Nuk janë të rralla rastet kur zyrtarët policorë ballafaqohen me kërcënime serioze gjatë kryerjes së detyrave zyrtareve, duke ua vështirësuar kështu punën e madje duke ua kërcënuar edhe jetën. Në shumicën e këtyre incidenteve, motivi lidhet me punën e tyre.
Cak i kërcënimit së fundmi ka qenë edhe një zyrtar policor në Vushtrri, i cili është kanosur nga një person në sheshin “Hasan Prishtina”.
I riu që po dyshohet për këtë rast fillimisht e ka sharë e ofenduar, e më pas edhe e ka kërcënuar policin.
Media ka mësuar se i dyshuari që përfundoi në ndalim policor për këtë rast është Art Ahmeti, rreth 23-vjeçar, i cili po hetohet nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Kanosja”.
Lajmin e ka konfirmuar edhe Policia Rajonale në Mitrovicë.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, për shkak se e kishte kanosur zyrtarin policor, derisa ka qenë në kryerje të detyrës. I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.”