Arketipi dhe pavetëdija kolektive

Kultura

Arketipi dhe pavetëdija kolektive

Nga: Shefqet Dibrani Më: 23 mars 2024 Në ora: 12:49
Ballina e romanit botuar në Tiranë në vitin 1970.

Arketipi[1]

Duke u mbështetur në teoritë e psikoanalistit zviceran Karl Gustav Jung, mundë të themi se: "Hajria nuk u bë Heroinë vetëm duke imagjinuar të mirat, ajo u bë Malësore (heroinë e romanit) vetëm për shkak se i ka kundërshtuar veprimet e shëmtuara!...”

Arketipi,[2] është pjesë e pavetëdijes kolektive,[3] dhe ka kuptimin e fillimit, trajtës, tipit që formohet në gjenezë, d.m.th. ekzemplari i parë - origjinali,[4] ndërsa në gjuhësi ka kuptimin “trajta fillestare më e vjetër e një fjale nga e cila krijohen fjalë të përbëra (kompozita) kuptimi fillestar i fjalëve”[5]. Në planin letrar, kemi të bëjmë me aspekte, natyrore - organike, logjike - shkakore, historike - rendi dhe uniteti i komplotit, që i bie diçka në midis “të vetëdijshmes dhe pavetëdijes,”[6] të gjithë këta parametra e kanë përcaktuar dramën e ngjarjes në romanin Malësorja, të Nazmi Rrahmanit, pasi: "E para lejon lirinë, qartësinë, indiferencën, e dyta zgjon pritje, padurim, interes patologjik", dhe të gjitha këto përbëjnë mozaikun e vlerës letrare për të cilën ne po angazhohemi.

1.1. Përkufizimi letrar i nocionit "Arketip"[7]

Arketipat janë mënyra në të cilat shprehen një sërë përvojash dhe kujtimesh në lidhje me paraardhësit. Me fjalë të tjera, secili personazh zhvillon një seri arketipash, varësisht prej rastit dhe çastit. Në këtë mënyrë, arketipat e romanit Malësorja, kanë mbrojtur idenë kryesore të veprës, (braktisjen e dogmave,) nëpërmes veprimit që kategorizohet si pavetëdije e turmës kundër individit. Parë nga ky prizëm, të gjitha personazhet e romanit Malësorja, u referohen tipareve të përbashkëta mendore, të cilat zhvillohen proporcionalisht dhe në raport me rrethanat e ngjarjes kanë ndikuar në vetëdijesimin e Hajries.[8] Një nga pasionet më të mëdha të Karl Gustav Jungut, ishte arkeologjia dhe ky pasion ndoshta rezultoi në vetëdijen e tij, për të nxjerrë teorinë rreth arketipave si struktura ekzistuese dhe universale në pavetëdijen njerëzore.[9]

Tamam, ashtu siç e kemi thënë edhe më parë, Arketipi,[10] më shumë ka të bëjë me atë çfarë krijohet në fillim, d.m.th. me origjinën, për të sajuar pastaj modelin që do të ketë trajtë e formë të subjektit me kompozitat e tij.[11]

1.2. Arketipat e Karl Gustav Jungut

Arketipat e Karl Jungut, janë forma-modele universale, d.m.th. pjesë e pavetëdijes kolektive, një homologim psikik i instinktit. E "kjo pavetëdije kolektive nuk zhvillohet individualisht, por trashëgohet. Ajo përbëhet nga forma paraardhëse, arketipat që vetëm në një formë të dytë bëhen të ndërgjegjshëm dhe u japin një formë të caktuar elementëve të psikikës.”[12] Si duket ato kanë të bëjnë me imazhin e dukurive, dhe me mënyrën e sjelljes së personazheve të cilët brenda atyre rrethanave ndërtojnë personalitetin, e pastaj nëpërmes tyre shpjegohen një varg imazhesh mendore, në varësi me këto personazhe që i ndeshim në romanin Malësorja. Edhe pse “arketipat nuk janë gjëra biologjike, ata janë më shumë kërkesa shpirtërore”[13], ne besojmë se Hajria, ishte ajo gruaja e mençur, dhe padyshim ajo është heroina e veprës, (kurse autori i ka dhënë epitetin Malësore,) po ashtu arketipa të rëndësishëm brenda romanit janë edhe djemtë e saj, Aliu dhe Sabiti, sidomos në raport me nënën dhe qëllimin e saj kryesor për t’i braktisur zakonet dhe dogmat arkaike.[14]

Sipas Karl Jungut, arketipat janë forma që i japin imazh autonom personazheve, veprimi i të cilëve shijohet si proces i pavetëdijes kolektive, së këndejmi “arketipi është pjesë e pavetëdijes kolektive”[15] pasi ata nuk kanë arritur të zhvillohen individualisht, ndonëse kanë gjeneruar ngjarje të shumta, kryesisht nëpërmes ndikimit të kontekstit sociokulturor (zakoneve.) Lloje të arketipave janë zhvilluar tek secili personazh i veprës në fjalë.[16] Këto veti karakteristike, edhe për romanin Malësorja, barten nga personazhi në personazh, ose nga gjenerata në gjeneratë, për të krijuar vijimësinë arketipale, e përshtatshme për secilin personazh të romanit.

Në këto raste ndikimet kulturore dhe rrethanat patriarkale (si zakone paraardhëse,) janë të pashmangshme, prandaj janë ndikues në arketipat e personalitetit të Hajries. Problemet që ishin grumbulluar, pa fajin e saj, kanë ndikuar në pavetëdijen e personazheve, të cilët shpeshherë, nga pavetëdija, kanë përcaktuar sjelljen dhe vetëdijen psikike të Hajries, e pastaj edhe të tjerëve. E në anën tjetër “drama individuale bëhet dramë dhe vdekje kolektive.”[17]

Ndikimi i rrethit dhe i shoqërisë është i pashmangshëm në zhvillimin e arketipave që janë model i imazheve, edhe i simboleve, ato janë shfaqur si forma të pavetëdijes kolektive, dhe janë rezultat i zakoneve të kaluara, të cilat në formë imazhesh janë zbërthyer për gjatë ngjarjeve dhe ndodhive në romanin Malësorja. Vlen të theksohen disa nga bisedat dhe sjellja e personazheve, bashkë me reagimet e tyre, herëherë emocionale, kanë tipizuar disa nga mënyrat për t’i dalluar arketipat, dhe në raste të caktuara, arketipat me ngarkesë negative, janë të njohur për nxitje dhe intriga, prandaj aty ku ka pasur mundësi dhe janë izoluar, (le të kujtohet izolimi që iu ka bërë Sabitit, për ta detyruar atë të heqë dorë nga gjakmarrje).

Për të dalluar më mirë se çfarë është arketipi Karl Jungu, pos të tjerash e ka marrë hijen dhe ka shqyrtuar ëndrrën, të cilat përfaqësojnë pavetëdijen e njeriut. Pra forma e njeriut e shndërruar në hije është një model arketipi, pastaj "nga njëra anë, hija është një arketip që përfaqëson tërësinë e pavetëdijes. Së dyti, hija i referohet aspektit të pavetëdijshëm të personalitetit të njerëzve, karakterizuar nga tipare dhe qëndrime që egoja e vetëdijshme nuk i njeh si të vetat"[18] në anën tjetër Jungu mendon se "Burimi kryesor në një rast të tillë janë ëndrrat, të cilat e kanë këtë prioritet, sepse ato janë produkte jo derivate, spontane të psikikës së pavetëdijshme. Pikërisht ato janë vepra të pastra të natyrës që nuk mund të falsifikohen me asnjë lloj qëllimi të vetëdijshëm.”[19] Në një aspekt tjetër ne i kemi edhe ëndrrat e Hajries të shprehura në romanin Malësorja, qoftë ato ëndërrime gjatë ditës për jetën e saj që nuk u jetua kurrë, ose ato ëndrrat reale sa ishte në gjumë, kur i paraqiteshin lugetërit ose momenti i fundosjes të të birit në ujin e turbullt të lumit të tërbuar dhe në atë momentin kur flaka e zjarrit po e përpinte edhe qenien e saj apatike. E sikur ta pyetnim tani Hajrien, a do të kishte mundësi t’i vërtetonte se cilët nga motivet e shfaqura në ëndrra, ajo i njihte, i përjetonte?! Shikuar nga ky prizëm, personazhet e romanit janë arketipa, ndërsa individi është antagonist ndaj hijes, ndaj ëndrrës, ndaj fenomeneve të tjera. Kjo do të thotë, se personazhi antagonist, i referohet aspektit të pavetëdijshëm të vetvetes që dikush dëshiron ta ndajë me të tjerët. Në këtë kuptim, edhe "uni" i individit është "imazhi arketip i tërësisë," i përjetuar si një fuqi transpersonale që i jep rëndësi dhe kuptim jetës. Në shqyrtimin tonë, Hajria, edhe si nënë që ishte, përbën një imazh arketipal përmes së cilës zbulohet përkushtimi i saj deri në flijim që lidhen me amësinë,[20] pastaj Malësorja, si epitet, është figura më e rëndësishme që përfaqëson arketipin i cili i referohet imazhit të fuqisë së brendshme, e që karakterizohet nga luftimi i hijes (pavetëdijes) do të thotë nga ajo pjesë e pavetëdijes që vetëdija e refuzon. Pra, epiteti Malësore, është sinonim i Heroinës, është vlerë zakonore, së këndejmi është një arketip i romanit, që lufton me vendosmëri kundër hijes, në një mënyrë jo reflektuese, por spontane dhe me durim admirues. Në këtë kuptim, njeriu i mençur sjell reflektim dhe racionalitet në performancën e vet. Malësorja, epitet i zonës, por njëkohësisht Heroinë e romanit, karakterizohet nga këto veti, ajo përmes mënyrës së sjelljes i ka zhvilluar dhe i ka përshtatur efektet e veprimit, kurse "ëndrra e saj është dimensioni më magjik i së ardhmes dhe i shpresës për pafajësinë e saj",[21] në anën tjetër Malësorja është pikturimi realist i imazhit të karaktereve.[22]

1.3. Arketipi, ose pavetëdija kolektive[23]

Arketipat në romanin Malësorja, janë personazhe të mahnitshme, qofshin edhe si pavetëdije kolektive, ata janë elemente të fuqishme në prozën e shkrimtarit. Kuptimi i arketipave të futë më mirë në thellësinë e botëkuptimit të veprës, që është qasja më psikanalitike për fenomenet dhe proceset nëpër të cilën kalonte shoqëria. Leximi i kujdesshëm mundëson për t’i identifikuar më mirë arketipat, dhe në të njëjtën kohë për ta njohur më mirë edhe qëllimin e personazheve që pasqyrojnë historinë e trevës si sjellje universale e shoqërisë patriarkale.[24] Andaj, Hija përfaqëson pamjen e anës së errët, aspektet e pashprehura, të parealizuara ose të refuzuara të diçkaje. Fytyra e hijes është antagonizëm i reales. Hijet mund të përfaqësojnë potenciale të pashkelura, të tilla si afeksioni, krijimtaria ose aftësia psikike e cila nuk shprehet.[25] Megjithatë, simboli duhet dalluar nga shenja, sepse ai ka karakter dinamik dhe të gjallë, ndryshe nga shenja që është diçka e ngurtë dhe statike.[26] Epiteti Malësore, tashmë është rrënjosur në historinë e shkollës shqipe në Kosovë, prandaj është edhe arketipi më përfaqësues i arsimit shqip, gjatë shekullit të kaluar. Malësorja, siç e kemi theksuar edhe më parë është Heroina e veprës, ajo e ka tejkaluar fantazmën[27] e ideologjisë komuniste e cila në masë kishte për qëllim zhdukjen e shqiptarëve në këto treva.

1.4. Arketipi: Instinkt, model apo fenomen psikologjik

Në studimet e thelluara për arketipat thuhet se “kanë prejardhje nga instinktet, me ndikim të rëndësishëm në psikologjinë individuale”[28], e “si rrjedhim ato kanë marrëdhënie shumë të afërta në analogji me arketipat, aq të afërta sa ekzistojnë baza të mjaftueshme për të supozuar se arketipat në të vërtetë janë forma të pandërgjegjshme të vetë instinkteve”[29] pastaj është konsideruar se arketipi është "model"[30], madje edhe si "fenomen"[31]. Në fushën e gastronomisë dhe të marketingut, po sidomos në sferën e ndërtimtarisë dhe të arkitekturës[32], kompanitë e fuqishme i kanë implimentuar me sukses 12 Arketipat e Jungut.[33] Por Jungu, mendonte se “arketipi më i thellë i brendshëm është Vetja”, e këtë e ndeshim në personalitetin e Hajries. Vetvetja, është thelbi më karakteristik i personalitetit të saj, rreth së cilës, pastaj janë të organizuar të gjithë elementët e tjerë që i ndeshim nëpër personazhet e romanit. Edhe pse ajo ka një ose më shumë konflikte të brendshme, arketipi i saj me epitetin Malësore, shkon përtej kapaciteteve të saj, pasi përpjekja e saj për të dëshmuar pastërtinë, përkatësisht pafajësinë, i sjell konflikte të përhershëm kundrejt dyshimeve të pavetëdijes kolektive dhe kundrejt dëshpërimit si pavetëdije individuale.[34] Sipas kësaj, integriteti dhe uniteti i "Unit në personazhin e Hajries", është shprehur në mënyrë hiperbolike për ta plotësuar sa më bindshëm epitetin e figurës së Malësores, e cila ishte përplot ëndrra, fantazi dhe përvoja të cilat i mishëroi nëpër fatkeqësi. Fillimisht, janë arketipa “të vogla”, siç ishte fare e re dhe e vogël edhe Hajria, pastaj me kalimin e kohës, personaliteti i saj, nga hija u shndërrua në realitet,[35] dhe bashkë me të u zhvilluan edhe arketipat, krejtësisht në probabilitet me ngjarjet. Pra, hija, në rastin e romanit Malësorja, dhe në raport me protagonisten, përfaqëson energjinë e anës së errët, aspekte të pashprehura, të parealizuara ose të hedhura të diçkaje, që shprehet si arketipi më antagonist kundrejt qëllimit fisnik të Hajries[36].

Koncepti i arketipit si “sintetizues i një shumësie të dhënash në imazhe të forta dhe të ngulitura, si në historinë e njerëzimit, ashtu edhe në ndërgjegjen individuale”, bëri që mendimi shkencor në fushën e antropologjisë kulturore ta zgjerojë këndin e shqyrtimit.[37] Edhe "Skënderbeu dhe populli shqiptar ishin pjesë e politikës evropiane; rezistenca shqiptare ishte me rëndësi ndërkombëtare, gjë e cila përforcon formën arketipale të rezistencës”[38], pastaj qëndresa dhe flijimi i Hajries, a nuk kishte formë atkitepale?! Fundja e fundit, “e gjithë historia e arkitekturës është veç një arketip i përkthyer në gurë e beton i asaj që ne mendojmë për botën, veten tonë, për njeriun, jetën, vdekjen, zotat, shoqërinë e kështu me radhë”[39], ndërsa në Shqipërinë Socialiste, ndryshimi u ndoq me një fanatizëm primitiv, atëherë kur “arketipi urban i qytetit shqiptar rezulton të jetë pa karakteristika kulturore, gjeografike e historike”[40] dhe ky shkatërrim u bart me pasoja edhe në fushat e tjera, së këndejmi edhe në fushën e librit dhe të kulturës.

Jo rastësisht i kemi futur në përdorim zyrat përkatëse të arkitekturës,[41] të cilat arketipin në fushën e industrisë së ndërtimit, kryesisht e klasifikojnë si ndryshim i nevojshëm evolutiv të objekteve ndërtimore, të cilat kanë të bëjnë direkt me format dhe pamjet, se sa me fjalët e shprehura letrare të cilat kryesisht rreken për origjinalitetin.[42] “Zyra Teorike” për arkitekturë në Berlin, në studimin “Tipi - Prototipi - Arketipi”[43] i japin përparësi pamjes, kur bëhet fjalë për arketipin në ndërtimtari, duke ilustruar studimin me shembuj konkretë, që janë bazuar në teoritë e psikoanalistit Karl Gustav Jung. Për të qartësuar konceptin e arketipave jungiane, revista elektronike për marketing “Hubspot.de”,[44] ka dhënë pamje-figura të avancuara rreth 12 arketipave në marketing. Sipas kësaj, ne kemi të bëjmë me aspekte, natyrore, logjike e historike të ngjashme me disa zhvillime në romanin Malësorja. Pasi qasja ka të bëjë me arketipin brenda romanit, studimi merr kahe nga pamja-dukja e personazhit si arketip.

1.5. Aspekti i veprimit logjik

Karakteri, është personazhi që mishërohet me tipare thelbësore dhe kryesisht ka të bëjë me aspektin logjik të të menduarit dhe vepruarit të një individi apo të karakterit që posedon personazhi i një vepre letrare, i një filmi të shfaqur, i një aktrimi në teatër, ndërsa arketipi kryesisht ka të bëjë me aspektin fizik, pamjen e jashtme të individit, objektit, sendeve, lëvizjet dhe veprimet, madje edhe të hijes së personazhit. Kur jemi tek arketipi, arketipi i personazhit të një vepre letrare, siç është edhe romani Malësorja, është vështirë për t`u dalluar nëse shkrimtari nuk e ka potencuar ndonjë anë të jashtme të personazhit, por me ndihmën e imagjinatës dhe të përfytyrimit, mund të arrihet te qëllimi kryesor. Arketipi i këtyre personazheve, më shumë si nuancë mund të kuptohet duke i pasur njohuritë e mjaftueshme nga shkenca e psikanalizës e cila merret me këto dukuri. Ta zëmë karakteri i një vepre artistike, i një romani a drame të realizuar në teatër dhe film mund të dallohet kollaj, pasi në tribunën e teatrit i shohim lëvizjet, gjestikulimet dhe mënyrën e sjelljes duke i gërshetuar këto edhe me aspektin logjik të veprimit dhe mimikën e aktorit, e kemi më kollaj të dallojmë karakterin, aspektin logjik të aktorit dhe të njëjtin si arketip me pamjen dhe lojën e tij, me lëvizjen dhe veprimin që bën në skenë, për të realizuar jo aq veprën sa rolin e tij të inskenuar në teatër ose në një film. Arketipi, shpjegohet më kollaj në arkitekturë. Në këtë arkitekturë janë të njohura të gjithë arketipat që klasifikohen edhe sipas pikëpamjeve të psikoanalistit Karl Gustav Jung. Por i kemi disa shprehje të cilat në raport me fjalën e shprehur, shpesh marrin konotacion tjetër. Një kompleks banimi - ka të bëjë me një lagje të tërë e cila shoqërohet me tërë infrastrukturën përcjellëse siç janë: rruga, uji, kanalizimet, elektriku, parqet, kopshti, shkolla, shërbimi mjekësor, konsumi ditor, dhe gjëra të tjera përcjellëse, të cilat e bëjnë atë lagje Kompleks i mirë banimi.

Po ashtu kemi edhe “personalitet ose individ kompleks”, si arketip është më kollaj për ta dalluar, ndërsa si karakter çështja është më delikate më komplekse, por fjala është për një individ i cili i posedon të gjitha karakteristikat pozitive, të shkollimit e dijes, sjelljes dhe aspektet e tjera që e bëjnë individin kompleks dhe më të dalluar. Ndërsa në momentin që kalon në mbiemër “i/e” kompleksuar merr konotacion negativ, prandaj edhe tek trajtimi i këtij karakteri duhet të kemi kujdes se duke dashur t’ia paraqesim karakteristikat pozitive, pa vetëdije e bëjmë të kundërtën, ndërsa trajtimi që ne pretendojmë ta realizojmë do të firojë pa u marrë vesh, pa u kuptuar, nëse kemi pasur qëllim negativ a pozitiv, kurse tek lexuesi i zellshëm dhe ata që merren më seriozisht me këto fenomene në romanin Malësorja, janë lehtë dhe qartë të dallueshme.[45]

1.6. Arketipi dhe sjellja e personazhit në veprën letrare

Duke lexuar romanin Malësorja të Nazmi Rrahmanit, përveç njohjes me karakteret e personazheve, lexuesi ndeshet edhe me arketipat e këtyre personazheve, me sjelljet dhe veprimet, ku do të njihemi me lojën artistike brenda romanit, duke pasur secili një rol të veçantë, specifik dhe të dalluar. Këta arketipa i dallojmë jo vetëm nga pamja, por edhe nga forma e tyre, nga sjelljet dhe artikulimi i mendimit, të cilët duke lexuar romanin i përfytyrojmë si figura njerëzore të gjalla dhe me shpirt. Të gjitha personazhet kanë karakteret e tyre, por kanë edhe formën e arketipit me të cilat dallohen nga njëri tjetri, jo vetëm për sjelljen dhe veprimin por edhe për pamjen dhe mendimin logjik. Ato janë individualitete të caktuara që bëjnë jetën e tyre brenda romanit, personazhe të krijuara nga autori sikurse edhe veprimet e tyre janë të kontrolluara pikërisht nga shkruesi i veprës, përkatësisht nga autori.

1.7. Tiparet dalluese të personazheve

Po ashtu personazhet, kanë tiparet dalluese, të cilat sforcojnë karakterin ose mënyrën e sjelljes si arketipa në lëvizje dhe veprim. Tiparet vetjake mishërohen me rolin e tyre brenda romanit, si anë tipike përfaqësojnë karakterin shoqëror, që paraqesin arketipin e individit brenda shoqerisë, kanë veprim logjik dhe lëvizje të kontrolluara, kështu që lexuesi në mënyrë autonome vlerëson veprimin e tyre si një botëkuptim në mes reales dhe rrëfimit të imagjinuar, qoftë ky edhe në aspektin ideologjik.[46] Prandaj edhe brenda romanit kemi personazhin kryesor, Hajrinë, e cila luan rolin e saj në transformimin e botëkuptimeve të vjetruara duke i dhënë shkas shoqërisë për të reflektuar në këto ndryshime. Pastaj kemi karakteret e dyta dhe rolet e tyre të ndyta, pa të cilët nuk do të ishin kaq dalluese as vuajtjet e Hajries, e cila falë presioneve, trysnive dhe padrejtësive të shumta arrin të identifikohet si një grua e fortë, e durueshme dhe si personazh triumfues, e pa dyshim, njëri nga personazhet më pozitive brenda këtij romani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat