Rrahja dhe grabitja e 42-vjeçarit në motel, dy nga personat e arrestuar janë burrë e grua

Kronikë e zezë

Rrahja dhe grabitja e 42-vjeçarit në motel, dy nga personat e arrestuar janë burrë e grua

Më: 21 maj 2024 Në ora: 07:39
Foto ilustrim

Të hënën u raportua për arrestimin e tre personave të dyshuar për grabitjen që ndodhi në muajin mars në motelin ‘Villa X’ në Fushë Kosovë, ku tre persona po dyshohet se bashkëvepruan për ta dërguar një 42-vjeçar në motel dhe për t’ia plaçkitur paratë.

Lajmin e ka konfirmuar edhe Policia Rajonale në Prishtinë, ndërsa dje u publikuan edhe emrat e tre të dyshuarve, Ardian Huseni (32), Rilind Maliqi (32) dhe M.Thaqi (24), që janë cak i hetimit.

Kjo e fundit është liruar, ndërsa për dy të dyshuarit e tjerë, është lëshuar urdhër për ndalim policor.

Mësohet se i dyshuari Maliqi dhe e dyshuara Thaqi janë burrë e grua, që u përfshinë në këto veprime të kundërligjshme.

“Më 19.05.2024 janë arrestuar tre të dyshuar, dy meshkuj dhe një femër kosovare pasi të njëjtit e kishin sulmuar fizikisht viktimën dhe i kishin grabitur një telefon dhe para të gatshme. Me vendim të prokurorit, dy të dyshuarit meshkuj janë dërguar në mbajtje, kurse e dyshuara femër është liruar në procedurë të rregullt.” – ka njoftuar Policia.

Tre të arrestuarit po dyshohet se e kanë planifikuar që ta grabisin 42-vjeçarin, të cilin fillimisht e çuan në motel.

Bazuar në informacionet e para, fillimisht vajza e dyshuar e ka joshur viktimën, e më pas i njëjti është dërguar në motel, ku është sulmuar fizikisht e më pas ia kanë grabitur rreth 2 mijë euro para të gatshme dhe një telefon.

Rasti kishte nisur të hetohet më 9 mars si vjedhje, por gjatë hetimeve janë zbuluar detajet dhe rrethanat e incidentit, ku si rezultat janë identifikuar të dyshuarit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat