Projektligji për Rini dhe ai për Sport, janë të përballueshme dhe se nuk parashohin implikime shtesë buxhetore. Kështu ka deklaruar ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati para anëtarëve të Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere.
Murati tha se synojnë të kërkojnë nga ministritë përkatëse që të gjejnë hapësirën buxhetore.
“Projektligji për Rini, nëse nuk ka pasur amendamente, diskrepranca, në tri vitet e ardhshme do të ndahen 480 mijë euro në kuadër të procesit buxhetor. Sigurohemi ose mbulohemi ose kërkojmë nga ministritë përkatëse të gjejnë hapësirën buxhetore brenda për brenda ministrive. Sa i përket pozitave shtesë është e përballueshme dhe nuk paraqet ndonjë problem”, tha Murati.
“Projektligji për Sport rreth 2.3 milionë euro është diskrepranca dhe konsideroj që është e përballueshme dhe nuk paraqet ndonjë problem sa i përket hapësirës fiskale”, ka shtuar ministri Murati.
Në këtë komision është miratuar edhe Projektligji për Bankat, veçse aty paraqiti vërejtjet e tij deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti.
“Vërejtjet kryesore tona në sistemin financiar janë dy probleme të mikrofinancave me ato normat e larta të interesit që nuk kemi mundur me i adresu edhe kompanitë e sigurimit. Fokusi juaj do duhet të ishte në këtë pjesë, me i rregullu sektorin bankar, sigurimeve dhe mikrofinancave”, u shpreh Hoti.
Ndërsa ministri Murati tha se me këtë projektligj do të ketë sistem të qëndrueshëm financiar.
“Projektligji për Bankat parasheh shume ndryshime qe konsideroj që përmirëson ambientin, zhvillimin e veprimtarisë dhe të kemi sistem të qëndrueshëm bankar”, tha Murati.