SH.K.A. “Bresana” nga Bresana e Opojës, në Festivalin “Hasi Jehon” u nderua me çmimin e dytë “Malësorja

Kultura

SH.K.A. “Bresana” nga Bresana e Opojës, në Festivalin “Hasi Jehon” u nderua me çmimin e dytë “Malësorja

Nga: Muharrem Qafleshi Më: 11 maj 2022 Në ora: 00:58
Foto ilustrim

Festivali Folklorik Mbarëkombëtar “Hasi Jehon 2022” ka mbërritur në edicionin e tij të 33-të.

Në këtë edicion i është kushtuar më shumë vëmendje promovimit të moshave të reja pa munguar edhe ato të moshave më të vjetra, pjesëtarë të Shoqërive Kulturore e Artistike, Grupeve e Trupave artistike, duke i promovuar me më shumë cilësi, finesë dhe elegance vallet dhe këngët popullore të hapësirës sonë kombëtare.

Njëra nga shoqëritë pjesëmarrëse në këtë edicion ishte edhe SH.K.A. “Bresana” nga Bresana e Opojës, e cila ndër dekada promovon kulturën e tyre folklorike në shumë festivale kombëtare e ndërkombëtare, e sidomos me ceremoni nga trashëgimia shpirtërore opojane, ngase treva e Opojës ka një trashëgimi shumë të begatshme dhe origjinale shpirtërore, po ashtu me kostumet e bukura dhe karakteristike, me instrumentet e tyre lodrat dhe cyrlat dhe me këngët e vallet e bukura opojane.

Kjo Shoqëri ka prezantuar veten gjithnjë e më mirë jo vetëm në Kosovë por edhe jashtë Kosovës, si në Shqipëri duke zënë vendet e para në Festivalin Mbarëkombëtar të Gjirokastrës, në Tiranë pati një paraqitje të jashtëzakonshme me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë dhe Ditës së Flamurit etj., pastaj në Maqedoninë e Veriut e të Malit të Zi etj.

Në disa edicione të festivalit “Hasi Jehon” disa here ka zënë vendin e parë e të dytë, edhe në këtë edicion të 33-të, zuri vendin e dytë dhe u nderua me çmimin “Malësorja”.

SH.K.A. “Bresana” nga Bresana e Opojës e udhëhequr për disa dekada nga drejtori artistik Fejsal Shaqiri, me një kontribut të jashtëzakonshëm të koreografitë të njohur kosovar Dilaver Kryeziu, para dy viteve morën një hap shumë të guximshëm duke organizuar festivalin mbarëkombëtar “Opoja Vallëzon”, i cili festival ishte shumë i suksesshëm duke tubuar shumë Grupe e Shoqëri Kulturo-artistike nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, me një repertor shumë të pasur të këngëve e valleve mbarëkombëtare me një veprimtari kombëtare, duke dhënë një ndihmesë në lidhjen më të mire të turizmit kulturor mes shteteve mbarëkombëtare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat