Hajnat në Kosovë përveç shtëpive, banesave e biznese të ndryshme që i kanë cak për t’i bërë qyl, shpeshherë arrijnë të vjedhin edhe automjete, t’i plaçkitin pronarët dhe të ‘kapin’ sado pak para e gjësende me vlerë. Një rast i tillë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në fshatin Radavc në Pejë, kur një qytetar u përballën me dy persona që ia morën veturën dhe krejt çka kishte.
Kështu kanë bërë të ditur burimet brenda Prokurorisë dhe kanë dhënë detaje nga denoncimi i një 69-vjeçari, i cili kishte marrë rrugën për njërën nga pikat kufitare.
Siç mësohet, bazuar në deklaratën e tij, dy persona me fillimisht i kërkuan që të ndalej, duke e sinjalizuar, çka e bëri viktimën që të mendonte se ishte Policia dhe veproi siç e urdhëruan.
Në momentin që 69-vjeçari ka zbatuar “urdhrin” e dy të dyshuarve, njëri prej tyre i ka kërkuar që të largohej nga vetura.
Sipas burimeve, “kontrolli” në të vërtetë ishte plaçkitje, pasi njëri prej tyre e mori veturën dhe ia mbathi, teksa pas tij u zhduk edhe automjeti në të cilin ndodhej personi tjetër.
Në veturën e viktimës, sipas informacioneve të para, kanë qenë mijëra euro para të gatshme dhe stoli ari, si dhe dokumentet personale.
Si rezultat i denoncimit, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar nisjen e hetimeve dhe ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme për identifikimin e personave të dyshuar.