Portreti i shkrimtarit Kadri Tarelli

Kultura

Portreti i shkrimtarit Kadri Tarelli

Nga: Vilhelme Haxhiraj Më: 28 prill 2024 Në ora: 11:44
Kadri Tarelli

I nderuar Lexues!

Librin me titull, “Në botën letrare të Kadri Tarellit”, ia kushtoj njeriut “Njeri”, historianit, publicistit, qytetarit të mirë, krijuesit letrar të palodhur, mikut të të gjithëve, të kudogjendurit Kadri Tarelli!

Të kesh mik një njeri të tillë, i cili udhëhiqet nga thjeshtësia, mirësia, toleranca, mirëkuptimi dhe shoqëria e sinqertë pa interesa,veç kënaqësisë është vlerë, virtyt, pasuri morale dhe shpirtërore. Në këto kohë të vështira, ku shoqëria dhe miqësia krijohet vetëm për interes, vlerësohet thënia:“Më mirë një mik të mirë dhe të besës, se sa një çiflig”!

Të nderuar miq! Në librin e botuar në ditët e para të prillit, me titull,“Në botën letrare të Kadri Tarellit”,vihet re se përballë krijuesit letrar, qëndron lexuesi, kritiku, analisti apo kolegu si vlerësues i paanshëm i realitetit. Gjithashtu z. Tarelli si krijues letrar, studimor apo si analist, si dhe të tjerët për atë, secili më vehte ka ngritur në piedestal mësuesin veteran, sudiuesin, publicistin e shquar, poetin lirik të mendimit të lirë, të bukur e domethënës, shprehur përmes fjalës së lirë.

Kadriu dikur është shprehur:“duke ndenjur me ju poetët, ngutem të jem dhe unë poet!”.

Ishte vonë, pasi koha e ngrysur kishte pllakosur kombin që e do lirinë dhe begatinë e tij baraz me jetën. Sapo lindi drita e shpresës, Kadri Tarelli ashtu si papritur, trokiti në sofrën e poetit, të shkrimtarit apo studiuesit për të thënë fjalën e tij të munguar. Ai erdhi u ul në sofrën bujare të letërsisë, si kënga e bilbilit, që të zgjon nga gjumi e të josh me ëmbëlsinë e zërit të tij të bukur. Bilbili nuk njeh kohë, ndaj vjen si lajmëtari i stinës së bukur, pranverës që e vazhdon këngën e tij, edhe në verë dhe në vjeshtën e ngjyrave..., duke iu mënjanuar përgjumjes së dimrit, për t’u ftilluar përsëri...sapo çelin lulet dhe natyra gjelbëron.

Natyra me gjithçka është e përjetshme, por kohën të mirë apo të keqe, të admirueshme apo të mërzitshme, e bëjnë njerëzit, të cilët janë ndërtuesit e jetës, por dhe shkatërrimtarë të vetvetes. Janë pikërisht po Ata që, me mendjen, intelektin, talentin, horizontin dhe palodhshmërinë e tyre, kërkojnë ta sfidojnë kohën e mbrapshtë, duke e shndërruar në të dobishhme dhe të këndshme. I tillë është dhe personazhi i nderuar, të cilit i kushtohet libri me titull “Në botën letrare të Kadri Tarellit”. Për individualitete intelektuale si z. Tarelli, s’ ka rëndësi mosha, as koha kur nisi të shkruajë.

I nderuar miku ynë, Kadri! Kurrë nuk është vonë për të thënë dhe bërë gjënë e duhur. Si mësues me përvojë 40 vjeçare, si publicist i hershëm i gazetës “ Mësuesi”, aktivist i shquar, i kudogjendur, me shpirt të madh fisnik e artistik, i mbrujtur nga historia dhe bukuria e vendit të tij, nga pasuritë e mëdha, mbitokë e nëntokë, por mjerisht i zhytur në skamje e varfëri. Në kushte të tilla të rrjedhave të kohës së egër, z.Tarelli gjeti veten në studime historike,në njerëzit e vlerave të Durrësit e më gjerë. Në këtë mënyrë zbuloi talentin letrar të fjetur në labirintet e errëta të shpirtit dhe përmes poezisë, i këndoi atdheut, stinëve, njeriut si vlera më e madhe për jetën. Mbi të gjitha z.Tarelli i ka kënduar dashurisë. Ky personalitet dhe individualitet i heshtur pa bujë përmes krijimtarisë letrare dhe me vlera edukuese për të sotmen dhe të nesërrmen janë librat që ai po u dhuron brezave.

Ndaj them me bindje, nga përvoja e shumë njerëzve të ditur, duke filluar nga Servantesi, i cili filloi të shkruaj në moshën 61 vjeçare dhe ka lënë në altarin e artë ose në Panteonin e Letërsisë Botërore një kryevepër që vlen si simbol për çdo kohë dhe sistem politiko-shoqëror. Romani i tij, “Don Kishoti i Mançës”, është aktual edhe sot dhe do të ngelet një vepër e dimensioneve sipërore të aktualitetit që nuk njeh kohë.

Ishte koha, me të gjitha cilësitë e saj, e cila e shkundi dhe e zgjoi Kadriun nga gjumi letargjik. Ai erdhi si me porosi, si misionar i dijes për të treguar të pathënat e jetës, të lëna në harresë nga frika e gjëmave të kohës.

Si mësues veteran i Historisë, duke ecur me mendje nëpër vragat e kohës së egër që nga lashtësia, përmes gjuhës letrare, sociologjike, filozofike, solli nga kasaforta e kujtesës fakte dhe bëma historike të së shkuarës së kombit më të lashtë pellazg-ilir-arbër. Kapur për dore çaploi përjetimin e të sotmes dhe hapi siparin e të nesërmes dilemë. Ai me veprat e tij letrare, mundi të sjellë realitetin e përjetuar dhe shpresën për kohë më të mira. “Kultura e gjerë e tij dhe përvoja, e ndihmuan që, me guxim të sjellë njohje të vjetra, se vetëm kështu simbolika e të shkruarit e kthen në “mbret” të vargut dhe të mendimit.” -shprehet poetja durrsake, Merita Kuçi Thartori.

Kadriu, poeti i fjalës së bukur, publicisti dhe analisti i mendimit të thellë, nuk harron të përmend penat që ka nxjerrë kombi ynë, pa harruar trojet etnike shqiptare. Ai i ka bërë të tijat, vargjet e Rabindranat Tagorës,“Jeta është me shumë fytyra, ka lot, po ka dhe gaz.” – kështu e krahason miku i tij, Shpend Topollaj. Kadriu nuk ishte vetëm mësues, pasi tek ai gëlonin mendimet poetike, publicistike, por njihet dhe si aktivist i shquar i ngjarjeve të mëdha kombëtare, madje edhe në trojet etnike shqiptare.

Në maj 1998-me rastin e formimit të Fondacionit Sulejman Vokshi”, ku ishte dhe anëtar i tij, në sheshin kryesor Durrës, në mitingun madhështor “Një komb, një qëndrim”, Kadriu çeli mitingun me fjalët magjike,; “Për kombin, asnjëherë nuk është vonë, dhe gjithçka nuk është e tepërt”.

”Z. Tarelli është një kritik zëbukur dhe aktivist i veçantë, që duhet përshëndetur”, citon, znj.Fatmira Beqja.

Tarelli, dallon në elegancën dhe bukurinë muzikore, të vargu tpoetik apo në prozë, thurur nga ai, tek i cili, kanë lënë plagë apo ndjesi të forta, të cilat u shndërruan në një trashëgimi kulturore me mesazhe për kombin, për gjuhën, për trojet etnike.Për krijimtarinë e tij të pasur është vlerësuar me shumë çmime. Unë po veçoj disa prej tyre...

Kadri Tarelli i vlerësuar si më poshtë:

*Dekorohet me Medaljen “Naim Frashëri”, nga Kuvendi Popullor i Shqipërisë.Tiranë.1990.

*“Mirënjohje”, nga Qendra K Shqiptare Migjeni -Suedi-2011

*Çertifikatë falenderimi”, nga Sh.“Papa Klementi XI. Albani”, Suedi. 2018.

* Çmim special”, për poezinë “Kënga e Bilbilit- konkurs letrar -Tropojë,2018

* Përfshihet në “Antologjia e 60 Poetëve shqiptarë,suedezë etje..

* Çertifikata“Noble Star for literature”(Yll fisnik në literaturë), nga Akademia Kombëtare e Artit dhe Kulturës në Indi, 2019.

* “Ambasador for Peace”. Ambasador për Paqe,nga “Federata Universal Peace”-2020

* Anëtar nderi i Shoq.së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI. Albani”. Suedi.

* Vlerësohet me çmim nd/kombëtar në Itali më 2017

* Poezia fituese, “E pabesë është dashuria” është përfshirë në Antologjinë Botërore-2017

Suksese, jetë të gjatë dhe krijimtari të bukur, Z.Kadri!!

Ju faleminderit që më dhatë mundësinë të njoh portretin tuaj individual, intelektual dhe letrar!

Për lexuesin unë përzgjodha poezinë e autorit Tarelli, me titull “Nuk bëhesh i Madh”, të cilën e vendosa në palosjen e kopertinës...

Nuk bëhesh i “madh”!

Poezi nga Kadri Tarelli

Durrës, botuar më, 25.07.2017

Bisedë me më të rinjtë...

Nuk të bën shqiponjë, mali ku je ngjitur,

as gjel kokosh, plehu ku ke hipur!

Nuk të bën të zgjuar, karrige bythës qepur,

as bukurosh, kostumi i shtrenjtë gjetur.

Edhe trim s’të bën, shpata brezit ngjeshur,

as dhëndër s’të nisin, rrobat që ke veshur.

Nuk të ve në qoshe, qeleshja mbi kry,

as krushk nuk të çon, ballukja mbi sy.

S’të bën filozof, mjekra gjoksit zgjatur,

As të ditur syzet, përmbi hundë mbajtur.

Shitësi në dyqan, s’i shton mallit vlerë,

mendjemadh me huqe, kush ka për të blerë?

Mos u mburr më kot, nga lartësi e shtatit,

punëtor nuk të bën, bishti i gjatë i shatit.

As të madh të mban, emri mbetur fisi,

vetë kërko diellin, mos pre trungje lisi.

Veset s’të çojnë lart. Po munde ti prishi!

Keq, kur të tundon, mishi, goja, binishi.

Me hije mëngjesi, veten pse e mat?

Mos u qaj më kot, s’të ka kush inat.

Hip në shpinë të bletës, të shijosh nektarin,

veç me punën tënde, ti e ndez pishtarin.

Po e ndoqe mizën, vajte në bisht të kalit,

pa vlera, mund dhe dije, kot i qepesh malit.

Të moçmit na thonë:” shëndet, dije, punë!”

Ti mos lakmo hijen, se të mban në gjumë.

veprat lenë gjurmë, bëjnë historinë,

ato flasin vetë, gdhendin madhështinë!

Kadri Tarelli

Durrës, më 19, të korrikut, 2017.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat