezikut për jetën. Mjekët kanë bërë me dije se të miturit i është hequr plumbi që kishte në parakrahun e djathtë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat