25 vjetori i “Epopesë së Çabratit”, familjarët e të vrarëve kujtojnë se çfarë ndodhi më 7 maj të 1999

Kosova

25 vjetori i “Epopesë së Çabratit”, familjarët e të vrarëve kujtojnë se çfarë ndodhi më 7 maj të 1999

Më: 7 maj 2024 Në ora: 20:16
Çabrati

Mire Binaku sot përkujtoi burrin e saj të vrarë në Çabrat të Gjakovës 25 vjet më parë.

Ajo rrëfen momentin kur iu vra burri nga forcat serbe.

“E kujtoj shumë me mall e me lodhje e me mërzi e gjithçka se atë ditë 30 burra na u kanë ndal më 7 maj, në ora 18:30 në mbrëmje. Njëherë i larguan prej shtëpive atëherë i ndalen. Edhe të gjithë janë të vrarë. Dy djemtë edhe ata i kanë ndal por deshti fati ata shpëtuan të dytë. Burrin ma vranë e krejt qita që janë qitu i vranë”, thotë gruaja e Sadri Binakut i vrarë nga forcat serbe.

Mire Binaku me lot në sy kujton fjalët dhe kërkesën që pati burri i saj në momentet e fundit.

“Momentet e fundit i mendoj, atë ditë që jena dal vetëm më ka thënë: Ec gruaja jem mos u mërzit kështu paska qenë e shkrume, edhe unë veç kom ec edhe nuk kam mujt me bërtit edhe djali m’ka thanë: Nana jem mos u ndal se në dorë të tyre kurrë skam me ra”, thotë ajo.

Të vështirë e ka këtë ditë edhe Blendi Luzha.

Atij ju vra baba dhe tre axhallarët.

Si një 14 vjeçar në atë kohë, ai kujton momentin kur serbët e ndanë nga babai.

“Unë kam qenë 14 vjeçar dhe e mbaj shumë mirë mend atë ditë. Gjatë luftimeve të 7 majit ka qenë një katrahurë që nuk përshkruhet me fjalë dhe jemi dalë gra e fëmijë, i kanë nda burrat prej grave neve na kanë liru. Pas një ore kanë hy i kanë pushkatu në dy grupe. Kryesori që është i kësaj masakre, përgjegjës i këtyre civilëve është Predrag Ristic me nofkën Pexha. Ai është bashkëpunëtor i Radoiçiqit”, thotë Luzha.

Për Blendin ishte e vështirë edhe momenti kur babai i tij, Florim Luzha ia kishte bërë me dorë duke nënkuptuar që ai të largohet nga aty.

“Veç e kam kthy kokën e kam parë dhe ma ka bërë baba me dorë dhe ec vazhdo tutje se e patëm na. Edhe na kemi vazhdu edhe deri në atë moment edhe më se kamë parë vetëm kur janë ardh eshtrat”, shprehet ai.

Në Gjakovë sot u bënë homazhe për 25 vjetorin e “Epopesë së Çabratit”, në të cilën për lirinë e Kosovës u flijuan dhjetëra dëshmorë e martirë të kombit.

Që nga ajo ditë, disa trupa ende nuk janë gjetur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat