Incidentet në lokale të ndryshme, sidomos në ato që frekuentohen edhe pas mesnate janë goxha të shpeshta në vendin tonë.
Kërcënime, përleshje e të shtëna me armë janë disa nga këto raste që jo rrallëherë përfundojnë edhe me të plagosur, e madje edhe tragjikisht.
Kështu ndodhi edhe sot në orët e para të mëngjesit, në lokalin me muzikë live “Meti” në fshatin Zajm të Klinës, ku u dëgjuan të shtëna me armë.
Një person po dyshohet se ka gjuajtur disa herë me armë jashtë lokalit, për motive akoma të panjohura.
Në bazë të informacioneve të para, i dyshuari pasi ka shkrepur armën e zjarrit është larguar nga lokali.
Rasti është denoncuar në Polici dhe si rezultat njësitë përkatëse kanë intervenuar, si dhe kanë kryer ekzaminimet e nevojshme.
Lidhur me incidentin, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit, identifikimin dhe ndalimin e personit të dyshuar.