​Ambasadori i BE-së në Kosovë takon nxënësit e shkollës “Ibrahim Mazreku” dhe kryetarin e Malishevës

Kosova

​Ambasadori i BE-së në Kosovë takon nxënësit e shkollës “Ibrahim Mazreku” dhe kryetarin e Malishevës

Më: 18 prill 2024 Në ora: 18:48
Foto nga vizita

Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog në vizitën e parë si pjesë e aktiviteteve për Ditën e Evropës dhe 'EU Teach a day", gjatë ditës së sotme është takuar me nxënësit e shkollës “Ibrahim Mazreku” në Komunën e Malishevës.

Nga afër nxënësit patën mundësinë të parashtrojnë pyetje dhe të marrin më shumë njohuri rreth vendeve të Bashkimit Evropian e po ashtu edhe anëtarësimit të Kosovës në BE.

Gjatë bashkëbisedimit me ambasadorin Szunyog, nxënësit u interesuan të pyesin rreth marrëdhënieve që ka Kosova me vendet e Bashkimit Evropian, mbështetjen që po jep BE-ja karshi Kosovës, e shumë pyetje të tjera që morën përgjigje për secilën nga to.

Në anën tjetër, të njëjtit janë testuar nga ambasadori Szunyog me pyetje të ndryshme rreth vendeve të BE-së. Disa nga pyetjet ishin, se cili është shteti më i pasur, sa vende ka Bashkimi Evropian, nënkuptimi i motos së BE-së, e kështu me radhë, për çfarë nxënësit u munduan të japin përgjigjet që kanë njohuri.

Shkolla Ibrahim Mazreku në Malishevë është njëra nga shumë shkollat në Kosovë që janë përfituese të mbështetjes nga BE përmes projekteve të ndryshme në infrastrukturë, efiçiencë, ngritje të kapaciteteve e shumë fusha tjera.

Ambasadori i BE-së gjatë vizitës në Malishevë është takuar edhe me kryetarin e kësaj komune, Ekrem Kastrati, me të cilin kanë biseduar për bashkëpunimin mes komunë dhe atë çfarë ka ofruar dhe mund të ofrojë BE-ja, në thekës për masat e efiçiencës, projekte infrastrukturore si dhe fushat tjera. Po ashtu kanë biseduar edhe për regjistrimin e popullsisë në komunën e Malishevës.

Ndërkaq, gjatë ditëve në vijim vizitat do të vazdhojnë edhe në 11 shkolla tjera të shtatë rajoneve të Kosovës. Gjatë këtyre vizitave zyrtarë të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Ambasador dhe përfaqësues të ambasadave të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian do të takojnë nxenësit e shkollave të komuniteteve të ndryshme për tu njoftuar më afër me BE-në.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat