​Ekspozitë dedikuar Skënderbeut, qytetarët: Ai ishte një gjeni që tejkaloi përmasat e njerëzimit

Kosova

​Ekspozitë dedikuar Skënderbeut, qytetarët: Ai ishte një gjeni që tejkaloi përmasat e njerëzimit

Më: 6 maj 2024 Në ora: 14:54
Foto nga vendi i ngjarjes

Me rastin e datëlindjes së Gjergj Kastriotit-Skënderbeu, në sheshin e Prishtinës është organizuar një ekspozitë me piktura dhe skulptura të mbi 40 artistëve nga vende të ndryshme shqiptare.

Secili punim kishte veçantinë e tij, për çka folën edhe vetë krijuesit e tyre, duke treguar specifikat që i karakterizonin pikturat e tyre.

Ndërkaq, organizatori i grupit “Artisët për artistë”, i cili edhe organizoi këtë ekspozitë, Veton Gucia tha se artistët janë ata që e kanë mbajtur gjallë figurat historike, siç është edhe ajo e Skënderbeut.

Në ekspozitën e organizuar me iniciativë të shoqatës “Shqiptaria”, Gucia tha se mbi 40 artistë nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Lugina dhe Kosova po marrin pjesë me punimet e tyre për nder të ditëlindjes së Skënderbeut.

Gucia: Mbi 40 artistë po marrin pjesë me punimet e tyre në ekspozitë

"Pasi jemi dëgjuar me shoqatës shqiptaria për ta festuar ditëlindjen e Skënderbeut normal që artistët janë ata që e kanë shënuar figurën e Skënderbeut ndër vite dhe shekuj. Artisët gjithmonë ata që i kanë mbajtur gjallë figurat historike dhe normal që na ka takuar të bashkohemi përnjëherë...Do të kemi kalorësat, grupet folkloristike, muzikë popullore, argëtuese, poezi. kështu që besoj që do të jetë një festë e madhe...Përafërsisht janë mbi 40 artistë, punime ka më shumë, ka artistë të gjitha viseve shqiptare. Ka nga Shqipëria, nga Maqedonia, nga Mali i Zi, Lugina po ashtu edhe të Kosovës", tha Gucia.

Njëra ndër pikturat e ekspozuara ishte edhe ajo e piktores, Bija Jasiqi. Portreti i Skënderbeut pa “brinjtë e dhisë”, në përkrenaren e tij, por me kapelën e Romës dhe xhubletën mbretërore janë disa nga karakteristikat që e dallojnë këtë punim nga të tjerët. Jasiqi për KosovaPress tregoi se këtë imazh të Skënderbeut e kishte marrë nga një gazetar dhe piktor në Romë, ku e kishte realizuar sipas saj në kohën kur Skënderbeu kishte shkuar tek Papa për të kërkuar ndihmë .

Jasiqi: E kam pikturuar Skënderbeun pa brinjtë e dhisë

"Me çfarë po merrni pjesë sot në këtë ekspozitë? Me një pikturë të imazhit të Skënderbeut. E kam përzgjedh, një vjet pa vdekë ka qenë në Romë për të kërkuar ndihmë prej Papës dhe ka marrë gruan dhe djalin dhe katër kalorës. Aty një gazetar dhe piktor ka bërë portretin e tij me fllamastera. Prej atij e kam marrë dhe e kam realizuar në pikturë...Sa kohë iu deshën për ta realizuar? Ishte rreth pesë ditë. Çfarë ka të veçantë kjo pikturë? Nuk i ka brinjtë e dhisë, e ka kapelen e Romës dhe xhubleta ka qenë pak mbretërore, pra iu ka përshtatur vendit", tregoi Jasiqi.

Po ashtu, edhe dizajneri Milaim Janova mori pjesë në këtë ekspozitë me një pikturë. Janova tha se kjo datë është historike për të gjithë shqiptarët por edhe për artistët. Ai tregoi se punimi i portretit të Skënderbeut i mori kohë rreth katër ditë dhe se e bëri veçanërisht për ditën e lindjes së tij.

Janova: Është një datë historike për të gjithë shqiptarët por edhe për neve si artistë

"Është një datë historike për të gjithë shqiptarët por edhe për neve si artistë si piktorë. Ne marrim pjesë me një portret të Skënderbeut...Rëndësia është që figura e Skënderbeut, ai motivi është e para pse unë e kam bërë këtë portret, e dyta që është dita e Skënderbeut dhe më ka shtyrë ta bëjë këtë portret të Skënderbeut. Ka rëndësi diçka që edhe nuk mund ta imagjinojmë se çfarë atdhetari ka qenë për kombin shqiptar...Sa kohë iu ka marrur për ta realizuar këtë pikturë? Ka marrë kohë tre ditë deri në katër. Është punuar me ngjyra me akril dhe shihet ngjyra të larmishme i kam dhe vetë figurës, për shkak se ky ka qenë edhe shumë ngjyrësh për të gjitha llojet e nacionaliteteve", tha Janova.

Përveç qytetarëve të shumtë, këtë ekspozitë e vizitoi edhe kryetari i PartisëBalli Kombëtar Demokrat shqiptar, Nikollë Perkaj, për çka potencoi se ky organizim është i rëndësishëm që të rinjtë të njohin prej së afërmi figurën e Skënderbeut. Ai tha se kjo pikturat tregojnë shumë për figurën e Gjergj Kastriotit Skënderbeut.

Perkaj: Kjo ekspozitë është shumë e rëndësishme që rinia ta njohin figurën e Skënderbeut prej së afërmi

"Kjo (ekspozitë) është shumë e rëndësishme që rinia, qytetarët në përgjithësi ta njohin figurën e Skënderbeut prej së afërmi. Sepse figura, piktura fol shumë. Përveç pamjes portretet japin edhe një mesazh të karakterit njerëzor. Kështu që unë po shoh këtu mjaftë figura që janë shumë të fuqishme, që japin mesazh dhe një përshkrim të karakterit të Skënderbeut. Për mua është e rëndësishme, i vizitoi, i kam vizituar të gjitha vendet e rëndësishme ku ka qenë dhe ku ka luftuar Skënderbeu, kam qenë në Sin ku ka lindur...Është e rëndësishme, është edukatë për rininë, është mesazh që kë duhet marrë mbrapa rinia jonë", potencoi Perkaj.

Po ashtu, edhe qytetari Fetah Dragusha tha se punimet e ekspozuara janë mbresëlënëse, derisa potencoi se Skënderbeu është një gjeni që tejkaloi përmasat e njerëzimit.

Ai tha se me figurën e Skënderbeut janë marrë historianë e muzicientë të të gjitha kohërave.

Dragusha: Skënderbeu një gjeni që e tejkaloi përmasat e njerëzimit

"Me të madhin Skënderbe përpos që janë marrë historianë dhe muzicientë të kohës në të gjitha periudhat kohore që nga mesjeta janë marrë edhe piktorë të ndryshëm...Prandaj, kam dalur t'i shikoj këto portrete që janë të zhanreve të ndryshme. Sa po iu duken mbresëlënëse këto piktura? Shumë, për faktin jo vetëm për pikëpamjen artistike por për faktin se kujt iu kanë përkushtuar, të madhit Skënderbe, i cili një gjeni që e tejkaloi ato përmasat e njerëzimit”, tha Dragusha.

Ditëlindja e heroit po shënohet në Prishtinë me shumë aktivitete, ku edhe po kërkohet që kjo ditë të hyjë në ditët e festave kombëtare. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat