​Muharremaj: Suhareka po bën histori në sport, titulli nuk lëvizë nga këtu së paku edhe për tri vjet

Kosova

​Muharremaj: Suhareka po bën histori në sport, titulli nuk lëvizë nga këtu së paku edhe për tri vjet

Më: 25 maj 2024 Në ora: 13:24
Bali Muharremaj

Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj është shprehur jashtëzakonisht i lumtur me suksesin që klubet sportive të kësaj komune po i arrijnë në kampionatet vendore, sidomos në futboll dhe basketboll.

Ballkani është shpallur kampion i Kosovës, ndërsa ka fituar edhe Kupën e Kosovës, ndërsa Fc Suhareka ka siguruar tashmë inkuadrimin në Superligë, derisa Klubi i Basketbollit Ylli ishte deri në finale për titullin e kampionit.

Muharremaj: Suhareka po shkruan histori në sport

“Mua po më duket që në këtë vit në Komunën e Suharekës po shënohet një histori që nuk ka ndodhur asnjëherë, do të thotë të gjitha klubet edhe të futbollit edhe të basketbollit edhe të volejbollit kanë pasur suksese...Arriti që Ballkani t’i këtë vit dy kupat, kemi edhe klubin Fc Suhareka, Klubin e Futbollit që ka kaluar në Superligë, do të thotë Suhareka një komunë e mesme në vjeshtë, garon për Superligë dy ekipe të Suharekës”, thotë fillimisht Muharremaj.

Ai ka ofruar mbështetjen e tij dhe të komunës që drejton për të gjitha klubet sportive në Suharekë.

Muharremaj: Jemi pranë klubeve për t’i mbështetur edhe financiarisht

“Unë kam bashkëpunim me të gjitha klubet, jam kryetar i të gjithëve, mundohem t’i përkrahi të gjitha, duke mos bërë dallime, por kuptohet jam pranë tyre vazhdimisht, së paku me përkrahje morale, por nganjëherë kur kemi mundësi shkojmë edhe me financa përmes Asamblesë Komunale dhe përmes komisioneve që shpallin subvencione...Dëshira jonë për t’i mbështetur dhe qëllimi kryesor ne si Komunë e Suharekës t’i edukojmë të rinjtë nga kultura nga sporti, t’i largojmë nga dukuritë negative. Është një gjë e mirë që vazhdimisht të shtunën dhe të dielën ka aktivitete sportive, mbushen stadiumet dhe është një atmosferë e mirë”, vijoi më tutje Muharremaj.

Duke folur për KosovaPress, Muharremaj ka bërë të ditur se janë në bisedime më Ministrinë e Sportit për ndërtimin e stadiumit të ri që pritet t’i ketë 9 mijë e 800 ulëse.

Muharremaj: Po presim nisjen e punimeve për stadiumin e ri

“Ne një marrëveshje e kemi kryer me Ministrinë e Kulturës dhe Sportit për një stadium në qytetin e Suharekës pasi që ky nuk i plotëson kushtet as për së afërmi. Ju e dini që kemi diku edhe shkollën e futbollit që 300 të rinj ushtrojnë aty, nuk kemi kushte, plus që tani i kemi dy ekipe në Superligë, por si do që të jetë ne e kemi bërë një marrëveshje, një memorandum bashkëpunimi me Ministrinë e Kulturës, projekti është duke u bërë dhe kështu që jemi marrë vesh që ta kemi një stadium me 6 mijë ulëse, ne jemi në bisedime me komisionin qeveritar që t’i kemi së paku 9 mijë e 800 ulëse, po presim, unë besoj që do të kemi të mira pozitive pasi që duhet të jetë një stadium që të luhen edhe ndeshjet që kanë nevojë edhe Prizreni edhe Rahoveci që janë pjesë e regjionit të Prizrenit ta kenë një stadium më të madh me standardet dhe kushtet e FIFA-së. E kemi caktuar lokacionin, e kemi caktuar me plan zhvillimore dhe me harta zonale, kemi 15 hektarë për fusha sportive dhe tani po presim projektin dhe fillimin e punimeve”, nënvizoi Muharremaj.

Ai ka paralajmëruar klubet e futbollit se me këtë trend, të mos shpresojnë tek titulli i kampionit pasi ai do të mbetet së paku edhe për tri vitet e ardhshme në qytetin e Suharekës.

Muharremaj: Së paku edhe tri vitet të tjera Suhareka do ta ketë kampionin e Superligës

“Ne hera e dytë që kemi marrë pjesë në garat evropiane, ju e dini, vitin e parë më pak, vitin e dytë më shumë, këtë vit pretendojmë edhe më shumë të shkojmë më larg. Duke e falënderuar klubin e Ballkanit, futbolli i Kosovës është ngritur në rangun e shteteve dhe kjo është e mirë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, jo vetëm për Suharekën...(04:50..) Unë besoj që ky trend vazhdon edhe vitin e ardhshëm, edhe më tutje pretendojmë së paku edhe tri vite të jemi kampion në Superligë”, tha në fund Muharremaj.

Ndryshe, titulli i kampionit të Kosovës në futboll për të tretin vit radhazi ka përfunduar në duart e skuadrës së Ballkanit që udhëhiqet nga trajneri shqiptar, Ilir Daja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat