Kultura në “tabut” e vlerave të ngushta partiake

Kultura

Kultura në “tabut” e vlerave të ngushta partiake

Nga: Remzi Salihu Më: 19 mars 2024 Në ora: 10:04
Remzi Salihu

Letërsia shqiptare gjatë këtyre viteve të fundit flet për një arritje shumë të madhe, duke ngërthyer në vete vepra të standardit të lartë, të artit përparimtar vendas dhe botëror. Tanimë ajo ka hyrë në konkurrencë të vlerave të mirëfillta botërore, gjithsesi, duke u mbështetur në parimet ideore dhe artistike të kohës dhe të metodës së vet krijuese. Në këto parime pa dyshim se janë përvjedhur edhe vepra të dobëta e pa kriter të duhur artistik. Letërsia bashkëkohore me gjithë këtë arsenal të madh botimesh ka luajtur një rol të rëndësishëm në jetën shpirtërore të shoqërisë sonë. Megjithatë viteve të fundit nëpër kuluaret e ndryshme diskutohet shumë për vlerat dhe jo vlerat që kanë mbërthyer hapësirën tonë kulturore. Sidomos çështja e standardit letrar ka zënë sërish t’i preokupojë dhe provokojë krijuesit shqiptar. Nga dita në ditë ndihen zëra kritikë që shprehin pikëpamjet e tyre të traditës sonë letrare.

Fryma demokratike gjatë këtyre viteve të fundit, tranzicionale, pos veprave cilësore, me vete solli edhe një shakullinë të tmerrshme botimesh me mish të egër ideologjik, të amputuar keq në lirinë anarkike të demokracisë. Kjo hapësirë demokratike stimuloi edhe individë me pikëpamje të gabuara e të njëanshme dhe pa kriter arti të nevojshëm, të cilët me çdo kusht donin të zënë hapësira kulturore, për të përfaqësuar institucione, për çështje kryesore të problemit zhvillimor e të gjerë të traditës dhe kulturës sonë. Me pak punë u bënë intelektual të ”mëdhenj” që me imazhin e tyre kreativ predikonin pikëpamje vlerash idesh mesatare, por duke u përkrahur me këmbëngulësi dhe njëanshëm nga "kritikë" dhe nga partitë e ndryshme si vlera të mirëfillta dhe kombëtare. Duke u avancuar në shoqëri ky kriter i “lehtë”, sipërfaqësor interesash, individësh, futën në armiqësi klane dhe asociacione me dogmë të censurës staliniste. Pseudovlerat, në kulturën demokratike, u lëmëshuan përçart dhe bënë rendin e keq dhe degjenerimin e vlerave të mirëfillta. Kështu duke u strukur nëpër çerdhe partiake, disa autorë harruan tolerancën dhe kulturën e mirëfilltë të standardit dhe kriterit të duhur kreativ. Ata shpërndanë konfuzion dhe apati lidhur me të arriturat themelore të zhvillimit aktual të letërsisë gjatë këtyre viteve të tranzicionit. Por për fat të mirë të frymës demokratike nëpër këto anë u hapën edhe dyert e rrymave të ndryshme të letërsisë. Individët krijues mundën ta shpalonin talentin e tyre pa kufizime e pengesa diktatoriale, për ta ngritur letërsinë dhe kulturën nëpër shtigjet e shumta e të drejta, të artit të mirëfilltë.

Zhvillimi i letërsisë dhe kulturës nuk mund te avancohet duke u nisur nga asgjëja, në aventurën krijuese pa u bazuar në diçka të shëndoshë artistike, pa i kapërcyer kujdesshëm ato niveleve dhe klishe të vjetruara që nuk u përgjigjen standardeve të kohës. Nga ky aspekt duheshte të renditen kritere të shëndosha në përzgjedhjen e mbi standardizuar të letërsisë avangarde. Sidomos duke poseduer dije dhe atë që është më e mirë në art dhe me nivele të larta estetike. Do të thotë të marrësh, si model të arrirën dhe perceptuar atë model, në mënyre komparative e të stërholluar, nga kriteret e letërsisë dhe standardeve kreative më të mira artistike, kombëtare e botërore; por njëkohësisht duke u vënë edhe barriera të forta asaj që i ka kaluar koha. Arti i mirëfilltë gjithnjë zhvillohet nëpër të gjitha kohët. Nuk ka afat dhe kohë të caktuar. Por merr veprimet dhe format e nivelit artistik të kërkesave të vet jetës në hapësirë dhe kohë.

Letërsia shqiptare qoftë ajo për fëmijë qoftë ajo për të rritur duhet të ketë apo të posedojë nivelin e saj artistik të standardizuar. Pa këtë njohje e kriter nuk mund të konkurrohet në letërsitë e arirra të botës. Pos përcjelljes së veprave të fuqishme artistike, këtyre viteve të fundit, nëpër këtë rrugëtim e sipër të njohjes së talentuarve, e dhimbshme është çasti i ndjeshmërisë, kur nga ndonjëherë na bien në dorë edhe do libra, gjegjësisht vëllime poetike që i kanë shkruar të rriturit me nivele artistike fëmijësh; pa shije e nivel dhe me plot gabime teorike letrare. Kjo mënyrë e të shkruarit nuk mund të tolerohet nëpër sisteme kulturore e letrare të nivelizuara dhe specializuara në botë. Standardi kreativ është kriter, nuk lejon që nuk e lejon cullakimin e lirë të flirtit të keq, të këtij nën niveli artistik. Madje të krijojë efektin e mburrjes së përkohshme të individëve, të cilët shfaqen ngutshëm në skenë afirmative, duke uzurpuar hapësira të shumta letrare. Ata improvizues mund të mburen dhe krekosen vetëm nëpër mahallat e përbaltura të kulturës injorante. Sepse të tillët me panjohuri e zhvillime të mirëfillta institucionale, do të gjenden shumë larg kulturës dhe trendëve të reja qe shëmbëllejnë sot në botë.

Në qoftë se duam të krijojmë cilësi dhe kriter të zhvillimit të letërsisë dhe kulturës sonë, atëherë, gjithsesi, se duhet kërkuar rrugë të reja të veprimit dhe zhvillimit estetik të standardizuar dhe përparimtar. Ky nivel i përsosur nuk është aq lehtë të arrihet pa njohjen e veprave më të mira botërore, ngase, tanimë, hapësirën tonë kulturore janë duke e përmbytur edhe libra me cilësi të dobëta kreative. Nëpër këto libra ka vjersha dhe tregime, që nuk sjellin origjinalitet dhe stil autokton, por duke u “ngjarë” të tjerëve bëhen imitues të vrazhdë, pa formë dhe brendi origjinale, autonome. Kështu, individualitet i lartë artistik tek poetët, shkrimtarët, do të arrihej atëherë, kur të talentuarit dhe të vëmendshmit e kreativitetit, me prirjet dhe dhuntitë e tyre artistike, do të fokusonin në art bindje stilistike e estetike, të hetuara vetëm nga zeniti i vlerave të mirëfillta ekzistuese. Kjo mund të zbatohet, arrihet, kryesisht, duke u bazuar dhe u përsosur në veçantitë dhe vetëm në frymëzimet e tyre atraktive, me shije të theksuar për fjalën poetike. Por ky vullnet duhet të jetë i përmbushur edhe me forcën e figuracionit dhe gjuhës emocionale të poezisë apo prozës standarde. Krijuesi i mirëfilltë, sot, duhet t’i ikë deklarativizmit dhe idilizmit të tepruar dhe sidomos figurave stilistike të konsumuara apo të poetëve të së kaluarës e të romantizmit.

Sot ne përballemi me dy lloj mundësish krijuese: ajo frymëzuese dhe eksperimentale, të cilat kanë për qellim edhe rrugët e tyre të zhvillimit efektiv, duke sjellë në vete modele dhe forma të reja letrare nga letërsia botërore. Këto koncepte shpalojnë bindjen e vet krijuesve të angazhuar, për artin e kohës sonë. Që në esencë të kësaj çështje kyçe, duhet të tregojnë në brendi zhvillimin shijes estetike të artit të mirëfilltë. Njëra palë që pretendon të shkruaj pa standard estetik, bartë në vete krijime të zhveshura deri në banalitet, kurse tjetra palë sjell një sintaksë poetike me të ndërlikuar hermetike, në të cilën gjuha figurative është me e fshehtë.

DEVIZA E PËRCEPTIMI FETISHIST

Ka qasje të njëanshme të vlerësimeve të individëve, kur edhe pa e lexuar një vepër, japin mendime pozitive apo negative për autorin dhe veprën e lexuar. Kjo mënyrë e vlerësuarit mund të merret si ana më e shëmtuar e gjykimit, zbërthimit letrar të ri, që nuk qëndron fare me rregullat dhe kriteret e mirëfillta të qasjes së shkencës së letërsisë. Unë librat nuk i shoh dhe lexoj, si probleme dhe kërkesa sociale apo sipas bindjeve të tyre politike të individëve, që me mundim i shpalojnë apo na i afrojnë këto prurje në jetën kulturore. Por veprat i shoh si procesin më të mirë kreativ, shkencor, të kuptimit të plotë të fjalës. Qëllimi ynë është se duhet dalë nga libri si receptiv (që është i kapshëm), dhe i lehtë i qasjes, kur kemi parasysh edhe libra gjoja “të rëndë”, në hapësirën tonë kulturore. Por me rëndësi për ne është të kthehemi në procesin kreativ shkencor të qasjes, që do të thotë: shkëputja e vetes nga lexuesi i rëndomtë, në atë profesionist, i pavarur dhe pa shikuar majtas djathtas nëpër vëzhgimet dhe trajtesat tjera. Tanimë profesionistit nuk duhet t’i dhimbset një vëllim poetik apo prozaik kur ajo del në opinion. Por ai me korrektësi duhet t’i qaset asaj vepre të dalë në skenë trajtimi, duke ia gjetur vendin e nivelin merituar që ka. Rreziku i lexuesit të skllavëruar, në një autor të preferuar, mbanë rrezikun e humbjes vetanake, autonome dhe merr përshtatjen e ndikimit, kryesisht, duke e shtrydhur, ose absorbuar në vete një krijim tjetër identik apo të ngjajshëm, (kjo praktikë ndodh shpesh në postmodernizëm). Atëherë nga këto mundësi krijuesi verbërohet në ndikim dhe kjo mënyrë e punës atë e shpie te humbja kreativitetit të vet autonom, personal. Në këtë rast qasja ime ka të bëj me mënyrën e leximit të një libri që marrim për herë të parë në duar dhe ç’farë atakimi artistik, do të më bëjë ajo vepër që kam në shqyrtim? A është vetëm gjuha pasqyrim ideal gjykimi, për një vepër letrare? Gjithësesi se gjuha është një mjet bazë dhe e rëndësishme për të shkuar më tej kërkesave tjera stilistike të veçanta.

Ka ndodhur dhe ndodh edhe sot në mendimin kritik të ketë gjykim të njëanshëm, kur një vlerësues apo kritik letrarë jep një shqyrtim të lartë për një vepër të lexuar, kur ka miqësi me ndonjë autorë, ose ka edhe të tillë që nga fërkimet jo të mira midis autorit dhe kritikut, në jetën private, ai kthehet dhe baltosë atë, ose mohon në tërësi vlerën dhe kuptimin artistik të një vepre letrare. Këtu qëndron edhe rreziku më madh i veprimeve dhe gjykimeve reale në kulturë, kur humbet korrektësia, njëanshmëria dhe serioziteti i srudiusit. Prandaj them se paanshmëria e vlerësimit, trajtimit, e dallon kritikun e drejtë nga lexuesi i rëndomtë apo amatori, që merr në shqyrtim një vepër letrare. Ka ndodhur edhe padrejtësi të shumta, që në antologjitë e ndryshme të mos ishin futur, ose përfshirë, autorë me vlera të mëdha cilësore, estetike krijuese, vetëm pse hartuesi me shije subjektive, të kufizuar e të njëanshme, nuk ka ndier simpati për akëcilin poet që ka prurje të veçanta dhe të arrira artistike. Prandaj këtu qëndron edhe rreziku më i madh në dhënien e vlerësimit të drejtë dhe korrekt. Madje shumë herë kam hasur nëpër antologji të përfshirë edhe autorë dhe krijime të dobëta, që nuk kanë fare lidhje, me atë nivel arti të kërkua e të standardizuar, kryesisht për të nxitur një lexues vendas e të huaj. Madje vajtojmë sot pse nuk jemi të përkthyer në gjuhë të huaja sa duhet dhe pse të huajt nuk kanë aq interesim për letërsinë tonë. Nga kjo shumësi krijuesish shqiptarë, të paktë janë ata autorë që kërkohen në shtypin dhe te botuesit e huaj. Lexuesit e huaj që marrin informacion nga kriteret e dobëta të përzgjedhjeve antologjike e që nuk ju përgjigjen kritereve dhe standardeve artistike të asaj gjuhe të përkthyer, atëherë, atyre nuk u zgjohet kureshtja për të përkthyer ndonjë autor të mirfilltë të vendit tonë, që befason apo që sjell risi në fushën e letërsisë në përgjithësi. Për atë shkak, në mënyrë radikale duhet mbrojtur diskursin krahasimtar, kuptimor të qasjes dhe kërkimit të vlerave të një libri të arrirë dhe mbrojtur me çdo kusht nivelin e saj që ka në brendi, pa anime dhe tolerancë kuptimore, në strukturë, formë dhe gjuhë figurative, për një autorë që vlerësohet. Që të dalin veprat dhe vlerat e mirëfillta në skenë, gjithsesi se duhet vlerësimi i drejtë, sidomos qasja të jetë një analizë e thellë për përmbajtjen dhe strukturën e veprës së studiuar dhe studiuesi të mos merret me gjykime e paragjykime të njëanshme.

Tanimë në këtë lum të madh të veprave që janë botuar dhe botohen sot, me kriter e pa kriter, përzgjedhja bëhet më e rëndë dhe nëpër këtë rrugëtim, me shtigje të hapura letrare e komunikimi, dalin vështirësi të mëdha vlerësimi. Sepse tanimë në njërën anë kemi letërsinë botërore dhe në anën tjetër kemi letërsinë tonë kombëtare, për të marrë shembull dhe për ta kuptuar shkrimin e mirfilltë kreativ të arrirë. Andaj mund të themi, sot, me bindje se para se ta shkruash një vepër, më parë duhet gjetur lexues. Po ku t’i gjejmë ata? Ku janë ata lexues, në cilin vend janë fshehur ata? Unë kam bindjen se ata gjenden gjithkah dhe në secilin vend, por duhet gjetur e stimuluar me vepra artistikisht të arrira. Të mos botohet gjithçka që na imponohet pa u verifikuar. Nëse shkrimtarët, poetët, shkruajnë gjithçka dhe pa vlerë e kriter, atëherë, gjithsesi se do të kemi një numër lexuesish të kufizuar. Çdo krijues duhet ta tregoj me përkushtim vrullin e vet artistik, për të qenë i pranishëm në një masë të madhe lexuesish dhe në rrugë të mbarë të krijimit. Gjithsesi se në këtë aspekt në sfond kriteri duhet të na ndriçojë dhe mbetet ajo vlerë e mirfilltë e veprës që është e përsosur estetikisht, ndaj bindshëm duhet mësuar nga krijuesit e mëdhenj, që kanë sjellë në skenën letrare vlera dhe prurje të veçanta shkrimore. Kjo shkollë kreative e arrirë na mëson për të mos e humbur standardin e krijimtarisë letrare.

Krijuesi sot është në rrezik jete. Më kujtohet, sa për ilustrim në këtë mendim të qasjes sime, një autorë i ri nga Freiburgu, që nuk i ka patur më shumë se njëzet e shtatë vjet, i quajtur Reiner Maria Gerhard, një kokë gjeniale, bën vetëvrasje në vitin 1954. Ai gjashtë vjet me utopinë e tij pre krijuesi, për poezinë moderne, tërë ekzistencën e vetë e futi në lojë. Për ëndrrën dhe idealin e tij, për të mbajtur një revistë dhe për të qenë botues, ai e ngjeshi veten në borxhe të mëdha, sa që tërë familjen e tij e kaploi një varfëri e skajshme me përmasa tragjike. Kështu në mënyrë tragjike do të përfundojnë edhe poetët tanë Fadil Bekteshi nga Kumanova dhe Ilir Belliu nga Korça, të cilët përdhunshëm u ndanë nga kjo jetë. I futën brenda kornizave të izolimit dhe skamjes, ngase gjuha e tyre ishte bombë e figurshme, metaforë që ngërthente në vete një kandil ndriçues në tunelin e errët e të mistershëm të kohës, nëpër të cilën kalonte shoqëria jonë. Gjuha e tyre poetike ishte aq e mvetësishtme dhe elektrizuese me siguri se po të ishin gjallë, sot, do t’i kishin lënë letërsisë sonë edhe vepra më të fuqishme se veprat “Dashni qyqare”, “Udhëtim nëpër skëterrë “, dhe revistën letrare “ Doruntina” të Fadil Bekteshit dhe “Vetmi me njerëz” , “Rrjedh një lum në kafkën time” e “Murgu i muzgut”të Ilir Belliut. Këta ishin krijues me përmasa të theksuara artistike. Indi poetik i këtyre dy autorëve jepte efekte të papritura paradoksale në strukturën e vargjeve, madje muzikaliteti i vargjeve të tyre sjellte dinamizmin e poezisë së kultivuar mjaft mirë dhe me përkushtim të madh. Poezia e tyre qe arma më e fuqishme në vetëmbrojtje të vlerave dhe artit në përgjithësi. Gjuha figurative e tyre ishte një qëndisje e rrallë, me kundërthëniet e jetës nëpër të cilën kaluan ata. Gdhendja e fjalës dhe figurës poetike, për të shpaluar dhe sfiduar kohën, e cila kohë e mistershme, nuk dinte t’i kuptonte metaforat e shfaqura të revoltës, që ngërthente shpirti i tyre i veçantë. Andaj lejoi që jeta e tyre të përfundoj tragjikisht. Kështu, sot e gjithë ditën, edhe tek ne ekzistojnë autorë dhe botues, që kanë probleme të mëdha financiare. Por ja që letërsia të bëhet ilet dhe nuk ke fuqi magjike ta largosh dot nga vetja varësia kreative. Të tillë ka shumë në hapësirën tonë letrare, ose ka edhe të atillë që i keqpërdorin mjetet shoqërore, duke botuar vepra të dobëta, pa ndonjë kriter e vlerë dalluese.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat