Kosovarët jo rrallëherë japin shuma të majme parash për të kryer shërbime të ndryshme, që më vonë rezultojnë të jenë vetëm mashtrimi. Pre e një rasti të tillë kanë rënë edhe dy persona në Lipjan, të cilët kanë vendosur ta denoncojnë rastin në Polici.
Si rezultat i raportimit, një person është arrestuar të mërkurën dhe tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor.
Media mëson se sipas informacioneve të para, personi që u prangos po dyshohet se ka marrë rreth 10 mijë euro nga dy viktimat, para një kohë dhe që dyshohet se i mashtroi më pas.
Viktimat e rastit kanë vendosur që ta njoftojnë Policinë dhe si rezultat, është siguruar prezenca e të dyshuarit, i cili po ashtu ka dhënë deklaratën e tij.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i dyshuari ka deklaruar para hetuesve policorë se gjoja se edhe ai është mashtruar nga një person nga Maqedonia e Veriut dhe se s’ka pasur asnjë qëllim ndaj dy viktimave.
Pas përfundimit të procedurave Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që i dyshuari të dërgohet në mbajtje.
Ndaj tij, është iniciuar rasti në drejtim të veprës penale “Mashtrim”.