​Rahoveci nderon dëshmorët, Latifi: 12 maji i vitit 1998 ishte i veçantë, serbët ikën të hutuar

Kosova

​Rahoveci nderon dëshmorët, Latifi: 12 maji i vitit 1998 ishte i veçantë, serbët ikën të hutuar

Më: 12 maj 2024 Në ora: 17:19
Foto ilustrim

Në nderim të Betejës së Anadrinit të 12 majit 1998, sot Rahoveci ka nderuar dëshmorët e kësaj komune që ranë në luftën e lavdishme të UÇK-së për lirinë e Kosovës.

Më 12 maj 1998, krisi fort dhe jehoi thekshëm gjithandej pushka e parë çlirimtare në Anadrini kundër pushtuesit serb, ku forcat serbe pushtuese serbe u detyruan të tërhiqen me humbje.

Në manifestimin qendror për shënimin e Javës së Dëshmorëve të komunën së Rahovecit në Gradishë u lexuan emrat e 126 dëshmorëve të komunës së Rahovecit.

Kryetari i komunës, Smajl Latifi në fjalën e tij ka shprehur mirënjohjen e tij të thellë për veprën atdhetare të heronjve të atdheut. Ai tha se beteja e Anadrinit ishte pjesë e luftës së madhe nën emblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila me vendosmëri i doli përballë pushtuesit serb.

Latifi: Dëshmorët do të përkujtohen për jetë e mot

“Dihet se jo të gjithë njerëzit e zakonshëm e kanë një dije më të konsoliduar dhe një qasje më vizionare për ngjarjet e mëdha sikurse është lufta jonë çlirimtare dhe nën emblemën e UÇK-së... Kombi shqiptar hyri në arenën e madhe të historisë botërore duke organizuar luftë për çlirimin e trojeve të pushtuara nga sllavët. Ata që u vunë në krye të kësaj ngjarjeje të madhe historike ishin të vetëdijshëm për rreziqet e dështimit dhe të humbjes, mirëpo e dinin se rrugë tjetër për arritjen e lirisë nuk kishte. Këtë vetëdije e kishin edhe shumë prej atyre që ranë në fushë të nderit dhe ne sot i nderojmë dhe i kujtojmë me respekt dhe do t’i përkujtojmë për jetë e mot”, ka thënë Latifi.

Ai tha se beteja e Anadrinisë ndikoi në ecurinë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duke i dhënë goditjen e duhur armikut serb.

Latifi: 12 maji i vitit 1998 ishte i veçantë, serbët ikën të hutuar

“12 maji i vitit 1998 ishte i veçantë ngase këtu jetuan krismat e lirisë dhe shqiptarëve iu rikthyen shpresa e vrarë se një ditë do të jetonin të lirë edhe ne. Djemtë e Anadrinisë kishte kohë që po përgatiteshin për ditën e madhe dhe mësyerja e serbëve drejt Drenocit e Zatriqit nuk u realizua ashtu sikurse ata kishin planifikuar... Ata (serbët) të hutuar u detyruan të ikin me nxitim. Vendosja nën kontroll e kësaj hapësire gjeografike kishte rëndësi të madhe për vazhdimin e luftës ngase nëpër këtë arterie qarkullonte gjaku i lirisë. Armët e municionet që silleshin të bartura në shpinë nga burrat e djemtë e bijat entuziastë nga vise të ndryshme shqiptare”, ka thënë Latifi.

Një fjalë rasti në këtë manifestim ish-komandanti i Zonës Operative të Dukagjinit, njëherësh kryetar i AAK-së Ramush Haradinaj.

Haradinaj: Rahoveci ndihmoi Kosovën në luftën për liri

“Është e vërtetë se Rahoveci e ka dëshmuar veten dhe ka ndihmuar kombin, i ka ndihmuar Kosovë në kohë më të vështira, në kohën e luftës për liri. Bijtë e juaj kanë bërë aq shumë kontribut për liri dhe, edhe historianët nuk do ta kenë lehtë për të treguar... Rahoveci ka arsye të mbajë kokën lart dhe t’iu tregojë shqiptarëve kudo që janë se kemi ditur detyrën dhe e kemi bërë”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka folur edhe rreth rëndësisë së anëtarësimit të Kosovës në organizatën më të fuqishme ushtarake botërore, duke thënë se hyrja nën ombrellën e NATO-s ka rëndësi jetike për sigurinë e vendit.

Haradinaj: Shqiptarët të bashkohen me NATO-n e Amerikën

“Nuk do ta kishim ndalur luftën me kurrfarë çmimi, por është shumë mirë që na ka ndihmuar NATO dhe Amerika dhe kemi nevojë për ta. Bota është e ndarë, ju e dini që ne jemi shqiptarë. Neve na ka rrezikuar serbi, ka edhe tjerë, edhe Rusia. Amerika është e kundërta e tyre. Nëse ne kemi dikë që ne duhet të bëhemi bashkë me të, ajo është Amerika, aleatët e tyre. Nëse mbahemi me Amerikën dhe nëse hyjmë në NATO, ne jemi më të sigurt. Më mirë është të hyjmë në NATO, aty i kemi shqiptarët tanë, i kemi shqiptarët e Shqipërisë, të Malit të Zi dhe edhe të Maqedonisë së Veriut. Nëse bëhemi bashkë me NATO-n, por edhe në Evropë ndonjëherë, por nën NATO-n, kjo i bie që Luani, nipi që është ushtar bëhet bashkë me një Luan të Shqipërisë, Maqedonisë, Malit të Zi”, ka thënë Haradinaj.

Në këtë manifestim një fjalë rasti mbajti edhe Isuf Gashi, protagonist i luftës çlirimtare, i cili përkujtoi zhvillimet e rëndësishme të asaj kohe në përballje me forcat okupatore serbe.

Manifestimi përkujtimor e kulturor “Java e dëshmorëve” në komunën e Rahovecit përmbyllet nesër me natën e tretë finale të edicionit të 23-të të festivalit kombëtar të folklorit "Anadrinia jehon". 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat