Inajetja dhe Çamëria

Kultura

Inajetja dhe Çamëria

Nga: Alfred Duka Më: 28 mars 2024 Në ora: 09:30
Alfred Duka

Para disa ditësh përcollëm për në banesën e fundit mesuese Inajete Tahirin.

Familja e saj vinte nga Igumenica. Në 1946 qyteti bombardohet nga forcat greke. “Gjyshja jonë sapo kishte hapur furrën për të nxjerrë bukën, kur ia dhanë gjylet e grekut. E para fluturoi çatia e tim ungji. Njerëzit dolën jashtë të lebetitur. Ashtu siç ishin veshur e zhveshur. Gjyshi urdhëroi të iknim nga sytë këmbët, por në drejtim të Konspolit...” Ashtu, nëpër zallamahi, pasi kaptuan përruan e Igumenicës, u kujtuan se kishin harruar një fëmijë në djep. Ai më i forti i shtëpisë, u kthye dhe e mori. Nëpër plumba e gjyle topi arrijnë në Konispol. Nga aty, mbërrijnë në Vlorë. Menjëherë shteti i asaj kohe, arrestoi të gjithë burrat e familjes së saj. Iu kërkohej nën dhunë se ku i kishin fshehur florinjtë. Komunistët vdisnin për flori! Pas një viti torture, lirohen. Në 1950 vendosen në Durrës. Trajtohen si gjysëm të përsekutuar. Iu sekuestruan të gjitha dokumentet deri në vitin 1953. Megjithatë pas kësaj kohe arrijnë të sistemohen disi.

Inajetja ka lindur më 02 shkurt 1949 në Vlorë. Shkollën e mesme e kreu në Durrës në vitet 1963 - 1967. Në këtë vit vijon studimet e larta në Institutin Pedagogjik Shkodër, në degën gjuhë - letërsi. Në 1969 emërohet mësuese në fshatin Ujë - Shtrez, Mirditë. Në 1970 transferohet në Perlat Qendër, në fillim mësuese dhe pas një viti, drejtoreshë e shkollës, ku qëndron deri në vitin 1973, vit në të cilin transferohet në Durrës, në shkollën e Qerretit, deri sa del në pension në vitin 1999. Gjatë kohës që ka shërbyer si mësuese në Perlat, ka banuar në shtëpinë time, së bashku me disa mësuese të tjera që vinin nga Tirana, Durrësi, Vlora dhe Rrogozhina.

Që në fillim duhet thënë se të gjitha jabanxhiet kanë lënë përshtypje shumë të mira. Ato sillnin me vete qytetarinë dhe gjithë çfarë përmban ky koncept, në një zonë të humbur, të varfër e të prapambetur, siç ishte Mirdita e atyre viteve, në njëfarë kuptimi edhe sot. Përshtatja e tyre me zakonet dhe sjelljet e atyre banorëve, ishte e paimagjinueshme. Silleshin me edukatë, me mirësi dhe shumë dashuri me banorët, edhe me ata më djallëzorët. Inajetja ishte yll e bukur, një xhevahir i ndritshëm Çamërie, gjithë hir e nur. Ishte e drojshme, fliste pak, më shumë përgjigjej me buzëqeshje se sa me fjalë. Qeshte me gjithë zemër dhe me shumë përzemërsi gati me këdo, por pa u përzier me askënd, pasi ishte shumë e zonja për t’i vendosur limite cilido që tentonte me i shkelur ato. Bisedonte gjatë me gjyshen time, pa pikën e bezdisjes, pasi ajo një plakë në fund të jetës ishte. Im atë, e ngacmonte me zhargonin vendas, duke e pyetur: Inajete, a e ke nanën e mirë? Pyes kot se e mirë duhet të jetë patjetër, pasi nuk ke pas nga me dalë, aq e mirë sa je ti. Kur do të na e biesh këtej nga katundi? Ajo qeshte dhe i premtonte tim eti, se do ta sjellë, të rrijë ca ditë këtej. Do ta mbajmë mirë, shpotitte im atë, por ajo fillimisht nuk e kuptonte nëntekstin e fjalëve të tij, derisa ia mori dorën dhe më pas i përgjigjej me të qeshurën unike të saj.

Pas disa kohësh erdhi tek Kulla, i jati me të ëmën dhe im atë, i priti shumë mirë me ato që ishin mundësitë e atëhershme, por në sytë e të jatit të saj, gjoja i zemëruar me të, i thoshte se nuk e kemi pas lënë kështu! Po ja e solla, i përgjigjej pafajshëm Inajetja. E solle, e solle, por nuk e kemi pas lënë me e sjellë të shoqëruar, o Inajete! Pastaj qeshnin të gjithë me gjithë zemër.

Mbaj mend njëherë një dialog të saj me një fshatar që mbahej si i ditur:

- Inajete, kam ndigju se je nga Qamëria.

- Po, tha ajo dhe i ndritën sytë, çame jam.

- Dmth, nuk jeni shqiptare?

- Si nuk jam shqiptare? Çfarë jam atëherë?

- Grekofone, me sa di unë.

- Çamët grekofonë janë, por janë shqiptarë!

- E dija unë se je grekofone, e dija, - u ngref katundari em.

- Nuk po kuptohemi më duket, - ia ktheu Inajetja. Çamët andej nga vjen familja ime, janë grekofonë se janë të detyruar, pasi jetojnë në shtetin grek, por janë shqiptarë.

- Po, si janë shqiptarë, kur janë grekofonë?! - ia priti triumfalisht katundari em.

Ai nuk e bënte dot dallimin e grekut me grekofonin, pasi i dukeshin e njëjta gjë. Çështje injorance. Ajo kërkonte ndihmë, për t’i ardhur në krah, por mbeti vetëm.

Pasdite, porositi nënën time që ta lajmëronte kur të kthehej nga puna im atë.

Erdhën të dy bashkë në kullë.

- Ore Pjetër, përse janë kështu... këta njerëz kështu?

- Ti merru me kalamajtë e shkollës, se këta të tjerët kështu janë. Kanë mbarue punë! Ti shpëto ato, këta m’i le mua, - ia ktheu im atë, se këta kaq dinë, për Zotin.

- Ore, këta më quajnë greke mua! Nuk e dinë këta se çfarë nuk na kanë bërë grekët, vetëm se jemi shqiptarë? Im atë di greqisht dhe është grekofon, por nuk është grek dhe i shkonin lot për faqe papushim.

- Unë e di se ç'është greku, grekofoni dhe çami, pasi i kam njohur në jetë dhe në burg, por ndoshta ta ka thënë pa të keq, pavarësisht se nuk është ndonjë farë burri ai që të ka thënë...

Edhe pasi u transferuan ajo ka ardhur disa herë në Perlat dhe takohej me njerёz që e kishin respektuar. I kemi mbajtur lidhjet familjare. Kam shkuar disa herë ndër vite dhe çdo herë e gjeja ashtu të qeshur e të mirë si ajo. Edhe kur vitet, zënë e shënjojnë sinoret në rrudha...

Por fati nuk qe me të, pasi ajo nuk arriti të krijojë një familje të sajën. Mbeti gjithë jetën fshatrave të Mirditës dhe Durrësit, derisa doli në pension. Pastaj vetmia, si vetmia. Me moshën, filluan problemet shëndetësore. Glaukoma e sulmoi keqas derisa vitet e fundit të jetës së saj, i kaloi në errësirë të plotë. Siç ndodh në raste të tilla, ikja e shikimit, i pat mprehur të dëgjuarit dhe si të thuash, i njihte njerëzit nga zëri.

Më mori në telefon përpara disa javësh dhe e lamë për t’u takuar, por pamundësia ime për momentin dhe nuk e pashë, derisa më erdhi një SMS nga e motra: “Inajetja ndërroi jetë. E kam amanet prej saj, për të të njoftuar”. Sigurisht që shkova në ceremoninë e saj, vendosa dorën mbi arkivol, por nuk pata mundësi për t’i hedhur një dorë dhé, sepse duhej të pija një kafe edhe në Rrëshen, për vdekjen e nënës së një mikut tonë.

U prehësh në paqë Inajete Tahiri! Të kam dashtë si fëmijë dhe i rritur njësoj!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat