Ministria e Mjedisit do të investojë për ndërtimin e digës në Dragaqinë

Kosova

Ministria e Mjedisit do të investojë për ndërtimin e digës në Dragaqinë

Më: 28 prill 2024 Në ora: 10:30
Ministria e Mjedisit

Banorët e fshatit Dragaqinë e mirëpresin ndërtimin e digës që do të krijojë liqenin nga i cili do të furnizohen me ujë banorët e kësaj ane.

Ky liqen artificial do të ndihmojë në zhvillimin ekonomik përmes turizmit malor. Vlera e investimit të Ministrisë së Mjedisit dhe Infrastrukturës është 40 milionë euro, kurse diga do të jetë 50 metra e lartë dhe mbi 500 metra e gjerë. 

Dragaqina e Suharekës është fshat i vogël malor, tashmë thuajse tërësisht i braktisur. 11 banorët që tash jetojnë këtu, kryesisht merren me blegtori.

Por, shumë vite më parë, në këto lugina parashihej ndërtimi i një dige që do të krijonte liqen artificial, për furnizimin me ujë të banorëve të kësaj ane.

Projekti përkrahet edhe nga banorët, madje edhe nga ata që nuk jetojnë më aty.

Ky projekt kap zonën kadastrale të Dragaqinës, një pjesë të Duhlës dhe Vërshecit.

Sipas drejtorit të urbanizmit, projekti në fjalë i prezantuar nga operatori ekonomik që e ka përfunduar fizibilitetin në një dëgjim publik, nuk parasheh dëmtim të shtëpive të banimit, por do të zërë një pjesë të tokave bujqësore dhe malore.

I harruar nga krizat politike, lufta e më pas problemet e tjera, realizimi i këtij projekti tani sërish është riaktualizuar. 

"Pas përfundimit të fizibilitetit, në mendojmë se e kemi një përkrahje prej qeverisë, për të filluar implementimin e këtij projekti. Periudha kohore sa do të zgjatë, varet prej dinamikës së punëve dhe investimit edhe pse dje na u ka prezantu investimi, vlera e këtij projekti do të kushtojë rreth 40 milion euro, kapaciteti i këtij liqeni kuptohet ka me shërbi për ujë të pijes për komunën e Suharekës, është dikun 13.1 milion metër kub ujë" , tha Visar Kuqi, drejtor i Urbanizmit në Suharekë.

Ndonëse është skeptike për realizimin e një projekti kaq të madh, opozita thotë se do ta japë kontributin në të mirë të qytetarëve.

"Kur është në pyetje interesi qytetar, nuk na intereson shumë se kush merr më shumë poena tek një projekt i tillë. Ideja e këti projekti është e hershme, nuk ka nevojë me u krekosë askush, të gjithë duhet t'i bëjmë gati kapacitetet tona që ky projekt të realizohet në afat sa më të shpejt dhe profesionalizëm sa më të madh, sepse është interes i të gjithë qytetarëve", tha Urim Suka- LDK-ja në Suharekë.

Ishte ministri Liburn Aliu, ai që publikoi disa detaje të këtij projekti, që financohet nga Ministria e Infrastrukturës.

Ai tha se diga është një nga 5 të rejat, që po punohet me intensitet të lartë. Ajo do të jetë 50 metra e lartë dhe mbi 500 metra e gjerë. Përveç furnizimit me ujë, Liqeni i Dragaqinës pritet ta rikthejë jetën në fshat përmes turizmit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat