Mbrëmjen e sotme, një person në Ferizaj është lënduar në një vendpunishte derisa po e shkarkonte dheun nga kamioni.
Zëdhënësi i Policisë, Kanun Veseli, tha se mbi 39-vjeçarin ka rënë një sasi e dheut, duke ia ngujuar këmbën.
I lënduari është nxjerrë nga zjarrfikësit nga vendi i ngjarjes dhe është dërguar në Emergjencën e Ferizajt për ndihmë mjekësore.
“Rreth orës 16:30 kemi pranuar një informatë se në rrugën ‘Reçaku’ në Ferizaj është një rast i lëndimit trupor të një personi në një vendpunishte.
Ndërsa është mësuar se deri sa personi, mashkull i moshës 39-vjeçar, shofer i një kamionit ishte duke shkarkuar dheun, dyshohet se nga pakujdesia kishte zbritur në tokë dhe për një moment i rrëshqet kamioni me rimorkio dhe një sasi e dheut bie mbi shoferin duke e ngujuar një pjesë të trupit të tij (këmbët). Në vendin e ngjarjes kanë dalë hetuesit e stacionit të Ferizaj si dhe inspektorët e punës, ndërsa për të gjitha veprimet e njësive në vendin e ngjarjes është njoftuar prokurori i shtetit”, ka njoftuar Veseli.