Plagosja dhe tentim vjedhja në stallën e familjes Krasniqi në Podujevë, hajnat e qëlluan dy herë pronarin

Kronikë e zezë

Plagosja dhe tentim vjedhja në stallën e familjes Krasniqi në Podujevë, hajnat e qëlluan dy herë pronarin

Më: 14 prill 2024 Në ora: 18:25
Foto ilustrim

Një dukuri e shpeshtë që po terrorizon blegtorët në vende të ndryshme në Kosovë dhe që është shndërruar në shqetësim janë vjedhjet e bagëtive. Kështu ka ndodhur të shtunën në fshatin Majac të Podujevës, ku hajnat ia kanë mësyrë stallës së bagëtive në oborrin e familjes Krasniqi.

Këtë herë, incidenti përfundoi me plagosje, pasi kryefamiljari u qëllua nga hajnat e dyshuar, të cilët i kapi në flagrancë duke tentuar t’i vjedhin disa lopë.

Sinjali ka mësuar se I.Krasniqi, 43-vjeçar u plagos nga të dyshuarit, që gjuajtën dy herë në drejtim të tij, duke i shkaktuar plagë në stomak dhe më pas arritën të ikin.

Viktima ka marrë trajtim mjekësor dhe fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetë, ndërkohë që ka dhënë edhe deklaratën e tij para hetuesve policorë.

Në vendin e ngjarjes, në cilësi të provave materiale, Policia ka gjetur dhe konfiskuar dy gëzhoja të armës së zjarrit, teksa të dyshuarit akoma s’janë identifikuar.

Lajmin e ka konfirmuar edhe Policia Rajonale në Prishtinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat