Gjashtë raste të dhunës në familje, pesë nga të dyshuarit dërgohen në mbajtje

Kronikë e zezë

Gjashtë raste të dhunës në familje, pesë nga të dyshuarit dërgohen në mbajtje

Më: 29 mars 2024 Në ora: 10:18
Ilustrim

Të paktën gjashtë raste të dhunës në familje janë regjistruar në raportin e fundit 24-orësh të Policisë.

Dy prej rasteve kanë ndodhur të enjten në Fushë-Kosovë. Në njërin prej tyre thuhet se i dyshuari ka sulmuar dy anëtarë të familjes, të cilëve u është ofruar trajtim mjekësor dhe urdhër mbrojtës, ndërsa i dyshuari, që sipas familjarëve vuan nga probleme mendore, me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Në mbajtje është dërguar edhe i dyshuari për rastin e dytë, i cili nën ndikim të alkoolit, ka sulmuar dy anëtare të familjes pas një mosmarrëveshje familjare.

Viktimat kanë pranuar trajtim mjekësor.

Një tjetër i arrestuar në Lipjan dyshohet se ka tentuar ta largojë me dhunë familjaren e tij nga shtëpia.

Palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Për rastin e raportuar në Prizren thuhet se i dyshuari që posedon nënshtetësi gjermane, ushtron në vazhdimësi dhunë ndaj dy burrave dhe dy grave, anëtarë të familjes.

“Viktimat kanë pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet më tej në njoftimin e Policisë.

Në rastin e raportuar në Klinë, thuhet se një person dyshohet se e ka sulmuar fizikisht një grua, e cila ka pranuar trajtim mjekësor.

I dyshuari pas intervistimit, me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Një rast i raportuar të mërkurën pasdite në Rahovec, tregon për një person të dyshuar për dhunë psikike dhe fizike ndaj një familjare pas një mosmarrëveshjeje në familje.

Palët janë intervistuar dhe me vendim prokurorit, janë liruar në procedurë të rregullt.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat