Të rinjtë e komuniteteve jo-shumicë marrin përvoja si të mos bien pre e lajmeve të rreme

Kosova

Të rinjtë e komuniteteve jo-shumicë marrin përvoja si të mos bien pre e lajmeve të rreme

Më: 11 maj 2024 Në ora: 15:08
Foto nga vendi i ngjarjes

“Hashim Thaçi ka ardhur në Kosovë”, “Ushtria serbe do të hyjë në territorin e vendit tonë”, “Në Kosovë është përhapur lija e majmunëve”, “Mjalti shëron kancerin”, janë disa nga informacionet e rreme që nxënësit e komunitetit jo-shumicë të shkollës fillore “Gëzim Hamza Piktori”, në Rahovec kanë hasur në media dhe rrjete sociale. Ata tregojnë raste kur kanë lexuar lajme të tilla në media të ndryshme, të cilave iu kanë besuar dhe që kanë shkaktuar frikë.

Në mënyrë që fëmijët nga komunitetet rom, ashkalinj dhe egjiptian të mësojnë përvoja se si të mos bien pre e lajmeve të rreme dhe ta zhvillojnë mendimin kritik, sot u mbajt një trajnim për edukimin mediatik.

“Click-bait” si fenomen në rritje për “të tërhequr” vëmendjen e lexuesve, ishte temë e këtij trajnimi, ku nxënësit e komuniteteve jo-shumicë morën udhëzime e përvoja si të përballen dhe t’i dallojnë përmbajtjet e rreme.

Nxënësi në klasën e shtatë nga komuniteti ashkali, Muhamet Krasniqi ka treguar përvojën e tij, duke përmendur si shembull një lajm ku thuhej kinse ushtria serbe do të hyjë në Kosovë.

Krasniqi thotë se gjatë trajnimit kanë mësuar gjëra të reja, derisa potencoi se ka nevojë për më shumë trajnime të tilla, pasi ato janë shumë të dobishme për dallimin e përmbajtjeve të vërteta dhe atyre të pavërteta.

Krasniqi: Kam lexuar lajme të rreme për Hashim Thaçin e ushtrinë serbe në Kosovë

“Në media e kam lexuar një lajm të rremë kinse Hashim Thaçi ka ardhur në Kosovë, por në fakt ai është në burg. E kam lexuar një lajm të rremë se ushtria serbe do të vijë në Kosovë për luftë. Sot në trajnim kemi mësuar shumë gjëra të reja për rrjetet sociale, lajmet e rreme dhe kam dëshirë të kemi më shumë trajnime si ky”, tha Krasniqi.

Nxënësi nga po i njëjti komunitet, Omer Krasniqi tregon rastin e lajmit të rremë sipas të cilit presidenti amerikan Donald Trump “kishte në plan” t’ia ndryshojë emrin Kosovës në Dardani.

Krasniqi: Trump do t’ia lë emrin Kosovës Dardani, doli i rremë

“E kam lexuar një lajm që Donald Trump do t’ia lë Kosovës emrin Dardani. E kam lexuar edhe një lajm të rremë se (Lionel) Messi dëshiron ta nxjerrë nga burgu Ronaldinjon”, tha Krasniqi.

Në lajme të pavërteta ka hasur edhe nxënësi nga komuniteti ashkalinj Ferdi Gashi. Ai tregon se kishte lexuar se kinse mjekët mund ta shërojnë sëmundjen e migrenës brenda ditës.

Gashi: Kam parë se mjalti mund ta shërojë kancerin

“E kam lexuar një lajm të rremë në media se (një mjek) mund ta shërojë migrenën për një ditë. Kjo është një gënjeshtër, s’mundet një mjek ta shërojë migrenën për një ditë. Në rrjete sociale e kam parë një video duke qarkulluar në Tik-Tok dhe ishte lajmi që mjalti mund ta shërojë sëmundjen e kancerit”, tha Gashi.

Nxënësja tjetër nga komuniteti ashkalinj Violeta Hyseni tregon përvojën e saj kinse në Kosovë janë paraqitur shumë raste të shkaktuara nga “lija e majmunëve”.

Hyseni: Lija e majmunëve në Kosovë, lajm i rremë që shkaktoi frikë tek unë

“E kam lexuar se (në Kosovë) ka ardhur një sëmundje e majmunëve, e jemi frikësuar mos po na bie edhe neve”, tregoi Hyseni.

Mbi rëndësinë e luftimit të lajmeve të rreme dhe ngritjen e vetëdijes për të mos rënë pre e tyre trajnuesja Linda Baleta thotë se mësime dhe udhëzime të tilla janë më se të nevojshme dhe të dobishme për të rinjtë, pasi iu ndihmon të rinjve të komuniteteve jo shumicë që të zhvillojnë mendimin kritik dhe njëherësh të përfitojnë njohuri të reja si t’i dallojnë ato.

Baleta: Edukimi medial ndihmon të rinjtë ta zhvillojnë mendimin kritik

“Trajnimi për edukimin mediatik si ky sot në Rahovec janë shumë të nevojshme dhe të dobishme për të rinjtë e moshës adoleshente, sepse i pajis ata me mjete, me mënyra se si ta zhvillojnë të menduarit kritik që i ndihmon ta vlerësojnë informacionin me të cilin janë të rrethuar në çdo moment të ditës së tyre, si dhe të dinë të jenë konsumatorë të përgjegjshëm të lajmeve, informacioneve dhe të dinë si të navigojnë me përgjegjësi botën digjitale”, tha Baleta.

Projekti “Edukimi mediatik kundër dezinformimit për komunitetet jo-shumicë në Kosovë”, mbështetet nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat