I riu kapet me armë zjarri dhe thikë në veturë, arrestohet dhe përfundon në ndalim policor

Kronikë e zezë

I riu kapet me armë zjarri dhe thikë në veturë, arrestohet dhe përfundon në ndalim policor

Më: 22 prill 2024 Në ora: 07:50
Foto ilustrim

Posedimi i armëve të zjarrit është shndërruar në një dukuri negative, pasi që përpos që është e kundërligjshme, po cenohet edhe siguria e qytetarëve. Policia vazhdimisht gjatë kontrolleve has në persona, kryesisht të rinj që posedojnë armë dhe sillen lirshëm me to.

Një rast i tillë është zbuluar së fundmi në rrugën “Xheladin Hana” në Prishtinë, teksa Policia po patrullonte dhe ndaloi për kontroll një veturë pasi po lëvizte në mënyrë të rrezikshme.

Media mëson se gjatë kontrollit policor, Policia ka gjetur një armë zjarri dhe një mjet i mprehtë, që i dyshuari i mbante pa autorizim.

Dy armët janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale, ndërsa i dyshuari është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar nga hetuesit policorë lidhur me rastin.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin e të dyshuarit dhe inicimin e rastit nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’.

Ndryshe, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) Euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat