Jo rrallëherë ka pasur incidente në gjykatat e vendit, qoftë para ose pas seancave apo edhe gjatë zhvillimit të tyre. Palët që marrin pjesë në seanca shpesh përfshihen në konflikte verbale mes vete, por ka raste kur kërcënojnë prokurorët e gjyqtarët.
Një rast i tillë ka ndodhur së fundmi në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Media mëson se gjatë një seance gjyqësore, plasi sherri kur një person që ndodhej në sallë nisi me kërcënime serioze ndaj gjyqtares.
Bazuar në informacionet e para, i dyshuari e ka akuzuar gjyqtaren se është e korruptuar dhe më pas ka vazhduar me kanosje, ku ndër të tjera i ka thënë se “Veç mos dilsh nga Gjykata, nëse jom gjallë, s’ki me punu…s’ki me jetu”.
Të njëjtat burime thonë se zyrtarët policorë që ndodheshin në sallë e ka arrestuar të dyshuarin, i cili më pas është shoqëruar në stacion policor.
Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e rastit për veprën penale “Kanosje”.