Ikja e një poeti që nuk pati kohë të vdesë...

Kultura

Ikja e një poeti që nuk pati kohë të vdesë...

Nga: Ilir Çumani Më: 23 mars 2024 Në ora: 12:52
Ilir Çumani dhe Jorgo Papingji

Thonë se JORGO PAPINGJI e dha frymën e fundit dhe trupin i’a lëshoi tokës.

Por, më besoni Miq, Poeti nuk ka vdekur! Ai nuk vdes, sepse poetët si ai nuk dinë të vdesin kurrë… Ose më mirë, le të themi se nuk kanë kohë të vdesin…

Ngase Poetët e vërtetë si Papingji vijnë në këtë jetë si shërbestarë dhe misionarë të së mirës, të së bukurës…

Ata janë dishepujt e shpresave  dhe dashurive të mëdha, por janë edhe mbartës stoik e të qënësishëm të shqetësimeve e dhimbjeve të mëdha njerëzore.

Ata nuk dinë të  jetojnë kurrë për veten e tyre, ngase jetojnë vetëm për të tjerët, për JETËN, për NJERËZIT, jetojnë për të shkuarën, për të tashmen dhe për të ardhmen….

A nuk ka ndodhur kështu edhe me Mjeshtërin e Fjalës së këngëzuar Jorgo Papingji…!?

Nuk ka fëmijë dhe të rritur, grua e burrë, gjyshe dhe gjyshër flokëbardhë që të mos e njohin poetin, këtë magjistar të Fjalës së Këngës.

Ai hyri natyrshëm pa trokitur dhe pa zhurmë në zemrat e të gjithë shqiptarëve, duke zënë vend në çdo sofër familjare.

Eeeh, sa bukur e jetove JETËN Poet!

Në Vargjet e tua kishte vetëm dashuri, shpresë, dritë dhe JETË…!

Ndaj edhe nuk ke vdekur, sepse nuk dite kurrë të vdesësh…!

Udhëtove pafundësisht në gjithë universin e kësaj bote që të rrethonte, gjithë gazmend, ndaj  vazhdo dhe jeto Miku im Poet, ashtu siç vetëm Ti di të Jetosh!

Sot, në “Ditën e Poezisë”, një poet  zgjodhi të shkruaj elegjinë e fundit hokatare të ikjes së tij të përgjithmonëshme, si për të na kujtuar se asgjë në këtë botë nuk duhet marrë seriozisht, përfshirë edhe vdekjen….

Ndaj, të gjithëve ne, bashkëkohësit e poetit që e jetuam prej dekadash mesazhin dhe kumtin e Fjalës së tij, na takon t’i themi “JO” largimit të Jorgo Papingjit nga bota e të gjallëve….

Të më falësh Poet, por zemra nuk më bindet që të nxjerr nga goja fjalën: LAMTUMIRË!

Të paktën vetëm sonte, ne, të themi: “JO….!”

Kështu e thua edhe Ti në një nga vargjet e Tua Poet!….

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat