KUR KAFSHUAR JETËN
Kur kam kafshuar jetën
Me dhëmbë qumështi
Paskam qarë shumë
Në djepin e ëndrrave
Ma përkujtonte nëna
Kur kam kafshuar kohën
Dikur në burrni
Pata vjellë shumë
Se koha m’i theu
Do dhëmbë e dhëmballë
Zanoret m’u përzienin keq
Në mes do bashkëtingëlloreve
Që s’u bënë rehat...
Ndoshta perëndoj jetën
Pa i shqiptuar të gjitha...
Mëkat!
DROJË NË MENDIME
Kanë filluar të më tremben
Do mendime urtake
Nga djerrakohësit e kohës
Përditë po m’i zënë pritat
Por vazhdimisht po u bëj leqe
Se s’shtë burrni, tani
Të vritem para kohe
Se s’di as si vriten poetët
Apo ç’ofshamë lëshojnë
Në varg apo në rimë
Ku ta di pas vdekjes
A ua dëgjon ndokush, melodinë?!
Mars 2024