Mësuesia e mësuesit tim, Ejup Ajdini!

Kultura

Mësuesia e mësuesit tim, Ejup Ajdini!

Nga: Blerona Brao Më: 16 prill 2024 Në ora: 13:35
Ejup Ajdini

Kur thuhej se mësuesi është prindi i dytë, më dukej se edhe kjo thënie është pjesë e përrallave të paarritshme njerzore, ose më konkretisht, më dukej një dëshirë e parealizueshme e fëmijëve të “parealizuar” në raportet e tyre: prind-fëmijë! Nuk them se jam njëra prej tyre, mbase dhe mund të jem, por kurrë përgjigje nuk kam gjetur në pyetjet e mia fëminore për këtë filozofi që mëtonte të thotë diçka të pathënë në shpirtin tim fëminor.

Fillova klasën e parë fillore, dhe që në ditën e parë tek mësuesi im i parë, Fatmir Tuda (tashmë i ndjerë), sikur kërkova fëmijërisht ta shoh në figurën e tij, jo të shkruar, sepse shkronjat akoma nuk i njihja asokohe, por e kërkoja të vizatuar atë ëmbëlsi që ëndërroja ta gjej tek prindi i dytë. E gjeta sigurisht, por pak më vonë...! Dhe mësuesi Fatmir zë vendin kryesor në panteonin e dëshirave të mia, ku janë vendosur përjetësisht emrat e të gjithë mësuesve, që nga Fatmiri dhe deri tek prof. Ejup Ajdini, të cilin e gjeta në ambientet e UT-së.

Gjatë jetës sime si nxënëse, të mbushur plot me dallgëzime adoleshence, pata fatin që të përmbush ëndrrat e mia edhe me emra të tjerë të shumë e shumë mësuesish. Të them të drejtën, po të kishte ndonjë parametër matës për ndjenjat e mia ndaj gjithë mësuesve, rezultati do dilte i barabartë! Por, mësuesi Fatmir dhe prof.Ejupi (këtë të fundit e quaj mësues nga dashuria e mbetur në zemrën time për të gjithë mësuesit që dhanë atë që ditën dhe mundën për rritjen dhe kalitjen time), çuditërisht, shpesh herë sikur marrin profilin e profetëve më të zgjedhur të të gjithë profetëve që quhen mësues! Nuk kam shpjegim, kam veç një grumbull ndjenjash të mbledhura ndër vite, që kurrë më parë, ose s’kam ditur, ose s’kam mundur t’iu jap një kuptim në letër, fakt për të cilin nuk jam e sigurt, nëse kam thënë atë që duhet edhe me këtë shkrim modest.

1. Kalova tetë vitet e shkollës fillore, gjithnjë me dëshirën e madhe që të vazhdoj shkollimin e mesëm. Dhe gjithçka më dhanë mësuesit e shkollës fillore ishte përgatitja ime për vijimin e “shkallës” së dytë të shkollimit (gjimnazit). U ndava prej tyre, siç ndahen fëmijët me lot në sy prej prindërve të tyre, dhe ndonëse gjeta dashurinë e njëjtë tek mësuesit e gjimnazit, dashuria për mësuesit e shkollës fillore, në qenien time sikur rritej dhe vazhdon të rritet edhe sot kur kam zënë vend si studente e Letërsisë Shqipe në një karrike të UT-së.

Sigurisht që, kujtimet nuk janë të gjitha të ëmbla, dhe kjo është plotësisht e natyrshme për një fëmijë që del si fëmijë nga prehëri i prindërve dhe kalon dorë më dorë- në duart e prindërve të dytë, ku duhet të përgatitet për sfidat e panjohura të jetës. Megjithatë unë mbaj mend dhe do kujtoj vetëm kujtimet e bukura, madje edhe ndonjë “kujtimi” që s’dua ta kujtoj përpiqem t’i jap ngjyra të njëjta dashurie si të gjitha kujtimeve tjera shkollore.

2. Këtu në Tetovë, duke qenë e bindur se fillon një fazë e tretë e shkollimit dhe ligjeruesit, për dallim nga mësuesit e shkallëve tjera, përveç punës profesionale, raportet tjera i kanë vetëm zyrtare me studentët, befasia ime më e këndshme, të mos e quaj fëminore, ishte dhe është një mësues i “ri” që më kujton katërcipërisht mësuesin e parë Fatmirin, është prof.Ejup Ajdini. Nuk dua të flas, as që jam kompetente të flas për përgatitjen e tij profesionale, për shpirtin e tij Migjenian, për dashurinë dhe për kujdesin e tij ndaj studentëve që shpeshherë, më duket se tejkalon edhe dashurinë dhe kujdesin prindëror, por atë që gjeta unë, sigurisht edhe kolegët e mi tek prof. Ejupi, është madhështia e tij njerzore.

Ai, sado i lodhur që del nga ligjerimet e përditshme, nëse dikush prej nesh, sidomos unë “shpirtngrënësja” e tij (kështu më quan profesori kur s’gjen fjalë më të dashur për mua), kërkojmë një sqarim shtesë rreth lëndës mësimore (Teori e Letërsisë), ose thjeshtë duam t’ia “marrim kohën kot” , ai, me atë buzëqeshje të këndshme prej mësuesi, u “nënshtrohet urdhrave tona” dhe që aty e tutje për kohën se sa e mbajmë profesorin me vete është vetëm puna jonë. Dhe ne, çuditërisht s’na mjafton koha me të asnjëherë prandaj jo rrallë takohemi edhe në mbrëmje të ndryshme kulturore që mbahen në Tetovë: mbremje letrare, ndonjë shfaqje teatrale etj.

3. Profesor, ti kuptohesh nga buzëqeshja se ç‘ndjen për të gjithë ne, por ne që nuk “dimë” të japim buzëqeshje të njëjta, të jesh i bindur se kemi të njëjtën dashuri për ty dhe për të gjithë ata mësimdhënës që duhet të jenë si ti!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat