Abuzimi me substanca narkotike nga të rinjtë mbetet një shqetësim i madh në shoqërinë kosovare. Varësia nga droga sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues e shpërndarës të narkotikëve.
Një rast i tillë është zbuluar nga Njësiti patrullues i Policisë Kufitare në fshatin Pogragjë të Gjilanit, ku gjatë patrullimit në një pikë kontrolli, ka ndalur një veturë, ku u gjet drogë.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i riu që përfundoi në ndalim policor, nën dyshimet për këtë rast është Hamez Arifi, rreth 23-vjeçar.
I riu është kapur në flagrancë me një sasi të substancëa narkotike, të llojit marihuanë.
Për shkak të posedimit të drogës, i dyshuari është shoqëruar në stacionin policor, ku është intervistuar nga hetuesit policorë për veprën për të cilën ngarkohet.
Me urdhër të prokurorit, ndaj tij është iniciuar rasti për veprën penale ‘Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’ dhe i njëjti është dërguar në ndalim policor për 48 orë.