Dashuria dhe njeriu me flatra (Romani i shkrimtarit Visar Zhiti në Rumani)

Kultura

Dashuria dhe njeriu me flatra (Romani i shkrimtarit Visar Zhiti në Rumani)

Nga: Prof. Dr. Adrian Lesenciuc Më: 10 prill 2024 Në ora: 23:48
Foto ilustrim

Në numrin e fundit të revistës dyjavore kombëtare të kulturës “Tribuna”, e cila botohet në kryeqendrën e Transilvanisë, në Rumani, Cluj Napoca, është botuar një ese e prof. dr. Adrian Lesenciuc për romanin “Perëndia mbrapsht dhe e dashura” e shkrimtarit tonë të mirënjohur Visar Zhiti, botuar në Shtëpinë Botuese A të ALAR-it. Adrian Lesenciuc është poet, prozator, kritik letrar, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve, filiali Brashovë dhe ka manifestuar një interes të posaçëm për letërsinë shqipe. Libri është përkthyer mjeshtërisht nga Cătâlina Frâncu dhe është promovuar në Teatrin Kombëtar “Marin Sorescu” dhe i janë kushtuar disa emisione televizive nga Televizioni Kombëtar i Rumanisë TVR.

Një roman me densitet të jashtëzakonshëm poetik, Dashuria dhe njeriu me flatra, (titulli në origjinal: “Perëndia mbrapsht dhe e dashura”, shën. ynë) shkruar nga Visar Zhiti, i kërkon lexuesit pak kohë për t'u mësuar jo aq shumë me kthjelltësinë dhe qashtërsinë e imazheve të marra nga realiteti i papërpunuar dhe të dhëna sipas një rendi kujtese ose imagjinate, por dhe me troçitjen faktike.

Megjithëse një roman i bëmave të kujtuara, thellësisht të brendëzuara dhe të mbarsura nga një model kulturor i përjetimit të dramës, megjithëse një ravijëzim i brendshëm i fakteve në një orë drejtpeshimi midis njësive të mëdha kohore, historia nyjtohet në mënyrë epike dhe propozon një dyfishim të trajektores faktike, me lirikën dekoruese të interierëve të dramave të mëdha.

Në lëçitjen e këtij libri nevojitet një kohë shtesë leximi, në të cilën harmonitë e tragjedisë mund të prodhojnë dridhërimën e mëvonshme dhe kështu të riprodhojnë në mendjen e lëçitësit muzikën e dramës, jehonën e saj.

Shtresëzimi i rrëfimit, përmes vendosjes alternative në rrafshe të ndryshme narrative, më pas, duke projektuar nënshtresën thellësisht lirike si lëndë e tejdukshme dhe e rrjedhshme, e cila lejon përfshirjen e zgjatimeve të reja epike, e bën romanin Dashuria dhe njeriu me flatra një shembull të mjeshtërisë autoriale të poetikës romanore. Sigurisht një tragjedi, në një botë bashkëkohore, e cila, e tërhequr në margjina, duke asgjësuar mitet e mëdha dhe duke e rrëgjuar perceptimin e botës në dinamikën e vetëlëvizjes, pa pika referimi kulturore, epistemike apo fetare, e ka vrarë tragjedinë, e eliminon atë nga menjëhershmëria e shkrimit, romani Visar Zhiti nuk është anakronik. Përkundrazi, në përputhje me një prirje europiane për të ringjallur qendrën e eposit parak, pa lënë pas dore përzierjen e zhanreve specifike për shkrimin e këtyre kohërave - shkrimtari shqiptar është mjeshtër i kësaj zgjidhjeje të shkrimit nën shenjën e synimit të tij, jo i përafrimit me modën - në afërsi të një prirjeje për të ringjallur mitet parake dhe rigrupuar mjetet poetike në kuptimin e rikrijimit të një rrugëtimi të gjerë epik.

Visar Zhiti na ofron një roman aktual, si të nxjerrë nga thellësia e veprës së Eskilit, por sjell në ditët e sotme dhe frymëmarrjen bashkëkohore romanore, në mënyrën aktuale të ekspozimit të interierëve të indinjuar nga historia.

Eskili kishte propozuar përdorimin e tragjedisë si mjet për të promovuar një model (në frymën e kohës dhe vendit) të të kuptuarit të botës, që përfshinte dashurinë për atdheun ose kultin e virtytit, Zhiti nuk i shmanget linjës eskiliane, por sjell në plan të parë, në vend të tragjedisë së atrisianëve të Agamemnon-it, Hoeforët, Eumenidët dhe Orestias, apo vetë kalaja e Mikenës, tragjedia e disa personazheve të shkëputur nga realiteti i një shekulli shtypjeje dhe një rajon jo larg nga verilindja e Peloponezit.

Në rrëfimin e çiftit Felix Konti - Ema Marku shkruhet tragjedia e një Shqipërie të drobitur nga regjimi komunist. Visar Zhiti na bën të harrojmë se ka pasur dikur, në kohët parahomerike që letërsia bashkëkohore shqiptare (kryesisht Ismail Kadare) shfrytëzon, duke përditësuar hapësira të vjetra dhimbjeje, kalaja mikenase që bashkohet me Trojën dhe e ekspozon Shqipërinë në lakuriqësinë faktike si vendi i tragjedisë, si Atdheu i Absurdit, si Absurdland.

Në një aktakuzë të vonë, personazhi Felix parashtron arsyet e një akuze nga një rast i komunizmit shqiptar që nuk pati shanse në një gjyq në asnjë gjykatë të historisë - i dalë nga vitet e komunizmit venal, personazhi imagjinon se ai mund të shkojë në Tribunalin e Hagës për të hedhur në gjyq gjithë atdheun - duke theksuar atë që në projeksionin mizor të realitetit të atyre kohërave përkthehet në një tragjedi të panevojshme, të cilën perënditë nuk e kishin kërkuar, që fati nuk mund ta shpjegojë dhe që kori i lashtë nuk mund të qetësojë, por përpara të cilit një Europë e shurdhër nuk ka forcë të përkulet:

““…jemi i vetmi vend në botën moderne që ka dënuar jo vetëm njerëzit, por edhe emrat, edhe varret, madje edhe kuajt, pemët, deri dhe fotografitë, thoshte Feliksi, diktatori me gërshërë i priste, në fillim kokët, pastaj fotografitë e atyre kokëve, ose anasjelltas, gërshërët janë ende në Muzeun Kombëtar, me bojë të zezë nxinte nëpër fotografitë historike ata që nuk i donte më, jashtë nga albumet, nga kujtesa kolektive [...]” (fq. 286-287).

lexim e sipër, faqet e romanit shndërrohen gradualisht në faqet e aktakuzës së Feliksit, të ekspozuar në një Europë të shurdhër ndaj dramave, në një Europë që tashmë ishte zhveshur nga mitet e mëdha, por veçanërisht nga rrëfimet e mëdha themeltare. Feliksi bëhet një personazh absurd në kërkimin e tij donkishotesk për të arritur dy qëllimet e lirimit dhe të gjykimit planetar. Rrugëtimi i tij europian nis në një Itali të lirë, në Bari, ku ai i kundërvihet dhunës ndaj të ikurve shqiptarë në gadishull Italian, duke nëpërmendur dhe dhunën e hasur tek La Ciociara, romanin e njohur të Alberto Moravias. Dramat e historisë shqiptare po shpalosen si ato mikene, më parë: “Lufta e Dytë Botërore s’ka mbaruar ende për ne, andej në bregun tjetër… ju them unë, dezertori i saj…” (f.30). Brenditë e jetës së tij, përpara se të udhëtonte rrugën nga Bari në Vjenë, të shënuara nga ndalesat dhe shpotitë, megjithëse Feliksi është arsyetari i Shqipërisë, janë shënuar nga pika referimi të qarta, mes tyre vdekja e babait, e dërrmuar nën peshë, e sëmundjes që lindi nga shqetësimi, apo pasqyra e familjes së kohëve të hershme, duke refuzuar të ekspozojë fytyrat e të pranishmëve komunistë:

“Natyrisht fytyrat nuk janë tonat, - kishte thënë një djalë xhaxhai i babit, i liruar nga burgu dhe që erdhi për vizitë fshehurazi një mbrëmje. - Si të të duket jotja fytyra, kur atë ta ka marrë… shteti? Dhe e vendos fytyrën tënde ku të dojë, në rresht, në parakalim, në aksione të detyruara, si tullat në mure fabrikash, ose si tabelë qitjeje në kufi ose e nxin. I heq pjesë, buzëqeshjen, i shkul flokë, krihu kështu, urdhëron, jo këta vathë, i nxjerr njërin sy, të dy, veshët, dhëmbët, tortura, ah! Sa të shkon trishtimi, por nuk lejohet… Ti ta duash pasqyrën, a je i bindur se po të rrëfen të vërtetën? Mundohu të kuptosh veten, të ndreqësh çfarë nuk të pëlqen, jo thjesht në fytyrën tënde, por më thellë, në shpirt”, - kishte thënë djali i xhaxhait i babit, që, megjithëse s’ishte i vjetër, pinte duhan me llullë. Pas atij tymi shtëllunga-shtëllunga, jo vetëm fjalët e tij, por edhe buzët, nofullat, sidomos vështrimi i rëndë, merrnin mister.” (f.72).

Në këtë kuadër të tragjedisë së përgjithësuar, të shtetit që shtyp individin, drita e romanit përqendrohet te historia e dashurisë. Fotografi Felix Konti, gjatë viteve të ushtarisë në Shkodër, mbërrin aksidentalisht në sallën e gjyqit dhe, duke qenë i pranishëm në gjyqin e gjimnazistes Ema Marku, me një bukuri, zgjuarsi dhe vendosmëri të paimagjinueshme, arrin ta kapë atë në një foto. Historisë së mungesës së dhimbshme të babait i shtohet, gjysmë shprese, edhe iluzioni i përmbushjes përmes dashurisë për Emën. Ema do t'i përgjigjet atij në përputhje me rrethanat.

Të dy pozicionohen kundër sistemit dhe shtypen. Feliksi është kundër sistemit nga mospërshtatja e thjeshtë në politikën diktatoriale që përkthehet me “shtypjen e mendimit”, por kundërshtari i vërtetë i regjimit është Ema. Ka një fisnikëri në qëndrimin e saj që përcillet nga familja - duke vizituar burgun ku ishte ajo, gjyshja e Emës do t'i thotë kryerojës: " Dal, tha, vij me e pa, se me kët rast shof dhe Shqypninë. Atë të burgjeve dhe vuajtjeve, se Shqipëritë e tjera qenë shembur.” (fq.192-193) - dhe një vendosmëri për të çrrënjosur burgun e kthyer si një hapësirë ​​kastrimi (shih kortezhin e grave, f.200) dhe abuzimin seksual.

Duke arritur ta kthejë takimin e rastësishëm në një histori dashurie që digjet nga densiteti i tragjedisë greke, Visar Zhiti ekspozon paralelisht me rrugët e kërkimit europian të heroit të tij, kujtimin e kësaj historie të konsumuar nën dërrmimin e një shoqërie që nuk i kishte zhveshur rrobat e së keqes.

Heronjtë e lidhur me zinxhirë reduktohen në një trup të vetëm. Por dashuria e tyre kushtëzohet nga kontekstualizimi: “Do të më doje ti, po të mos ishte diktaturë? - më pyeti Ema një mëngjes herët me zërin mërmëritës, paksa të ngjirur” (f.216), kushtëzohet nga prania e së keqes: “e keqja na bën të kuptojmë më mirë se kush jemi” (f.219). Kontekstualizimi ndodh në një shkallë shumë më të madhe, duke e vendosur historinë në absolutin tragjik, të trashëguar nga Eskili. Vrasja brutale e Emës në post-komunizëm, drama e Feliksit, kërkimi i tij për ta bërë zërin e tij të dëgjohet në një hapësirë ​​të shurdhër ndaj tragjedisë e përforcojnë dramën. Absurditeti i reales turbullohet nga zëri i sistemit: “Ajo që është personale është kolektive dhe ajo kolektive është personale” (f.222), thotë një agjent i Sigurimit. Ka, do të thonë, një risi, të cilën askush nuk mund ta kundërshtojë dhe e reja është trans-sistemike, trans-historike, trans-kulturore. Tragjedia e vërtetë është shurdhim dhe heshtje në dramën njerëzore.

Në atë hapësirë ​​të kalimit përtej, mes shekujsh dhe mijëvjeçarësh, të koloraturës së një kryeqyteti europian, Vjena, ku ndodh tragjedia e vërtetë, lind historia e Visar Zhitit, e cila bëhet në vetvete aktakuza që Feliksi nuk mund ta ekspozojë. Sepse, përfundimisht, personazhi fotograf nuk bën gjë tjetër veçse praktikon atë që në shqip quhet thjesht: “dritëshkronjë” (f.100).

Përkthimi dhe shënimet nga Dr. Luan Topçiu

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat