Kukësi në zgjedhje të parakohshme pas skandalit të Gjicit në bashki, dega PD del me kërkesën e pazakontë

Kukësi

Kukësi në zgjedhje të parakohshme pas skandalit të Gjicit në bashki, dega PD del me kërkesën e pazakontë

Më: 16 gusht 2023 Në ora: 11:36
Partia Demokratike Dega Kukës

Qyteti i Kukësit pritet të shkojë në zgjedhjet të parakohshme më datë 24 shtator, pas skandalit seksual në Bashki nga ish-kryetari Safet Gjici.

Në një kohë kur PS e ka caktuar kandidatin, dy palët Rithemelimi dhe PD nuk kanë ende një figurë dhe përplasja mes tyre vijon. Gjendur përballë kësaj situate, Partia Demokratike dega Kukës ka apeluar për bashkim që në këto zgjedhje palët të dalin me një kandidaturë të përbashkët dhe gjithëpërfshirëse për të gjithë demokratët.

Partia Demokratike Dega Kukës siguron të gjithë anëtarët dhe simpatizantët e saj për angazhimin e plotë dhe të vazhdueshëm në funksion të interesit më të mirë të të gjithë qytetarëve të Bashkisë Kukës. Pas një kohe të gjatë përballje me antivlerat dhe imoralitetin nëpërmjet zaptimit të institucioneve shtetërore, Kukësit dhe familjeve kuksiane duhet ti kthehet shpresa dhe dinjiteti.

Në kuadër të zgjedhjeve të datës 24 Shtator 2023 për kryetar bashkie, Partia Demokratike apelon për gjetjen e një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse për të gjithë demokratët, bashkimin e tyre në një përfaqësim dinjitoz, për të garuar me një kandidaturë të gjithëpranuar”, thuhet në deklaratë.

PD dega Kukës thotë se është e përkushtuar dhe e hapur për bashkëpunim me të gjithë ata që duan një kandidat të denjë për të sjellë ndryshimin në këtë qytet.

“Koha për të sjellë ndryshimin në Kukës ka ardhur. Ne ftojmë të gjithë anëtarët, simpatizantët dhe votuesit tanë të bashkojmë energjitë dhe vullnetet tona për ta bërë realitet këtë ndryshim të shumëpritur. Partia Demokratike është e përkushtuar pa asnjë rezervë dhe paragjykim për të mundësuar përfaqësimin dinjitoz të së djathtës shqiptare në garën për Bashkinë e Kukësit me një kandidat fitues dhe e hapur për bashkëpunim me të gjithë ata që duan një kandidat të denjë për Kukësin dhe një Parti Demokratike fituese, si e vetmja shpresë për kthimin e pushtetit në duart e qytetarëve”, thuhet në deklaratë.

Presidenti Bajram Begaj ka dekretuar 24 shtatorin për mbajtjen e zgjedhjeve në Kukës, ndërsa PS do të kandidojë me Albert Halilaj, ish-drejtorin e Drejtorisë Tatimore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat