​Filmi “Rrugës”, pjesë e garës në Festivalin e Kanës

Kultura

​Filmi “Rrugës”, pjesë e garës në Festivalin e Kanës

Më: 23 prill 2024 Në ora: 19:03
Filmi “Rrugës”

Filmi i ri nga Samir Karahoda, "Rrugës", është përzgjedhur zyrtarisht për garën e filmave të shkurtër në edicionin e 77-të të Festivalit të Kanës. Kjo është hera e dytë që një film në regji të Samir Karahodës përzgjedhet për garën zyrtare të Festivalit më prestigjioz në botë, pas filmit "Pa Vend" që e kishte premierën në Cannes në vitin 2021.

Nga 4,420 filma, "RRUGËS" është përzgjedhur mes 11 filmave të shkurtër nga 11 shtete që do të prezantohen këtë vit në konkurrencë. Kosova, Azerbajxhan, Brazil, Bullgari, Kanada, Kinë, Kroaci, Francë, Lituani, Portugali dhe Shtetet e Bashkuara. Palma e Artë për Filmin e Shkurtër do të jepet nga Juria e kryesuar nga Lubna Azabal, të shtunën, më 25 maj, gjatë ceremonisë së mbylljes së Festivalit të 77-të të Kanës.

Filmi "Rrugës" sjell tregimin e një babai dhe djalit të tij në rrugën e tyre për në aeroport për të marrë një dhuratë të ardhur nga jashtë, e dërguar nga kumbari i djalit. Ndërsa përballen me pengesa burokratike dhe një perspektivë të pakëndshme për ndryshime reale politike dhe sociale në vendin e tyre, ata gjejnë ngushëllim dhe forcë në optimizmin e tyre të përbashkët për të ardhmen.

"Rrugës" është shkruar nga Samir Karahoda dhe djali i tij Mironi, duke integruar tregime personale dhe elemente autobiografike, që pasqyrojnë shqetësimet e tyre për të ardhmen e vendit. Gjatë këtij udhëtimi të shkurtër, udhëtimi i tyre bëhet një eksplorim i lidhjes së tyre mes sfidave shoqërore dhe pasigurisë që ata kanë në atdheun e tyre.

Në rolet kryesore paraqiten Ylber Mehmeti dhe Miron Karahoda. Samir Karahoda përveç regjisë dhe skenarit, gjithashtu ishte edhe drejtor i fotografisë. Filmin e montoi me mjeshtëri Enis Saraçi.

Filmi është produksion i ‘SK Pictures’ me producentë Eroll Bilibani dhe Samir Karahoda.

“Rrugës” është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Televizioni Kulturor Europian ‘ARTE’ dhe Televizioni Finlandez ‘Yle’.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat