Jo rrallëherë hajnat ua mësyjnë edhe institucioneve arsimore, shkollave fillore e të mesme në Kosovë, ku arrijnë të vjedhin pajisje të ndryshme, duke shkaktuar dëme të mëdha. Dy raste të tilla që dyshohet se kanë ndodhur në dy shkolla të Lipjanit janë denoncuar ditët e fundit.
Një grup prej tre personash janë futur në shkollën e mesme “Adem Gllavica” në Lipjan, në pikë të ditës, ku dyshohet se kanë arritur të kryejnë vjedhje.
Media mëson se rasti u denoncua nga menaxhmenti dhe si rezultat, intervenoi Policia në vendin e ngjarjes.
Tashmë janë siguruar pamjet e kamerave të sigurisë, teksa ende nuk janë identifikuar personat e dyshuar.
Sipas të njëjtave burime kanë bërë me dije se një rast i tillë është denoncuar të ketë ndodhur edhe në shkollën fillore “Ismail Luma” në fshatin Jeta e Re në Lipjan.
Të dyshuarit kanë arritur që të futen brenda shkollës me forcë, por që ende nuk është konfirmuar se çfarë është vjedhur.
Në të dyja rastet, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e hetimit dhe ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore.