Kujtim Mateli “bashkon” shkrimtarët e Dëshnicës, së Përmetit

Kultura

Kujtim Mateli “bashkon” shkrimtarët e Dëshnicës, së Përmetit

Nga: Petrit Malushi Më: 31 janar 2023 Në ora: 20:57
Foto ilustrim

Kohët e fundit autori Kujtim Mateli ka dalë para lexuesve me vëllimin “Dyzet shkrimtarët e Dëshnicës, krahinës së Përmetit të cilës ai i përket. Kujtimi ka vite që jeton në kryeqytet, por për grumbullimin dhe sistemimin e materialeve të këtij libri nuk reshti së kërkuari dhe kontaktuari me shumë autorë të përhapur në të gjithë Shqipërinë, madje edhe jashtë kufijve të saj, e të shfletonte në vite të shkuara. Përvojën e fituar gjatë botimit të librave me poezi “Kur mendoj për të tjerët”, “Qetësojmë shpirtin e trazuar”, “Eci mbi një fije shprese”, studimet “Dodona ndodhet në Dëshnicë të Përmetit I”, “Dodona ndodhet në Dëshnicë të Përmetit II”, “Dodona ndodhet në Dëshnicë të Përmetit III”, dhe vëllimin me ese, recensione e studime “Albanologjia dhe çështja e kufijve historikë” e shpërfaqi edhe në këtë botim të ri, të cilin e ka konceptuar si studime dhe kritikë letrare.

Redaktor ka përzgjedhur Gëzim Vodën, i cili ka përgatitur edhe një parathënie, ndërsa recensentë Petrit Malushin e Safet Xhanin. Me kopertinën është marrë Fatma Xhaferraj dhe botimin e ka realizuar shtëpia botuese EMAL në Tiranë. “…ai (Kujtimi) bën analiza të plota për veçantitë e secilit prej tyre, për specifikat që shpalos njëri dhe tjetri përmes vargjeve poetike apo gjinive letrare, për kushtet kur dhe ku ka shkruar e shkruan njëri dhe tjetri, për stilin e të shkruarit, për figurat letrare që gjenden në krijimet e çdo kujt, për mesazhet që i transmetohen lexuesit…”,- shprehet në parathënie Gëzim Voda. Mbi këtë linjë nga faqja e parë deri tek e fundit Kujtim Mateli ka sistemuar dyzet autorë të krahinës së Dëshnicës së Përmetit me materiale konkrete krijimtarie dhe analiza artistike. Sigurisht që kjo krahinë ka edhe shumë autorë të tjerë me krijimtari e botime të begata, por pamundësia e kontaktimit me ta e kufizoi Kujtimin në këtë numër. Në këtë lloj ky është botim i parë i evidentimit të një numri krijuesish dhe për këtë hap autori meriton përgëzime. Por mendoj se vlerat e këtij botimi rriten edhe më shumë, sepse autori nuk mbetet thjesht në një listim emrash.

Ai hyn më thellë, futet në përmbajtje, stacionohet me analizat për krijimtarinë e tyre, temat që trajtojnë, mesazhet që përcjellin, nivelin e përshkrimit të mjediseve, larshmërinë e figurave letare, përjetimet emocionale të autorëve dhe personazheve referues, sistemin e ndërtimit të linjave të personazheve, përshkrimet fizike dhe shpirtërore të tyre, simbolikat dhe personifikimet e përdorura etj. Për ilustrim po shkëputim : “Te romani “Kënga shqiptare” i Kasëm Trebeshinës, historia tragjike për shqiptarët dhe njeriu i guximshëm dhe i papërkulur para padrejtësive, ishte tabloja e vërtetë e Shqipërisë nën diktaturë” fq.105, “Kujtim Halili ka kërkuar të depërtojë në misteret e botës që na rrethon, te dritëhijet me të cilat shfaqet shpirti njerëzor” fq.107, “Te tregimi “Pritja e nënës” i Sadik Muraj, na jepet dashuria e nënës për fëmijët e saj”, “Te poezia “Prushi i zemrave” e Lumo Kolleshit jepet një paralelizëm i goditur midis zjarrit që digjet në vatër dhe zjarrit në zemrat e dy të dashuruarëve”, “Disa lirika filozofike, të autorit Ylli Hoxha, shquhen për një shkallë të lartë meditimi, i cili është kristalizuar nëpërmjet një gjuhe të figurshme…”, “Vëllimi i tretë poetik “Lulelofatat” solli një lartësi të re në poetike në krijimtarinë e poetit Bujar Bejkollari”, “Në poezinë “Qajnë luleshqerat” të autorit Myslim Xhaferi, jepen ndryshimet e natyrës gjatë stinëve dhe gjëndjet shpirtërore të njerëzve”, “Te tregimi “Gruaja e bukur” e Mustafa Fezgës, shpaloset bukuria e mahnitëshme, gati e pabesueshme, që rrezaton shpirti i përvuajtur i kwsaj gruaje”, “Te “ Korifej të dijes”, autori Petrit Malushi jep nderimin dhe vlerësimin që duhet të bëjnë brezat ndaj mësuesve dhe punës së tyre të pakursyer”, “Te poezia “Ndrin si një hënëz” të autorit Safet Xhanit kemi një çift të dashuruarish ku zotëron mirëkuptimi dhe harmonia” etj. Në renditjen e autorëve ai është bazuar mbi hershmërinë e faktorit kohë të botimeve të secilit në organet e shtypit të shkruar dhe atij elektronik. Kësaj rendtjeje, që mbush faqet e pjesës së dytë i paraprijnë kapitujt e “Parathënies”,”Shpërthime prilli”, “Dimensioni kombëtar i letërsisë përmetare” dhe pjesa e parë “Dëshnica nga fillimet e shek. XIX dhe lidhja me letërsinë dëshnicare”.

Në krye, me meritë të plotë qëndron Kasem Trebeshina, që ndiqet nga të tjerët si : Kujtim Halili, Zenel Anxhaku, Sadik Muraj, Lumo Kolleshi, Kadri Cenka, Belul Arapi, Gëzim Voda, Flamur Dalipaj, Dashnor Selimi, Islam Kalemi, Muharrem Kamani, Selami Deliu, Et’hem Bundo, Bujar Elmazi, Tomorr Caushi, Ylli Hoxhaj, Ylli Selfo, Petrit Brahollari, Bujar Bejkollari, Myslim Xhaferaj, Edlira Xhani, Mystehak Kapo, Mustafa Fezga, Artur Vrekaj, Veron Hoxhaj, Skënder Lazaj, Aldi Rabo, Petrit Malushi, Safet Xhani. Në pjesën e tretë Kujtim Mateli ka hedhur komente dhe recensione për krijimtarinë e poetëve, prozatorëve dhe romancierëve të kësaj krahine, pavarësisht se ku jetojnë ata. Parë gjithë elementet e brenda tij, ky botim është i kompletuar dhe i sistemuar me rrjedhshmëri e rregullsi. Kujtim Mateli i meriton fjalët e mira dhe pastë suksese në botime të tjera.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat