“Ballkani” i Pano Hallkos në Vlorë

Kultura

“Ballkani” i Pano Hallkos në Vlorë

Nga: Albert Habazaj Më: 15 prill 2024 Në ora: 19:43
“Ballkani” i Pano Hallkos

Veprimtaria e përurimit të monografisë “Ballkani, viktimë e Gjeopolitikës” e studiuesit Pano Hallko u zhvillua në sallën e madhe “Rilindja” të Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, të shtunë e 13 prillit 2024, ora 11:00 në kujdesin e Këshillit të Profesorëve të këtij institucioni të lartë arsimor në bëshkëpunim të autorit dhe Bibliotekës Shkencore “Nermin Vlora Falaschi” të Universitetit me Fakultetin e Shkencave Humane, Departamentin e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, Qendrën e Studimeve Albanologjike dhe Ballkanistike, Shoqatën Kulturore Atdhetare “Labëria”, dega Vlorë dhe Shoqatën e Shkrimtarëve dhe Artistëve “Petro Marko” Vlorë.

Moderator i veprimtarisë ishte MSc. Albert Habazaj përgjegjës i Bibliotekës Shkencore, Universiteti “Ismail Qemali” dhe kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve “Petro Marko” Vlorë, i cili mbajti dhe fjalën e parë.

Në Vlorë u realizua një veprimtari serioze, e bukur dhe mbresëlënëse me këtë program:

Përshëndetje nga Ahmet Demaj, kryetar i Shoqatës Atdhetare - Kulturore “Labëria” - “Nderi i Kombit”, Dega Vlorë; publicist, mësues veteran;

- Diskutimi kryesor: Ambasador Shaban Murati "Mjeshtër i Madh në Diplomaci";

Prof. Dr. Bardhosh Gaçe, pedagog DGJSHL në FSHHD; studiues;

Prof. Dr. Rami Memushaj, gjuhëtar;

Doc. Odise Çaçi, historian, ish - pedagog dhe zyrtar i UV;

Intelektuali vranishnjot Bardhosh Mici;

Përëshëndetën Sejmen Gjokoli dhe Kristo Çipa;

Falënderime nga autori, i cili, me dorë në zemër tha, sa për 1000 fjalë, vetëm kaq: FALEMINDERIT!

Në fund, një grup artistësh popullorë me Tomor Lelon, Nazif Çelën, Vendim Kapajn, Bejushe Barjamin, Viron Lacin, Nuro Shkurtin, Lavdosh Shkurtin, Bilbil Bashën, Kristo Çipën, Hiqmet Imamin, Albert Habazajn, artistin e ri Erges Limaj, si dhe veteranin e këngës së Vranishtit Lesko Çeloleskaj e zbukuruan këtë mjedis të veçantë akademik, dhe i dhanë një frymë shpirti me disa këngë të bukura labe, siç dinë të këndojnë bilbilat e Labërisë.

Në këtë aktivitet marrin pjesë pedagogë, studentë, poetë, shkrimtarë dhe artistë të qytetit intelektualë, studiues, personalitete të kulturës, të dipomacisë, të historisë lokale dhe kombëtare.

PANELI:

Pano HALLKO

Shaban MURATI

Rami MEMUSHAJ

Ahmet DEMAJ

Bardhosh GAÇE

Odise ÇAÇI

Bardhosh MICI

Albert HABAZAJ

Vlorën edhe Vlorën

Thelb e kam në zemër,

Ditën e kam dritë

Natën e kam ëndërr...

E bëra jo më kot këtë parantezë shpirti me vargjet e Xha Aliut tonë, Aristokratit të Lirikës Shqiptare, sa të lirikës atdhetare, po aq të asaj dashurore.

Të nderuar pjesëmarrës! Ndihem i nderuar para autoritetit tuaj qytetar dhe shkencor, po aq edhe Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë, që me nismën e këshillit të Profesorëve po zhvillon sot në mjediset e sallës së madhe të Konferencave përurimin e një libri të veçantë, monografinë “Ballkani, viktimë e gjeopolitikës” me autor Pano Hallkon, studiuesin vlonjat, me origjinë nga Vranishti i Himarës labe. Pas vëmendjes që tërhoqi me dy librat: “Shqipëri të paça ligjet” (2020) dhe “Greqia dhe Shqipëria, siç nuk duhet të jenë” (2020), autori e ngre stekën botimore, sepse e njeh vetveten dhe ç’ka shkruan. Libri që përurojmë sot në Vlorë “Ballkani - viktimë e gjeopolitikës” me një material të ngjeshur në 371 faqe, që vjen si botimi më i arrirë i autorit dhe i pari e ndoshta ndër më të mirët që rrok tema të nxehta e të vështira nga fusha e gjeopolitikës, e marrëdhënieve ndërkombëtare, në funksion të të cilave vë njohuritë historike të tij që ka fusha e historisë rajonale dhe politikës botërore. Ky libër ka bërë jehonë në Tiranë, në Akademinë e Shkencave, në Akademinë e Sigurisë e gjetkë, ka bërë bujë të madhe në medie që nga “Gazeta shqiptare”, “Telegraf”, “Dita”, “Sot” etj. apo portale si “Fjala e Lirë”, “Destinacion”, “Albspirit” etj. Por studiuesin tonë e gërryente përbrenda brenga: “Mirë, o mirë Metropoli, po Vlora ime çdo të thotë?!” Vlorën edhe Vlorën e donte se s’bën studiuesi lab i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe ja, ia arriti kësaj dite në Vlorën e tij, në Vlorën tonë të na nderojë së bashku me autoritete të larta si diplomati Shaban Murati, Prof. Rami Memushaj.

Personalisht unë librin e kam marrë më 17 Dhjetor 2023 në Tepelenë gjatë zhvillimit të punimeve të Kuvendit të VII të Shoqatës Atdhetare - Kulturore “Labëria” - “Nderi i Kombit”. Nuk kam pse ta fsheh që e kam lexuar me kërshëri dhe interes, saqë i kam përtypur për të formatuar mendimin tim për objektin e studimit dhe tërësinë strukturore të lëndës që na dhuron autori atdhetarisht, por së pari vërtetetësisht.

Mendoj se me këtë libër Pano Hallko ka dhënë një ndihmesë të çmuar në botimet e fushës së marrëdhënieve ndërkombëtare, duke pasur në sy marrëdhëniet ndërkufitare dhe gjitoninë rrotull. Të kuptohemi, nuk kemi të bëjmë me një tekst historie, por me një libër nga fusha e marrëdhënieve ndërkombëtare, ku ngushtësisht rroket tema e marrëdhënieve ndërballkanike, si dhe një këndvështrim i ri për mendimin ende të brishtë gjeopolitik të rajonit tonë. Ndërkohë, njohja dhe studimi i mirë i historisë, njohja dhe përdorimin korrekt i disa gjuhëve të huaja, sidomos jeta refugjate në Greqi dhe në vijim puna e tij si emigrant dhe refleksionet situatacionale në vijimësi janë përparësi për këtë studim të rëndësishëm, që po e ballafaqon faqebardhë në bashkësitë horizontale dhe organizmat vertikale. (Domosdo janë 30 vjet punë, po punë siç di të bëjë Pano Hallkokondi).

Për mua, autori Pano Hallko ka 3 cilësi që dallohet në botën shkrimore shqiptare: është studiues këmbëngulës dhe i vëmendshëm, guximtar i fjalës dhe mentar serioz, që e mat fjalën 7 herë ta thotë e ta shkruaj 1 herë, duke i vënë në fund vulën e tij.

Vlera e këtij libri ravijëzohet në disa piketa, por fakti që autori plugon thellë në gjenezën e Mëhallës sonë të Ballkanit, gjendjen sociale dhe përditësimin krahasimtar të ngjarjeve, datave, personazheve historikë a shteteve me ndikim, si dhe pjesëtarëve të ndikuar a shteteve të tillë. Është një ndihmesë parësore në fushën delikate por shumë të rëndësishme të diplomacisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare. Nuk ka popuj të këqinj, ka politika të liga. Popujt, kudo në vbotën e qytetëruar, jo vetëm në Ballkanin tonë, janë të mirë. Të mëdhenjtë për interesat të tyre të vogla e të ngushta e bëjnë kur u do qejfi fuçi baroti.

Por “Fatet e shtetit fillestar shqiptar të Shqipërisë janë vendosur historikisht nga Fuqitë e Mëdha - shkruan autori - Ballkani ka qenë viktimë e Gjeopolitikës, por Shqipëria ka qenë viktimë e shovinizmit të fqinjëve tanë vertikalë”. Dhe më tej me humor të hidhur shkruan: “Helsinki na paska pasur ndërmend, atëherë kur ne nuk e dinim se ai ekzistonte” (f.10).

Mund të mos jesh plotësisht dakord me idetë, tezat apo interpretimet e autorit të këtij studimi, - thekson diplomati i karrierës, gazetari dhe publicisti poliedrik, Shaban Murati - por duhet thënë se me këndvështrimin e tij këmbëngulës, kërkues dhe me mënyrën interesante të analizës verbale dhe horizontale të gjeopolitikës ballkanike, autori krijon kushtet për një debat të vërtetë në fushën e historiografisë dhe diplomacisë, si rrugë për tek e vërteta e kuptimit dhe e reagimit të mendimit politik dhe diplomatik shqiptar (f.16).

Përveç lëndës që na paraqet, autori shfrytëzon një bibliografi serioze dhe të pasur, ç’ka më jep mundësinë si bibliograf, që të shprehem se nga studiuesi Pano Hallko, bibliotekat tona dhe ato institucionale pasurohen me një monografi shkencore ku ndërthuren disa disiplina në funksion të objektit të punimit, marrëdhëniet ndërballkanike.

Shqetësimi i rëndë që përjetojmë në rrjedhat e historisë përgjatë kohës është se Ballkani ende po ngelet viktimë e gjeopolitikës apo asaj meskine primitive, sa e sa herë arenë e kësaj gjeopolitike agresivisht fatale, ku në finale Ballkani ka humbur egërsisht, tragjikisht, pameritueshëm.

Ky libër më motivon që një ditë Ballkani ynë të zerë vendin e duhur, pse jo, si lider i gjeopolitikës, se i takon, se e meriton tash sa kohë. Unë kam besim edhe ky libër i Panos më mbush..., më frymëzon, sikur të isha një entuziast romantik.

Pano Hallko na kujton që është koha për një kushtrim kombëtar, i cili zanafillën duhet ta ketë tek një autokushtrim: “Do të dimë të krenohemi me Naimin, kur të vëmë në zbatim Porosinë e Madhe të tij: “Atë notë që t’i vendosim ne vetes, atë notë do të na vendosin të tjerët ne”” (f. 364).

Nuk mund të rri pa përmendur edhe një ndjenjë, mbushur sa me trishtim, aq me krenari, që përjetova, kur pasi mbarova librin, lexova kushtimin e autorit, që gjithësecilin nga ne punëtorët e mirë të penës, me veçoritë specifike që kemi, na mbush me gurrën e dinjitetit familjar: “Ia kushtoj këtë libër Familjes sime, e cila tre herë përjetoi mjerimin ekonomik, për shkak të analizave të mia në shtypin e përditshëm. Sepse mynafikët e pushteteve mernin hak, duke më pushuar nga i vetmi “biznes” që pata në jetë, nga puna e shtetit”...

Nuk është synimi i këtij shkrimi të bëj jetëshkrimin e autorit apo të merrem me ravijëzimin e intetitetin gjeografik të Panos, por mendoj që në formimin e tij atdhetar si pishtar i së vërtetës dhe rreptësisht vetëm asaj, vendlindja e madhe Vlora e Flamurit dhe Labëria me histori e këngë i kanë lënë gjurmët e duhura tek ky studiues. Kujtesa historike na vjen e gjallë dhe jehon me kumbim logjik: “Që në Gumenicë e lart’/ Himarë i thonë çdo fshat...”. Nuk është fjala për Gumenicën e Lumit të Vlorës, por për atë Gumenicën historike, që ka ngelur jashtë kufijve jugorë të kësaj Shqipërize zyrtare... Dikur Labëria quhej Himarë dhe kishte 73 fshatra. Kur themi Himarë kuptojmë Labërinë, kur themi Labëri, jo vetëm me gjuhën historike, por edhe me gjuhën e së vërtetës jetësore nënkuptojmë Himarë. Labëria dhe Himara janë sinonime të njëra-tjetrës.

Në fundmi, në thellimin e duhur të identitetit gjeografik, vlonjati labo-himariot Pano Hallko është një vranishtnjot i devotshëm dhe Vranishti është gurra, qeliza e tij. Në syrin tim, Vranishti është një kapetanatë trimërie dhe mendimi emancipues e përparimtar, që Panon e bën krenar, por jo mendjemadh dhe e motivon për punë të mira dhe të dobishme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat