CorrWatch: Procesi i rekrutimit për pozitën e drejtorit të AAC-së karakterizohet me shkelje, të rishqyrtohet ky proces

Kosova

CorrWatch: Procesi i rekrutimit për pozitën e drejtorit të AAC-së karakterizohet me shkelje, të rishqyrtohet ky proces

Më: 15 maj 2024 Në ora: 11:46
CorrWatch

Organizatat nga shoqëria civile konsiderojnë se procesi i rekrutimit për pozitën e drejtorit të Përgjithshëm të Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës (AAC), përkatësisht faza e verifikimit paraprak, është karakterizuar me shkelje, dhe ‘si pasojë e njëjta duhet rishqyrtuar’.

Iniciativa CorrWatch, përbërë nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Instituti GAP dhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), në kuadër të projektit "Mbështetje për Shoqërinë Civile për të Rritur Mbikëqyrjen Publike dhe Llogaridhënien e Institucioneve Publike të Kosovës", gjatë monitorimit të fazës së verifikimit paraprak për këtë proces rekrutues, ka evidentuar shkelje të Ligjit për Zyrtarët Publik.

“Më saktë, AAC ka vendosur në listën e ngushtë kandidatë që nuk kanë plotësuar kriteret ligjore (kriteret e përgjithshme)1 të cilat janë të përcaktuara me këtë ligj, me theks të veçantë në kërkesat ligjore lidhur me përvojën e punës që kërkohet për pozita të tilla të nivelit të lartë. Ndonëse në listën aktuale të publikuar nga AAC nga rezultatet e verifikimit paraprak janë 7 kandidatë të listuar, CorrWatch konsideron që vetëm 4 nga kandidatët plotësojnë në tërësi kriteret e përgjithshme ligjore”, thuhet në reagim.

Më tej thuhet se nisur nga ky fakt, CorrWatch konsideron që lista e ngushtë e publikuar nuk është valide dhe duhet rishqyrtuar nga AAC, në mënyrë që të sigurohet një proces i rregullt dhe në pajtim me kriteret dhe procedurat ligjore. CorrWatch konsideron që procedimi i mëtutjeshëm pa u trajtuar kjo çështje paraqet shkelje serioze të ligjit.

“CorrWatch ka ngritur këto shqetësime tek AAC dhe ka rekomanduar rishqyrtimin e procesit për shkak të shkeljeve ligjore të identifikuara. Edhe pas kësaj, institucioni në fjalë ka vazhduar tutje me procesin e rekrutimit, duke shkelur ligjin dhe duke legjitimuar një proces jo ligjor. Edhe njëherë, CorrWatch i bënë thirrje institucionit në fjalë dhe të gjitha hallkave të tjera përgjegjëse që të reflektojnë mbi këtë proces, dhe rrjedhimisht, ta rishikojnë këtë fazë të procesit”, thuhet në komunikatë e Iniciativa CorrWatch.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat