Te shtëpia e prindërve...

Kultura

Te shtëpia e prindërve...

Nga: Albert Habazaj Më: 7 prill 2024 Në ora: 00:06
Albert Habazaj

Portës që me antindryshk kisha lyer,

Dryni i është ndryshkur, mezi e hapa,

Zemra e fortë - si qelq i brishtë thyer

Tek futem në shtëpi, më rëndojnë hapat.

 

Shoh fotografitë e prindërve në mur varur

Ngadalë kaloj nëpër dhoma në heshtje malli,

Jam para tyre fëmijë dhe pse i zbardhur

Dallgët e halleve më bënë rrobull mali.

 

Heshtja dhomat në të dy katet ka mbërthyer

Mbushur ato me cerga e merimanga

Në çdo cep tavani, çdo dritare e dyer,

Ndjeva brenda muresh lirinë me pranga.

 

Jashtë shtëpisë ngjyra-ngjyra kopshti

Oborri qesh e lulëzon nga blerimi,

Lulet e kumbullës, të mollës, të ftoit

Shpërthejnë për të më hequr trishtimin...

 

Fjalët e mia më duken si zogj të ngratë

Mungesa e prindërve keq më paska prekur,

Hapur do ta mbaj atë shtëpi të bardhë

Jashtë më ledhaton rrushkuqja e dehur...

 

Tërbaç, e shtunë, 6 prill 2024

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat