Iliri Ikonomi me “Apostulli” mori çmimin “Lumo Skendo”

Kultura

Iliri Ikonomi me “Apostulli” mori çmimin “Lumo Skendo”

Më: 11 prill 2024 Në ora: 16:51
Foto nga vendi i ngjarjes

Sot në Tiranë një juri më nderoi me çmimin prestigjoz Lumo Skëndo për librin "Fan Noli - Apostulli". Ngjarja organizohej nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit.

Thashë edhe unë ca fjalë për njohjen e Lumo Skëndos (Mid'hat Frsshërit) me Fan Nolin në vitin e largët 1921.

Të dy ishin njerëz të ditur, të dy punonin shumë për problemin më të madh të atij viti: zbrazjen e tokave shqiptare nga trupat serbe dhe greke, që nuk po e linin Shqipërinë e ringjallur të merrte frymë.

Mid'hati, 41 vjeç, përfaqësonte Shqipërinë në Paris; Noli, 39 vjeç, në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë. Mid'hati ishte njohës i shkëlqyer i truallit shqiptar, i çdo fshati, i çdo pëllëmbe tokë. Noli ishte orator dhe artikulues i mirë i kërkesave shqiptare, i zbukuronte fjalimet e tij me shprehje latine, me vargje nga Shekspiri dhe Dantja, ishte i zoti të debatonte me diplomatët grekë dhe serbë në Lidhjen e Kombeve.

Një ditë u takuan në Gjenevë. Ishte fund i gushtit 1921.

Më 1 shtator trokitën të dy në zyrën e Lordit Arthur Balfour, ish-kryeministrit të Britanisë.

-Si mund t'ju ndihmoj? - i pyeti Lordi.

-Ju keni fuqi të madhe, - i thanë ata.

Lordi i priti me dashamirësi, por jo pa një sens ironie këta dy burra të kulturuar, që mbronin me aq pasion trojet e sakatuara të vendit të tyre. Mirëpo nuk ishte e lehtë të depërtoje tek të mëdhenjtë.

Mid'hat Frashëri dhe Fan Noli nuk qëndruan bashkë më shumë se një javë në Gjenevë, por ishin aty në çastin e duhur. Ishin ndoshta të vetmit shqiptarë që kishin realisht aftësinë të mbronin kufijtë e Shqipërisë.

Ja pse ky çmim që mora sot më solli në mendje disa gjëra nga historia. Ishte mjaft kuptimplotë për mua.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat