Reflektim prapavajtës pas 43 viteve [vazhdimi i 2-të]

Kultura

Reflektim prapavajtës pas 43 viteve [vazhdimi i 2-të]

Nga: Baki Ymeri Më: 7 prill 2024 Në ora: 20:46
Faridin Tafallari

Rezultati numerik i pjesëmarrjes në demonstratat e vitit 1981, të organizuara në Perëndim nga LNÇKVSHJ-së, OMLK-së, FKP-së, - më saktësisht nga Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka dhe FKP, - pos ndikimit të Kryengritjes që sapo kishte ndodh në Kosovë, ishte meritë kryesisht e anëtarëve dhe tifozëve të FKP-së, sepse deri në prill 1981, siç informova në vazhdimin pararëndës, LNÇKVSHJ dhe OMLK nuk kishin anëtarë, rrjedhimisht rrjet informues në Emigracion. Por epërsia e FKP-së nuk u shfrytëzua për të lëshuar thirrje për demonstrata në emër të saj, siç u lëshuan herë në emër të LNÇKVSHJ-së e herë në emër të OMLK-së, sepse kemi menduar që emri i FKP-së nuk ishte pragmatik për metropolet ku i mbanim demonstratat dhe tubimet informative.

Fenomenale ka qenë bashkëveprimtaria nga 5 prilli deri në fund të korrikut 1981. As pjesëmarrësit aktiv në ato angazhime, as vrojtuesit e jashtëm, nuk kanë vërejt të ketë pas ndonjë lloj gare në mes të organizatorëve, për t’u imponuar si udhëheqës kryesor. Bile, kam përjetuar një prepjekje idiotike të Nuhi Sulejmanit, i cili i pat thënë Jusufit se vetëm Kadriu po afirmohet si udhëheqës, sepse vetëm ai po i mban fjalimet në demonstrata. Jusufi ia preu me sqarimin, se ai ka dhunti oratorinë për fjalime në demonstrata, ndërsa unë e ndihmoj me formulim të ndonjë fragmenti për fjalime dhe në përgatitje të materialeve tjera.

Pas mbaruam ciklin e demonstratave filluam bisedimet për bashkim. Nisma ishte nga Kadriu, të cilin OMLK e kishte ngarkuar. Ai paraqiti platformën të quajtur “Tezat për Frontin Popullor për Republikën e Kosovës”, të cilin e kishte hartuar OMLK-ja në Kosovë. Po ndodhnin bisedimet në Emigracion sepse në Kosovë ishte bërë e pamundur për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme. Nga pikëvështrimi i sotëm, e saktë do të ishte të thuhet se në Kosovë edhe OMLK, edhe LNÇKVSHJ nuk kishin protagonistë kompetent për bisedime, meqë ishin burgos e arratis, ndërsa FKP nuk ishte angazhuar asnjëherë për anëtarësime në Kosovë.

Edhe pse u shfaq një si garë në mes të Jusufit dhe Kadriut, kush ishte njohës më i mirë i teorisë përkatëse për organizim marksist-leninist, shpejt e miratuam platformën e organizatës që do të delte nga bashkimi. Jusufi e finalizoi me korrekturë drejtshkrimore, e faqosi si broshurë, e shumëzuam dhe ua shpërndam bashkëveprimtarëve. Kërkesa e Jusufit në përmbyllje të bisedimeve ishte: të ndërohej udhëheqësi i tij, Sabri Novosella, si veteran i veprimtarisë revolucionare, me fomalizim të bashkimt. Fatkeqësisht ai propozim e prolongoi bashkimin formal, të cilin e patëm miratuar në parim. Akoma më keq: bashkimi dështoi kur më 14 tetor 1981 në Turqi u takuan Sabri Novosella dhe Kadri Zeka (me prani të Bardhosh Gërvallës)...

Pasoi hidhrimi i Jusufit ndaj Kadriut, të cilin e shfaqi në organin e LNÇKVSHJ-së, “Zëri i Kosovës”, viti i parë, numri 1, nëntori 1981, por edhe në letra që Jusufi ua ka dërguar disa bashkëveprimtarëve. Në dasmë të Kadriut dhe Saime Isufit, më 2 janar 1982, biseduam Jusufi, Kadriu dhe unë (me insistimin tim). U mirëkuptuam se duhet ta riaktivizonim bashkëveprimtarinë, duke realizuar bashkimin e rakorduar në fund të korrikut 1981.

Më 16 janar 1982 Jusufi na ftoi Kadriun dhe mua të shkonim te ai. Në agimin e 17 Janarit 1982 miratuam bashkimin!

Gabimi im qysh në nisje të veprimtarisë në kuadër të organizimit klandestin (i quajtur gabimisht “ilegal”) ishte: themelimi i FKP-së. Isha i dominuar nga idealizmi revolucionar adoloshent prandaj ua kam mundësuar dy satrapëve (Xhevat Ramabaja e Besim Rexha) të më joshnin e shpërdornin për të bashkëthemeluar organizatë, duke ia vënë emrin tepër bombastik, sidomos për rrethanat dhe shtetin ku ndodhi. Gjermania ishte në panik histerik, sepse RAF (Fraksioni i Kuq Ushtarak) po bënte kërdinë me atentate e sulme terroriste.

Në verë të vitit 1979 pasoi edhe përplasja me – pa nder me thënë – “Emil Kastriotin” (Emin Fazlinë), i cili u tërbua për dëbimin që ia pata bërë marionetës se UDB-së, Fekë Dautaj (nga Kodralia e Deçanit). Atë aventurë e ndërmora sepse më luti Diplomati Simon Qirici, i cili pat arsyetuar se Feka po e bezdiste Ambasadën në Vjenë me survejimin të përhershëm. Nuk pata nevojë të më bind, sepse Fekën e njihja qush nga fundi i viteve të 1960-ta në Kosovë (meqë ishte shok e koleg i Dajes Ramë Iberdemaj). Feka tashmë ishte caktuar edhe kryeredaktor i fletushkës së Emil Kastriotit “Besëlidhja shqiptare”, edhe pse ishte gjysmanalfabet. Si hakmarrje Emini/Emili shpërdoroi gazetën e emigracionit kroat “Hravatska Drzava”. Aty ai shpifi se unë isha anëtar i RAF-it. Pasoi sulmi nga Njësia speciale gjermane antiterror GSG9 në konvikt të studentëve në Bochum, ku banoja. Pasuan përndjekjet policeske, duke ma ndaluar edhe angazhimin si përkthyes në institucione gjermane që e ushtroja herë pas here, për mbijetesë sociale. Pasoi edhe hidhërimi i Alabanologut kroato-shqiptar Dr. Lazar Dodic (i lindur në Janjevë të Kosovës, i shkolluar në shkollat jezuite në Shkodër, doktoratën në Romë), ligjërues në Ruhr-Universität, i cili deri atëherë po më këshillonte e ndihmonte si ta kisha prind... Ato gabime ma pamundësuan cilëndoqoftë karrierë intelektuale e politike në Gjermani...

Ky informim telegrafik arsyeton tërheqjen time nga çfarëdolloj gare për udhëheqës, prandaj po mirëprisja si qorri sytë që Jusufi dhe Kadriu të bëheshin udhëheqës të Emigracionit tonë patriotik. Ndihesha i mjaftuar të merrem me propagandim e organizim në terren dhe me identifikimin e marionetave të shërbimeve armiqësore, që na penetroheshin në organizimin tonë.

Më 17 janar 1982 pata fatkeqësinë e mbijetimit të atentateve që na goditen (sepse është përvijuar praktika të vlerësohen vetëm ata që na i vrasin armiqtë...). Në aspektin “teknik” Jusufi ishte meritor që unë i mbijetova atentatet, sepse ai këmbënguli që unë të udhëtoja bashkë me Sylë Nuhajn (nga Jezerci i Ferizajit, imigrant në Dyseldorf) për të dërguar videokasetën me filma në Klubin Shqiptar në Dyseldorf. Unë dëshiroja të rrija me Jusufin dhe Kadriun që t’i shoqëroja gjatë përpilimit të dokumentacionit për bashkimin, të cilin e patëm bërë në agimin e asaj dite.

Ndoshta nuk është blasfemike të spekuloj: nëse do të kisha qëndruar aty, Jusufi, Kadriu e Bardhoshi nuk do të delnin në atë kohë për t’i telefonuar Kadriu bashkëshortes Saime, për ta informuar që nuk po shkonte atë natë, meqë për raste të ngjashme nuk kisha përmbajtje konstruktive, bëja ironizme “burrnore”. Atë fatkeqësi të mbijetesës u detyrova ta vuaj gjithë jetën, meqë ustallarët e luftës speciale, subverzive, të shërbimeve armiqësore, por edhe viktimat e tyre, e shpërdoruan maksimalisht për t’më disredituar, edhe duke shpif se unë isha marionetë e shërbimit që kishte urdhëruar vrasjet [Ndërsa satrapi Riza Salihu akuzonte policinë gjermane si vrasëse të Jusufit, Kadriut e Bardhoshit, ndërsa mua si informator i policisë gjermane...].

Tragjedia vrastare na goditi rëndë, meqë pos që humbëm udhëheqësit, pasoi komploti që po e koordinonin UDBashët Sabri Novosella e Abdullaha Prapashtica. Siç do ta marrë vesh më vonë, ata, qysh kur kishin dështuar bisedimet mes Kadri Zekës e Sabri Novosellës në Turqi (tetor 1981), kishin filluar “bisedimet” për bashkim në mes tyre (gjegjësisht në mes të LNÇKVSHJ-së dhe PKMLSHJ-së). Dhe vetëm para pak kohe u publikua edhe radiogrami (kabllogrami) përkatës, të cilin Ambasada shqiptare në Turqi ia ka dërguar Ministrisë jashtme në Tiranë, më 16 janar 1982. Në atë kabllogram shkruan se Abdullah Prapashtica më 16 janar 1982 i ka dorëzuar Diplomatit Bujar (Kadri) Hoxha kopjen e marrëveshjes në mes të Abdullah Prapashticës e Sabri Novosellës, të firmosur nga këta dy, për bashkim të organizatave të tyre. Meqë vrasjet kanë ndodh një ditë më vonë, të dielën e 17 janarit 1982, Abdullahu dhe Sabriu e kanë shty publikimin e “bashkimit” të tyre për një muaj...

Duke pas parasysh rrethanat që u krijuan në Familjen Gërvalla pas vrasjes dhe për shkak të informimit se policia kishte bastis në shtëpinë ku banonin Gërvallët të gjitha materialet që kishin të bënin me veprimtarinë çlirimtare të Jusufit, u përcaktova ta hesht bashkimin që kishim bërë, meqë nga përvoja si përkthyes dija që institucionet hetimore gjermane i kthejnë materialet e bastisura pasi t’i kenë analizuar e kopjuar. Po e ritheksoj: u përcaktova të mos informoja për BASHKIMIN që kishim bërë në agimin e 17 janarit 1982. Heshta edhe për arsye se Sabri Novosella menjëherë kishte caktuar “kryeplak” të ceremonisë mortore Nuhi Suljemanin, të cilin qysh nga viti 1978 e dyshonim për informator të agjenturave jugosllave. Ndërsa rreth katër ditë pas vrasjeve nga Kosova erdhi Xhafer Durmishi (alias “Skenderi”), i cili na e prezantuan si trashëgimtar organizativ i Jusuf Gërvallës, i ngarkuar nga udhëheqësi Sabri Novosella...

Taktika e heshtjes dhe e përfshirjes time në komplotet që po bënin Sabri Novosella, Abdullah Prapashtica dhe Xhafer Shatri, të mbështetur nga marionetat e tyre Xhafer Durmishi, Osman Osmani, Hasan Mala, u tregua e sukseshme; ishte taktika që e zgjodha, sepse nuk kisha zgjidhja më të mirë. Abdullah Prapashtica me tre marionetat e tij u dëbua nga Lëvizja (LRSSHJ/LRSHJ) në verë 1983. Sabri Novosella dhe 5-6 marionetat e tij (Xhafer Durmishi, Xhevat Ramabaja, Milaim Zeka, Haxhi Berisha...) u vetëlarguan në prill 1984, pas krimeve që na i shkaktuan në manifestim në Dyseldorf. Xhafër Shatri u vetëlargua në vitin 1985. Hasan Mala, udhëheqsi i “Lëvizjes me adresë” u shkëput nga “Lëvizja pa adresë” në mars 1987. Ky “pastrim” i Lëvizjes bëri të mundur organizimin Mbledhjes se parë të përgjithshëm, në korrik 1987, duke e realizuar përcaktimin ideopolitik të BASHIMIT të 17 janarit 1982! Vetëm në këtë Mbledhje për herë të parë ndodhi zgjedhja demokratike e organeve të Lëvizjes përmes garës pluraliste. Edhe Organizatës iu përshtat emri nga LR(S)SHJ në: Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës (LPRK). [Në Mbledhje e tretë të përgjithshme, tetor 1991, LPRK u modifikua në LPK.] Edhe platforma që miratoj Mbledhja e parë e përgjithshme u bazua në platformën që kishim miratuar gjatë korrikut 1981, të cilën e patëm përvetësua si platformë e bashkimit më 17 Janar 1982!

Primitive: mallkim armiqëve dhe marionetave të tyre mercenare, të cilët më kanë terrorizuar më shumë se mjaft!

Njerëzore: të falur qofshin viktimat e mashtruara e të manipuluara, që shpesh herë ishin më shpifës dhe më agresiv se ustallarët e luftës speciale dhe marionetat e tyre mercenare! Lavdi bashkëveprimtarëve Jusuf e Bardhosh Gërvalla! Falënderim bashkëveprimtarëve të atëhershëm! Falënderime edhe për keqkuptime!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat