Sot Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve – në Kosovë pritet me protesta dhe festë

Kosova

Sot Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve – në Kosovë pritet me protesta dhe festë

Më: 1 maj 2024 Në ora: 07:16
Foto ilustrim

Sot është Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve në Kosovë.

Rëndom, si vitet paraprake, edhe ky vit e gjen vendin me protesta e pakënaqësi nga punëtorët.

Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe Shkencës, proteston në shenjë pakënaqësie ndaj mësimdhënësve dhe punëtorëve të tjerë. Marshi nis nga Biblioteka Kombëtare për të vazhduar drejt Qeverisë.

Kjo protestë është paraparë të nisë në orën 10:30 dhe të zgjasë deri në orën 12:30.

Edhe Rinia Demokratike e Kosovës pritet të zhvillojë një aksion simbolik para Qeverisë së Kosovës në orën 10:00.

Gjithashtu, edhe Blloku Feminist Antikapitalist organizon marsh protestues për Ditën e Punëtorëve në orën 12:00.

Sindikatat, edhe në të kaluarën kanë kritikuar Qeverinë e Kosovës dhe Kuvendin e Kosovës, kryesisht për Ligjin për paga.

Ligji i Festave Zyrtare në Republikën e Kosovës përshinë njëmbëdhjetë festa zyrtare me dymbëdhjetë ditë pushim (dy ditë të Vitit të Ri, 1 dhe 2 janar).

Në mesin e këtyre festave, janë edhe: Dita e Kushtetutës së Republikës së Kosovës (9 prill); Dita e Punëtoreve (1 maj) dhe Dita e Evropës (9 maj).

Edhe punëtorët dhe sindikatat e tyre në çdo vend të botës sot protestojnë për të kërkuar të drejta dhe kushte më të mira pune.

1 Maji i parë lind në Paris në 1889-tën. Ideja u hodh gjatë Kongresit të Internacionales së dytë, të mbledhur në kryeqytetin francez. Objektivi i organizatës së krijuar nga hiri i organizatës së parë ishte ai i koordinimit të aktiviteteve të të gjitha partive kombëtare të lidhura me lëvizjen e punëtorëve. U vendos të realizohej një manifestim i madh për t’i kërkuar autoriteteve publike që të reduktonin ditën e punës në 8 orë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat