MI: Punimet në rrugën Prishtinë-Podujevë po shkojnë sipas planit

Kosova

MI: Punimet në rrugën Prishtinë-Podujevë po shkojnë sipas planit

Më: 12 maj 2024 Në ora: 23:24
Foto ilustrim

Zgjerimi i magjistrales Prishtinë-Podujevë po zhvillohet sipas projektit. Ata që e frekuentojnë këtë rrugë kanë kritika për punime të ngadalta, por nga Ministria e Infrastrukturës thonë se punimet po kryhen në të gjitha segmentet.

Projekti për ndërtimin e rrugës regjionale Prishtinë-Podujevë po vazhdon, por ky proces po mirëpritet dhe kritikohet nga ata që aktualisht e frekuentojnë këtë rrugë.

“Proceset e punës nuk janë tu shku mirë si përpara, para 3 ose 4 muajve kanë shkuar shumë shpejtë tash kanë stagnu sepse nuk po kanë punëtorë”, deklaroi një qytetarë.

“Sa i përket kompanisë nuk ka vërejtje. Kompania e cila është duke punuar është me një kapacitet të duhur”, deklaroi një banor.

Njëri nga inxhinierët e një kompanie që po punon në njërin segment të rrugës, thotë se punimet po vazhdojnë sipas planit.

”Ne tash jemi në segmentin 1 kilometër e 300, anën e djathtë të rrugës Prishtinë-Podujevë, duke rinovuar për të asfaltuar sa më parë. Për momentin jemi shumë të kënaqur përveç kushteve atmosferike  që ndonjëherë na pengojmë. Ne mendojmë që dy shirita me i asfaltu deri në ardhjen e mërgimtarëve”, deklaroi  Izet Jetullahu, inxhinier i Kompanisë 2A Group.

Ministra e Infrastrukturës hodhi poshtë informacionet për zvarritje të punimeve në një segment të rrugës.

”Në të gjitha Lotet per zgjerimin e rrugës Nacionale N25, është duke u punuar. Ndërsa në Lotin 5 ku punët ndërtimore te rrethrrotullimi "Qershitë e Llapashticis" kanë përfunduar dhe ka mbet të vendoset sinjalizimi vertikal dhe ndriçimi. Punët në të gjitha lotet janë duke u zhvilluar konform kushteve të kontratës dhe me dinamikën e paraparë”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

38 milionë euro janë ndarë për përfundimin e kësaj rruge nacionale, punimet e të cilës kanë rinisur para 10 muajve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat