Ti poet e unë poete
Eja bashkë të ngremë dete
Bukurinë t’ia shtojmë tokës
Një pëllumb t’ia nisim botës
Ti poet e unë poete
Zgjojmë bashkë amanete
Rreth e rrotull kemi male
Me ullinj e portokalle
Hajt ta rrokim fjalën, shkronjën
Dashurisë t’ia bëjmë kurorën
T’ia shkruajmë vargun historisë
Besës sonë dhe krenarisë
T’ia bëjmë vargun shkëmbit, gurit
Ti gëzojmë edhe Ditët e Flamurit
Ti poet e unë poete
Do kalojmë dëborë e dete
Do kalojmë male e kodra
Atje larg na pret Nanëlokja
Bashkë po thurim fjalë e shkronja
Sytë i mbajmë andej nga Vlora
Po thur vargje historie
Po thur vargje trimërie
Vlora jonë flamuj rrethuar
Fjalë e mençur përqafuar
T’ia bëjmë këngën trimërisë
Në një tel të çiftelisë
Unë poete, ti poet
Kemi bashkë mbi një qind vjet
Për të rilindur përsëri
E krijuar nga dashuria
E lindur nga ti
Në djepin e botës dhuratë e Zotit
Dashuri femërore ti hyjnore
Sikur hëna e përqafuar nga yjet
Me ngrohje trupore nga shenjtëria
Por, ti, sikur të ka mallkuar vetë Perëndia
Ti tempull i urtësisë
Hijeshi e perandorisë
Kurorë toke e ëmbëlsi e gjithësisë
Zanë mali e këngë e lirisë
Kjo botë anti njëri
Shumë herë të bëri
Leckë turpi të pahijeshisë
Ti që strehëzën e pate errësirë
E mbi ballin tënd nuri të bënte dritë
Sa ëndrrat i pate iluzion
A nuk pate të drejtë
Një pik të vetme mbi to të takon
Lutem për ty
Motër nënë e bijë
Grua që dashuron se je njëri
Për të rilindur përsëri...
Të djeshmen nuk e dua
Seç më rënduan ca gurë në gjoks
Mundohen shpirtin të ma rrahun
Mushkëritë e mia i shtrënguan
Ajrin tim e ngulfatën
Jetë e uritur e pa mëshirë
Nëpër rrugë
Gardh drizash më ndërtove
I kalova e lodhje s'pata
Por më beso
Gjembat e tua
M’u ngulën gjer tek palca
Të djeshmen mos ma kujtoni
Nuk e dua historinë
Lash lëkurën e shpirtit zvarrë
Tani e arnoj si këmishën e vjetër
Me gjilpërën e thyer e këto duar varr
Prapë them të djeshmen mos ma kujtoni
Nuk e dua historinë
Kur kishte ftohje e nuk diti më çfarë t'më bëjë
Me copa qelqi në zemër më thumboi
Pse më thua në të nesërmen jetë
Unë të dua
Kur nga dje lojën e shtizave si bariu e hedhe në mua
E unë prapë nuk të quaj jetë të sosur
Se fjala është fjalë e shpirtit im mbetet i përsosur ...
Ndërsa kthehemi në krahë engjuj
Shiko
Ndalu në heshtje e vetëm shiko
A mos është magjia kudo
E di
Asgjë nuk të duket e njëjtë
As koha as njerëzit
Po as edhe largësia nuk është ashtu si duket
Po sikur njëherë e në një kohë
Yjet të mos ishin
Apo edhe ndoshta nuk janë ashtu sikur i mendojmë
E kjo dritë sikur të mos vije
Nga rrezja e diellit në distancë
Po ti prapë mos u ndal e shiko
Fati na thërret një ditë të gjithëve
A thua, mos dashurojmë për të shpëtuar
Sepse mendojmë kur humbim dashurinë
Humbim çdo gjë
Pra pjesë e një plani jemi
Dhe ka një botë përtej nesh
Ku të gjithë një do jemi të lidhur
Ndërsa kthehemi në krahë engjëj...
Të desha mbrëmë
Të desha më shumë se vetë Perëndinë
Më shumë se vargu që ma gatuan shpirti fisnik
Më shumë se laureshën që i këndon qiellit të dëlirë
Më shumë se hënën që rojë i bën dashurisë
Më shumë se diellin e ngrohtë mbrëmë të doja
Më shumë se yjet që në sy më ndrinin bukurisht
Më shumë se bjeshkët me ortekë e kurora
Më shumë se livadhi që pranverës merr dritë
Më shumë se gjaku që më lëvrin në trup si limfë
Më shumë se dritën e zemrës në ditët hirplote
Të dua, shpirt me madhështinë e hyjnisë
Bash si rrugën e re që e nis me urimin e Lokes
Mbi krahët e dashurisë mbrëmë fluturova si flutur e bukur
Si një Zhulietë belbëzoja: “Të dua, të dua, të duaaaa!”
Oh, nuk jam Tatiana që shkruan letra pa fund e përgjumur
Po hedh hapat që e bëjnë më të dashur ditën e praruar
Në gjoks frymon fryma si të isha llavë vullkani
Thith flladet pranverore e nuk ngopem jo ,aspak
Ajo që thith është për mua një litar i gjatë kristali
As një pikë më shumë, as një pikë më pak
Të desha mbrëmë ....
Më jep dorën edhe për nesër
Netët i përkundëm në djepin e hënës
Hapësirën e frymës e puthëm çdo ditë
Malli s'kishte mendje për të ikur
E dielli i pashuar i bënte veç dritë
Hapëroje drejt nga unë
E unë fluturoja nga ti
Në një gjysmë rruge takoheshim
E prapë duhet t'thonim lamtumirë
Por asnjëherë pa premtimin e
puthjes në të gdhirë
Stuhi e harbuar deshi t'na grabit
Lubia e uritur na rrinte karshi
Luftuam me një forcë të dëlirë
Lidhur me zinxhirtë e shpirtit flori
Më jep dorën edhe për nesër
Më merr si çdo natë nën pëlhurën e qëndresës
Aty ku ëndrrat i shtronim aq bukur
Aty ku vetmisë me vargun i fshinim pluhurin
Aty ku larva qëndisë qilimin kadife
Me mëndafshin e dashurisë tonë
Fije e pa këputur përgjithmonë...
Ai çast i bekuar
Gjoksi frymon ngadalë
Mushkëritë revolt me ajrin
Zemra rrahë e ç'rregullt
Shpirti dritën e kërkon
Veç një ëndërr më përloti
Më ngacmoi shpirtin tim
Zemrën tënde e kam unë
Ndaj kam humbur edhe qetësinë
Dritë janë engjëjt ndër mote
Mrekullisë i ngjan qenia jote
Ai çast i bekuar
Kjo zemër e gjetur
Etjen më shuan
E prapë për ty ndihem e etur....
Hija e shpirtit
(Meditim)
Kur hijen e shpirtit
Mundohesh me prek me dorë
E ndjek në dritëditë e natëhënë
Po kur pulsin e heshtjes e gjen diku
I numëron të rrahurat
Edhe në qoftëse e pate kokën mbi një dru
Dhe një pipëtimë e vogël zëri si tërmet kur të lëkund
Atë aromë lëkure e puth symbyllur
Në hundë të shpirtit e përpinë
Malli mushkëritë e zeza t'i bën hi
Ashtu e verbër lutje i bën çastit
Ju o korba të zi
Do t'ia u fal dritën e syve të mi
Vetëm e shenjta ndjenjë të jetoj
E hijen e shpirtit të dashurisë
T'e mbash përgjithmonë...
Djersë e avulluar
I putha duart e akullta gati të ngrira
Në duart e mia të vogla si krahë pulëbardhe
U mundova t’i vë në gjoksin tim të flakërirë
I lëmova me mal si të ishin petalet e zambakëve
Ooo, ç’zjarr i padjegur që në trup më erdhi
Sa pak fuqi kisha sikur të isha zogëz e papluar
Po kisha shpirtin e madh si të isha ylberi
E zemra m’u bë si zjarr i pashuar
I desha duart, si drita i desha çmendurisht
Si lumi që shuhet në një shkretëtirë
Si buzët e plasaritura që duan ngrohtësi
Si sëmundja që shërohet aq shpejt me magji
U ndjeva çmendurisht e dashuruar
E doja bekimin e ditës kur hapat i hedh
E tërë kjo mbeti si gjurmë kohe e ëmbëltuar
Djersa e avulluar e një gjumi të shtrenjtë...
Një letër pas vitesh baba
Në dheun e varrit tënd, ti nuk e di sa kam qarë
Lotët e mi baba, vallë, po si nuk të zgjuan
I mbylle sytë pa më patur aty te koka pranë
E ike me dhimbje, me pengje të pambaruar
Mos vallë është buzëqeshja a loti i nxehtë
Mos është fuqia e qënies që më mposhtë
Besimi si qivur rri mbyllur me enigmën përjetë
E fjala nuk ka aspak forcën që ta thotë
Ti më solle në jetë kur shkrepëtinte dielli
Oh, isha ndjellësja e mbarë e dy dashurive
Rizgjohem në shikimin që ndalet te qielli
E bota jonë ishte e mbushur me gaz dhe me rreze dielli
Kam ende rrugë, baba, rrugë të pashkelur
Nën tokë jetofsh në parajsën e verbuar
Por sytë e mi rrinë përsëri të ngrirë te shtegu
Në pragun e një shtëpie të harruar
Na mblidhje, baba, në sofër si zogj të vegjël
S'ish hera e parë që shtëpia gazin e prekte
E kutiza të arta ngjyrëkristali shihte
E tani sa qiell ka vallë rrotull nëpër botë
Atje ku ti fle ka vetëm heshtje
Po te unë dallgëzon një revoltë
Mbi lulet e varrit tënd ku ti prehesh
Sa i doje livadhet, lulet, shtegun në mal
Flladi i Prishtinës të vinte si puthje
Edhe për kafshët ti kishe mëshirë, baba
T’i bëje nder e jepje ndihmë sa mundëshe
E hape derën e shtëpisë me besë e mikpritje
Pragu lumturonte çdo ditë nga ngrohtësia
Fjala jote e urtë më ngjallte respekt
E me ty ndrinte ditë e natë shtëpia
Dua të të përkëdhel t’i mbush duart me lule
Pa lodhje, pa pendime atje ku je në parajsë
Po bubulloj për ty, pa zë me gulshe
E fyti u ngulfatë, për mungesën në vaj
Shikimi yt shtizon aq ëmbël në qiellin e paanë
Ke mbetur në kujtesë si zbardh në bjeshkë dëbora
Por ti më prit në strehën tjetër, se do jemi një ditë bashkë
Gardianët s'do më ndalojnë te porta
Shpirti t’u ndriftë i dashuri im baba!
Për qiellin e kujtesës
E kërkoj fjalën
Të dëgjoj zërin tënd të ëmbël në bisedë
Larg, në qiell
Buzëqeshja jote po më ngjan si dielli që pas reve rrezon
Sot
Ti je fshehur në parajsë ku lulet nuk vyshken asnjëherë
E mua te porta
Dy engjëj kërkojnë si gardianë të më ndalojnë
O engjëj flatrashkruar
A ma kuptoni mallin e gjoksit të plaguar që si vullkan zjarrmon
Kam ardhur nga larg
Të të përqafoj si një fëmijë që vrapon në livadhet e jetës
E di
Je lodhur shumë, shumë, nga udha e gjatë e pambaruar
E në sytë e tu
Paskan mbetur ende pikëlat e lotit të patharë të mungesës.
E kam në duar
Aromën e djersës së ngrohtë si të ishte fllad maji
Një perde trishtimi
Më ka mbetur në sy që prej vitesh lotë çurgojnë
E dua
Ah , sa dua që të zgjohesh e ëndrrës sime t’ia hedh litarin
E dua
Ah, sa dua të të puth duart e tua a të të prek ballin
Po ti larg ke ikur
Më bëre shoqe me fjalët për terrin e netëve
Prishtina s’më hyn në sy
Kur fjala më hedh në fyt çengelin e zezuar
Kujtomë baba
Në fjalët që dikur t’i shqiptova kur zemra më therte
Bash aty
Në thellësitë e errta ti mbetesh thesari i botës së amëshuar
E këtu, në Vanesborg
Në këtë magji Parisi të vogël Suedie
Me nënën së bashku
Shthurim shtëllungat e bardha
Të kujtimeve që s’mbarojnë
A po dëgjooooon baba?
Me zërin tonë kalërojmë
Në shtatë palë qiej me miliona rreze drite
Për të ngritur
Monumentin e Kujtesës
E të Mirënjohjes që kurrë vyshkje s’pranon
*
Ike baba!....
Ike larg!
Ike….
Pak biografi
Ganimete Jashari u lind në vitin 1973 në Prishtinë. Shkollën fillore e përfundoi në Prishtinë dhe më pas, në moshën 16-vjeçare emigroi në Suedi. Aty përfundoi shkollimet Master, për Ekonomi Civile. Me krijimtari letrare filloi të merret qysh në moshë të njomë, pasion të cilin nuk e ndau asnjëherë nga jeta e saj. Poezitë e Ganimetes janë publikuar në shumë gazeta, revista dhe portale.