Ikona e lirikës shqiptare në atdheun e fjalëve

Kultura

Ikona e lirikës shqiptare në atdheun e fjalëve

Nga: Baki Ymeri Më: 21 mars 2024 Në ora: 12:35
Ejup Ajdini

Poeti është mbreti i imagjinatës, poetesha është mbretëresha e befasive, kurse poezia është një dhuratë hyjnore, balsam i shpirtit, testamenti i jetës, drita e fjalëve, princesha e arteve, thesari i ndjenjave dhe një burim i pashtershëm energjishë hyjnore. Në poezi, vargi i parë dhe vargu i fundit duhet të jetë si një vetëtimë, apo si një krismë e pushkës. Ejup Ajdini është ikona e lirikës shqiptare që jeton dhe vepron në atdheun e fjalëve. Ai ka fatin të jetë e nderuar me libra që e bëjnë historinë. Libri për të është përmbushja e një ëndrre për të vajtur nga drita në dritë.

Poeti krijon vargje artistike me një ndjeshmëri të lartë lirike me elemente astrologjike. Në spektrin e inspirimeve të tij vërejmë një vërshimë ndjenjash dhe fluturime ëndrrash në botën stelare. Poeti bëhet mbret kur fluturon nga realiteti në qiell. Ai është një mbret i lirikës erotike me frymëzime të fuqishme: Ti je arsyeja pse kam ardhur në këtë botë/ në botën e padashjeve, e dashura grua/ pa ty nuk di se si do më bëhej jeta/ pa plagët dhe dëshirat që vet i krijuam. (Gruaja). I admirojmë vargjet e tij si një magji e bekuar ku ballafaqohemi me brigjet e mendimit e të atdheut: Dashurinë ty ta falëm, Atdhe/ Posi vajza dashnorit besnik,/ Dashuri më të madhe s’kemi/ Në këtë tokë e në këtë qiell./ / Ah, atdhe, atdhe, atdhe!/ Një lum ëndrrash kemi ende përpara.../ Ndoshta në oqeanin e qetë do të takohemi,/ Ku do t’i ndajmë veprat nga përrallat! (Ah, Atdhe, Atdhe, Atdhe!)

Në vargjet e Ejupit dëgjohet një zë i bukur që kumbon me jehona përqafimesh të ëmbla, me puthje të zjarrta dhe mall dashurie: Dashuritë e mëdha nuk tronditen dot në jetë/ edhe mosha le të bëhet sa të dojë, edhe 101/ unë pa ty s’do mundja të jetoja në këtë botë/ pasi ti ishe arsyeja pse ishte e bukur kjo jetë. (Gruaja). Dhe më tej: Rrugët nuk i patëm shtruar me lule malësie/ as lekun nuk e patëm mjaftueshëm e me bollëk/ dashurinë e patëm tejet te madhërishme/ dhe ëndrrat e jetës na e bënë të bukur këtë botë.

Në poezi, vargu i parë dhe vargu i fundit duhet të jetë si një vetëtimë, apo si një krismë e pushkës. Poezia është pjesë e bukurisë së shpirtit. Pse? Sepse shpirti ka nevojë për poezi dhe njeriu ka nevojë për dashuri. Kohë pas kohe poeti shkruan vargje që të shpëtojë nga një presion i papërmbajtshëm shpirtëror, për të dëshmuar se jeta është art dhe arti është jetë: Në rrugën e parë ecin/ Zbukuruesit,/ Në rrugën e dytë vrapojnë/ Shkatëruesit,/ Në rrugën e tretë mendohen/ Të marrët,/ Ruana Zot, kush do të fitojë,/ Po s’fituan të parët? (Tri rrugët e botës)

Fjala e Zotit është e mbuluar me ar. Ejup Ajdini na fton ta duam njëri-tjetrin dhe ta kultivojmë gjuhën shqipe për të dëshmuar se Shqipëria dhe Kosova ekzistojnë që nga krijimi i botës, dhe se shqipja është gjuha e perëndive: Kur të ndërtoni shtëpi/ Çojeni një mermer në Kosovë/ Atje është gjaku i freskët/ Mbushur me dëshmorë. (Ju). Ky libër, me dy autorë, i dinamizuar me krijime të bukura, del në dritë në bashkëpunim me Bashkësinë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë. Lënda letrare është e struktuar në dy kapituj: Poezi dhe Haiku, para të cilave pason parathënia dhe bibliografia. Poeti vjen para nesh me fluturime ëndrrash, me dashuri hyjnore, me dritat e shpirtit dhe me dhuratat e zemrës. Autori është poet i ndjeshmërisë dhe dashurisë. Duke ikur nga instinkti, nga ekspresiviteti artificial, ai krijon vargje të një natyrshmërie të mprehtë, ashtu siç shungullojnë lumenjtë e pranverës, apo siç vajton syri për ndjeshmëri dhe dashuri. Vargjet e tij më të bukura i dedikohen një dashurie të bekuar, idilike dhe romantike:

Në më te mirin gjumë të vëzhgoj ty e dashura grua/ dhe rri zgjuar si gjysmëhënë mbi koke/ ah, sa jetë e bukur ishte për mua, e dashura ime/ Sikur një engjëll na përkëdhelte me lule në duar./ Po e dashur, për ty rri zgjuar një jetë, pse të mos rri/ vetëm të t’i puthi buzë e duar me hënën në përqafim/ ti ishe më tepër se grua, gjithmonë me një mall të ri/ buzëqeshja e parë që na lidhi neve, vetëm ne e dimë. (Gruaja). Jeta është një jehonë që kalon nëpër tunelin e kohës. Jeta është e shenjtë, dhe realiteti shihet lart në Qiell. Tek-tuk vërejmë kohën me përjetësinë e meditimeve filozofike të kërkimeve erotike me zjarr dashurie: Për xhelozi të yjeve unë e preki hënën/ dhe ajo të mbulon ty mbi çarçaf/ dhe vetëm atëherë ulem pranë teje/ sikur e kam globin për një jetë të tërë.
Para nesh kemi një poezi të bukur me imagjinatë të fuqishme. Një koleksion stilistik me shprehje ekspozive dhe satirike: Kur të/ dehesh nga luksi/ Mos u ç’deh kurrë/ Luksi yt është sarkazëm/ Dhe gërvisht çdo gurë. (Ju). Kënga e bylbilit të pranverës jehon në vargjet e tij, si dhe shpirti i florinjtë dhe ëndrra për një jetë të bukur e të lumtur. Pason një kazan i madh fjalësh që e trazojnë gjumin dhe botën: Miqtë e mi të dashur/ Mua ata më thoshin/ Të tjerët hanë ashuren/ E ti ruan kazanin.

Ejup Ajdini shkruan edhe për fatin e një kombi me një filozofi të veçantë: Ju burrat e botës/ Krekoseni e krekoseni/ Për një imazh të ri/ Pa ngritur kokën/ Të shikoni anë e mbanë/ Sa vdesin nga uria e ju/ Kur të pini një gotë verë/ Çojeni një gotë ujë në Afrikë/ Kur të ngiheni mirë/ Çojeni një bukë në Etiopi (Ju). Mund të thotë kush prej jush se poeti i lindur në zemër të Sharrit nuk ka prirje për poezi dhe për ndjeshmëri të thellë? (Baki Ymeri)

BIOBIBLIOGRAFI E SHKURTË

Ejup Ajdini u lind më 14. 02. 1954 në Shipkovicë të Tetovës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje. Gjimnazin në Tetovë, kurse Fakultetin për Letërsi dhe Gjuhë Shqipe në Prishtinë, më 1979. Studimet pasuniversitare i kreu në Institutin e Gjuhës dhe Letërsisë - Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Tiranës. Më 17.04.1997 mbrojti me sukses të shkëlqyeshëm tezën e disertacionit me temë:“Tradita kulturore dhe letërsia e ekskomunikuar shqiptare në ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë”, ku edhe mori gradën shkencore Doktor i Shkencave Filologjike. Ligjëron në Universitetin Shtetëror të Tetovës. Botoi përmbledhjet poetike: Dritëzat në natë, Tiranë 1993, Tempulli i mëkateve, Tetovë 1995, Një verë fola me hënën, Tetovë 2006, Misteret e shpirtit (haiku), Tetovë 2012. Më 1997 ndriçoi dhe botoi dramën Lalë Bajrami të Sadudin Gjurës, kurse nga veprat shkencore botoi: Ekskomuniki, kulturor dhe letrar te shqiptarët e Maqedonisë, Tetovë 1999, Shkrimi akademik, Tetovë 2008, Rrjedhave të letërsisë shqipe, Tetovë 2011, etj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat