Në hapje të stinorit turistik veror, është përuruar sot në qytetin e Vlorës shtatorja e tribunit shqiptar, Hasan Prishtina.
Në praninë e një numri të madh të qytetarëve ardhur nga Kosova, nga diaspora dhe qytetarëve të Vlorës, zbulimi i shtatores është bërë nga Ministri i Mbrojtjes ë Kosovës Armend Mehaj, përfaqësuesi i familjes Prishtina - Mehmet Prishtina Kryëtari i Prishtinës Përparim Rama, Kryetari i Bashkisë së Vlorës Dritan Leli dhe nga Kryegjyshi Bektashian Baba Edmond Brahimaj.
Akti i zbulimit të shtatores, vepër e skulptorit Sabri Behramaj tri metra e lartë është nderuar me rastin e zbulimit të saj edhe nga deputetë të Parlamentit të Kosovës, historianë dhe krijues. Intelektuali, diplomati e atdhetari Hasan Prishtina u lind më 1843 në qytetin e Vushtrrisë. Ka qenë Kryeministri i tetë i shtetit Shqiptar në vitin 1921. Është vrarë në Selanik në vitin 1933. Ai është shquar edhe si personalitet që ka shkrirë pasurinë e tij për ҁështje kombtare.
“Hasan Prishtina që moti e kishte vendin në Vlorë, aty ku ai fizikisht, intelektualisht e shpirtërisht ishte i lidhur, por rrethanat e kohës, që dijnë nganjëherë të jenë edhe absurde, ndikuan që të ndodhë një shkëputje në mes të vet figurës së Hasan Prishtinës dhe Vlorës si piemont i pavarësisë së Shqipërisë”, ka theksuar mes të tjerash Mehmet Prishtina – familjar i Hasan Prishtinës dhe donatorë i shtatores së Hasan Prishtinës në Vlorë, në Shkup, në Prishtinë dhe në Tiranë. Në këtë ngjarje që i bashkoi shqiptarët u shfaq edhe një program artistik dhe u promovua vepra muzikore “I ndrituri” – kushtuar Hasan Prishtinës me tekst të poetes Naime Beqiraj dhe muzikë e interpretim të Hysni Klinakut.