Recensë/ “Lufta e Pengjeve”, një libër monumental mbi njeriun dhe qëndresën

Kultura

Recensë/ “Lufta e Pengjeve”, një libër monumental mbi njeriun dhe qëndresën

Nga: Suadela Balliu Më: 10 maj 2024 Në ora: 16:42
Foto ilustrim

RECENSË nga Suadela Balli për librin e Gani Mehmetaj, “Lufta e Pengjeve” , botim i UET PRESS

Nuk mjafton që luftën dhe historinë ta shkruajmë nga njëri kah: qoftë ky fituesi a humbësi, pushtuesi a viktima, apo nga kahu ynë, sepse peshorja do ta humbte ekuilibrin. Gani Mehmetaj nuk është shkrimtar i anshëm, as mban qëndrime, as dikton. Ai përshkruan. Përshkruan me sytë dhe zërin e kujt nuk kemi dashur ta dëgjojmë.

Ndonjëherë mjafton një libër i vetëm të  të  mësojë shumë  mbi historinë. Sepse atë nuk ta mëson përmes ngjarjeve e datave, por përmes njerëzve dhe dramave.

Me mjeshtëri autori rikrijon një Jugosllavi të tijën, përmes tetë ushtarëve në një kazermë në  alpet sllovene. Jo më kot janë prej kombësive të ndryshme, jo më  kot janë njerëz të thjeshtë, arketipa që mbartin cilësimet kulturore të  çdo kombi, besimet, besëtytnitë, keqkuptimet, urrejtjet për tjetrin. Jo më  kot në Slloveni dhe jo më  kot në kazermën prapa diellit, në nisjen e shpërbërjes së  ish-Jugosllavisë. Përmes këtyre  tetë ushtarëve të thjeshtë shkrimtari nis dhe zhvarros plagët e fshehura, që kurrë nuk zunë kore.

“Lufta e Pengjeve” është një libër monumental. Është sagë e  një lufte të  gjatë e të përgjakshme, e shtrirë përtej kohës kur Jugosllavia nis të shpërbëhet. Përmes narracionit të pasur, skalitjes së personazheve, mbushjes me material burimor historik dhe pasurim me këngë, gojëdhëna e bëma nga folklori i secilës etni, autori e vë theksin tek artificialiteti i atij bashkimi federativ mbi terrene të rrëshqitshme, i destinuar që në nisje të dështojë. Është një sagë që na bën të mendojmë më gjatë rreth njeriut, etnisë, kombit, kulturës, miteve, urrejtjes. “Lufta e Pengjeve” është një libër për Njeriun dhe Qëndresën.

Ilirian Nikaj, njëri prej të tetëve, shqiptari-ushtar i federatës jugosllave - që në heshtje bluan të kaluarën, persekutimet e popullit të tij, vrasjen e të atit dhe tmerrit të vetëdijshëm se e kanë dërguar si qengji në thertore -, jeton për të rrëfyer. Në penën e Gani Mehmetaj, ai që mbart jo rastësisht emrin e trojeve para dyndjeve sllave e para se gadishulli të quhej Ballkan, nuk është hero e as antihero. Është dëshmitar. Është qëndrestar, i cili mbledh, jeton e përjeton. Lufton dhe na e sjell historinë – atë të shkruar me jetë njerëzish e gjak të pafajshëm, me tmerre e mizori lufte – përmes narracionit të shkëlqyer të Gani Mehmetajt.

Nuk mjafton që luftën dhe historinë ta shkruajmë nga njëri kah: qoftë ky fituesi a humbësi, pushtuesi a viktima, apo nga kahu ynë, sepse peshorja do ta humbte ekuilibrin.

Sot Kosova, megjithë plagët e pambyllura të së kaluarës, me alarmet që shpesh ndizen si kërcënim në veri, me problematikat e shtetndërtimit, ka të tjera sfida për ta nxjerrë veten nga dramat e Ballkanit drejt mundësive perëndimore.

Gani Mehmetaj nuk është shkrimtar i anshëm, as mban qëndrime, as dikton. Ai përshkruan. Përshkruan me sytë dhe zërin e kujt nuk kemi dashur ta dëgjojmë, ngaqë a priori e kemi konsideruar armik. A ishin armiq mes veti ata tetë ushtarë të trandur nga e pakuptimta që i rrethon dhe fantazmat e së kaluarës që i kishin pozicionuar dhe në një shaka zotash mizorë i kishin vënë bashkë apo ishin thjesht pengje? Pengje të moskuptimeve, pengje të politikave, pushteteve e ca  utopive që asnjë – sado ishin indoktrinuar dhe u ishte propaganduar – nuk e kishte rrokur e as përqafuar.

Me këtë roman, por edhe me  “Zogjtë e Qyqes”  me të cilin u shpall fitues i Çmimit Kadare,  Gani Mehmetaj na ofron frëngjinë e tjetrit, të shohim nga ajo dritare. Nuk propagandon as kërkon ta bindë lexuesin mbi qasjen e tij. Edhe nëse kush e jetoi dhe e përjetoi atë tmerr e ka të vështirë t’i vendosë syzet e tjetrit, edhe nëse e ka të vështirë të bjerë dakord apo të falë, e sigurt që ky roman trazon dhe sjell katharsis.

Përmes kësaj letërsie, si hapësirë jo shumë e eksploruar në letrat shqipe, Gani Mehmetaj përpiqet ta edukojë lexuesin për reflektim më të thellë.

Me gjuhën pamore e  goditëse të Mehmetajt – i njohur për dimensionin e tij si kineast – ky roman premton në të ardhmen një vepër kinematografike, pasi i ka kaluar të gjitha fazat e metamorfozës nga skenar , në dramë, e pastaj në roman.

Si një vepër që na mëson ta shohim me sy ndryshe historinë, libri merr vlerë për lexuesin përtej Prishtinës e përtej Tiranës. Pas botimit në gjuhën frënge, italiane e kroate të “Zogjtë e Qyqes”, edhe “Lufta e Pengjeve” po ndjek të njëjtin fat e pret të botohet së shpejti në Francë e Kroaci.

Me 25 libra letrarë, eseistikë dhe publicistikë, Gani Mehmetaj është një penë prolifike e letërsisë shqipe. Një vit pas “Lufta e Pengjeve”, i vjen lexuesit me një tjetër roman. “Muri i heshtjes”  – një rrëfenjë me nota të realizmit magjik, ku shpalosen dallimet dhe larmitë e bashkësive të ndryshme etnike, fetare e kulturore, të cilët bashkëjetojnë në terrene aspak idilike e shumë të rrëshqitshme të historisë mbushur me luftëra, gjak e kufoma. Përmes familjeve shqiptare, serbe e boshnjake, por edhe me personazhe nga pakica të tjera si ato rome, autori përpiqet të zbardhë krimet nga koha e Luftës së Dytë Botërore, duke gërshetuar në një trill letrar por me pasuri burimore e historike një rrëfenjë për luftën dhe dashurinë.

Ndonëse në mjedisin letrar të Shqipërisë, Gani Mehmetajn e kemi njohur për fat të keq vonë, ai ka zënë një vend të rëndësishëm në letërsinë shqipe të shek.XXI me ndjeshmërinë, pjekurinë, me qasjen e paanshme, por gjithmonë të tablove besnike, të temave që ziejnë në Ballkanin ende peng i dhimbjeve të së shkuarës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat